Super-ajsbergu në fund u shkëput. Shkencëtarët japin alarmin

Paralajmërimi ishte dhënë disa muaj më parë dhe tani ka ndodhur: një copë e madhe akulli është shkëputur nga platforma e Antarktidës Larsen C.

Sipas të dhënave të fundit të siguruara nga satelitët CryoSat dhe ESA-s Sentinel-1, ai që është shkëputur është një prej ajsbergëve më të mëdhenj të regjistruar ndonjëherë deri tani. Mali i akullit ka një sipërfaqe prej rreth 6,000 kilometra katrorë: është sa 9-12% e sipërfaqes së platformës Larsen C.

Matje nga qielli

Studiuesit kanë bërë matje duke përdorur një radar lartësimatës të satelitit Cryosat: kanë matur sipërfaqen, dhe pastaj kanë llogaritur trashësinë dhe vëllimin. Noel Gourmelen, i Universitetit të Edinburgut, ka thënë se ajsbergu mund të ketë një trashësi prej 190 metra mbi nivelin e oqeanit, me rreth 1155 kilometra kuba akulli – e cila është e barabartë me një sasi uji të mjaftueshme për të mbushur plot 462 milion pishina olimpike noti.

“Kemi vlerësuar gjithashtu se thellësia nën nivelin e detit mund të jetë 210 metra,” shtoi Gourmelen. Ajsbergu i madh do të ketë ndoshta pasoja mbi botën.

Parashikimet dhe pasojat

Ajo që shqetëson shkencëtarët është madhësia e tij “biblike”. Bëhet fjalë për ajsbergun më të madh të sheshtë të rregjistruar deri më tani.

Pasiguria kryesore është rruga që do të ndjekë: një studim historik sugjeron se blloku i madh i akullit do të drejtohet, ndoshta, në verilindje, me rrymat që do ta shpien në Oqeanin Atlantik. Duket e sigurtë se masa e akullit nuk do të thyhet në ajsbergë të vegjël, si në të kaluarën.

Sido që të jetë, “në tërësi ose në pjesë, rrymat e oqeanit mund ta çojnë në veri, duke e shtyrë atë drejt Ishujve Falkland. Nëse është kështu, ai mund të përbëjë rrezik për anijet që kalojnë në atë zonë”, tha Anna Hogg, nga Universiteti i Leeds.

Ka edhe një tjetër rrezik: duke lundruar në ujëra oqeanike ajsbergu, duke u shkrirë, do të prodhojë një sasi të tillë me ujë të ftohtë, që mund të ndryshojë kushtet klimatike të atij rajoni. Ajo që ndodh, paralajmërojnë shkencëtarët, është se për shkak të ndryshimit të klimës, pasojat do të jenë edhe shkrirja më e shpejtë e akullnajave dhe rritja e nivelit të deteve. /Bota.al