Rritja ekonomike e Kinës tejkalon parashikimet, 6.9%

Nga prilli deri në qershor, ekonomia kineze u rrit me 6.9%, një ritëm ky që kapërceu edhe parashikimet. Pekini po përpiqet fort të mbajë nën fre borxhin dhe tregun e tij imobiliar përmes masave të ashpra në sektorin e pronësisë dhe huadhënësit.

Nuk ishin të paktë analistët që profetizonin një ngadalësim të ekonomisë kineze me hyrjen në fuqi të këtyre politikave. Por të dhënat e fundit tregojnë se Pekini arriti të kapërcente edhe objektivin e rritjes 6.5% të vendosur për 2017-n.“Performanca ekonomike e vendit ka qenë në linjën e duhur. Ne kemi arritur një progres të qëndrueshëm e të fortë. Rritja ka qenë konstante, punësimi është forcuar, çmimet kanë mbetur të qëndrueshme, të ardhurat janë rritur dhe struktura e ekonomisë është përmirësuar.

Zhvillimi ynë ekonomik ka qenë më i stabilizuar, më i ekuilibruar dhe më i gjatë. Në tremujorin e dytë, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 1.7 për qind krahasuar me tremujorin e parë”, deklaron Xing Zhihong, zëdhënës i zyrës kombëtare të statistikave.Në 2016-n, ekonomia kineze pati ritmin më të dobët të rritjes në 26 vjet, por tani duket se e ka marrë veten sërish.

Për muajin qershor, edhe prodhimi industrial u rrit me 7.6%, duke kapërcyer parashikimin prej 6.5.Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një hov prej 11% kanë pasur gjithashtu dhe shitjet me pakicë. Pritshmëritë i kaloi edhe rritja e importeve dhe eksporteve.