“PlayStation” tallet me Mourinho: Nuk ka autobusë të parkuar në lojën tonë

Llogaria zyrtare e “PlayStation” është tallur me Jose Mourinho pas komenteve të bëra nga trajneri i Manchester United në përfundim të ndeshjes së Champions League kundër Basel, e fituar 3-0 nga lojtarët e tij. Mou ka kritikuar lojtarët e tij se “kanë dashur të luajnë si në PlayStation”, me lëvizje të bukura dhe spektakolare.

“Ne mund t’i kishim krijuar probleme vetes. Po luanim fantazi futboll ose futboll Playstation-i. Nuk më pëlqen kjo. Ne kemi rrezikuar dhe kemi treguar mungesë respekti për kundërshtarin. Ndoshta diferenca e golave mund të jetë vendimtare në fund”. Profili zyrtar i PlayStation nuk ka rezistuar duke postuar mesazhin: “Nuk ka autobusë të parkuar në PlayStation”.