U godit me thikë, vdes në spital 46-vjeçari

Një 46-vjeçar i cili u plagos me thikë 6 ditë më parë ka ndërruar sot jetë në spitalin e Durrësit.

Sipas burimeve spitalore, bëhet fjalë për shtetasin Afrim Llana, 46 vjeç, banues në Durrës, ka gjetur vdekjen dje në spitalin Rajonal të Durrësit, ku ishte transportuar pas goditjes me thikë nga 44-vjeçari Ilir Haku.

Autori, banues po në qytetin bregdetar, u arrestua një ditë pas sherrit, njoftuan burime zyrtare nga Policia e Durrësit.

Ngjarja

Burime policore bënë me dije se rreth orës 14:15 të 7 shtatorit, në lagjen numër 17, pas një konflikti për motive të dobëta Haku plagosi në thikë në këmbë 46-vjeçarin.

Fillimisht, i plagosuri u transportua në spital dhe gjendja e tij shëndetësore u vlerësua nga mjekët si jashtë rrezikut për jetën. Por, gjendja shëndetësore e 46-vjeçarit është përkeqësuar dhe ai ka humbur jetën këtë të martë.