Wenger: Titullin e Europa League për një vend në Champions? S’jam Mourinho

Trajneri i Arsenal, Arsene Wenger, ka pranuar se nuk e sheh Europa League si një rrugë për të shkuar në Champions League sezonin që vjen.
Pasi nuk arriti të kualifikohej në kompeticionin elitar evropian pas 19 kualifikimeve radhazi, skuadra e Wenger do të fillojë të enjten aventurën në Europa League ndaj gjermanëve të FC Koln. Triumfi në Europa League do t’i mundësonte një vend në Champions League sezonin që vjen – një rrugë e zgjedhur nga Jose Mourinho sezonin e kaluar – por Wenger beson se mënyra më e mirë për t’u kualifikuar në Champions League është nëpërmjet Premier League.

“Nuk e kemi llogaritur si një mënyrë për t’u kualifikuar në Champions League,” shprehet Wenger në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Koln.


“Nuk është shansi më i mirë për t’u kualifikuar për një nga mundësitë. Por unë e kam përsëritur që mënyra më e mirë është Premier League.” Më pas ai ka folur edhe për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Chelsea-t: “Ndeshja me Chelsea-n është një mundësi e mirë për të treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Shpresojmë të jemi rikuperuar pas tre ditëve.”