Ja nga sa para kanë harxhuar partitë për 10 ditë fushatë

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka harxhuar më së shumti para për 10 ditët e para të fushatës për zgjedhje lokale, tregon raporti financiar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, njofton Portalb.mk.

VMRO-DPMNE nga anëtarësitë ka mbledhur rreth 488.000 euro, ndërkaq nga 207 donatorë ka marrë rreth 47.000 euro. Në listën e donatorëve janë edhe kandidati për kryetar të komunave, Ivan Frangov, Koce Trajanovski, Johan Tarçullovski dhe Vllado Misajllovski, të cilët kanë donuar nga 1.00 euro, ndërkaq Ivica Konevski për partinë ka dhënë 500 euro.

VMRO-DPMNE më së shumti para për reklamim ka harxhuar në TV “Sitel” ku deri më tani ka dhënë 68.000 euro, ndërkaq pak më pak ka ndarë mjete për “Kanal 5”, “Tekma”, “Televizioni 24” dhe “Alsat M”. Për reklamim në “Facebook”, partia ka ndarë 3.700 euro.

Partia në pushtet LSDM nga anëtarësitë ka mbledhur rreth 211.000 euro, ndërkaq nga 76 donatorë ka mbledhur rreth 36.000 euro. Partia në 10 ditët e para nga fushata për reklamim vetëm në “Alsat M” ka harxhuar rreth 12.500 euro. LSDM ka paraqitur shpenzime për transport, marrjen me qira të hapësirave dhe për materiale reklamuese.

BDI deri te KSHZ ka paraqitur se vetëm nga anëtarësia ka mbledhur 6.500 euro, ndërkaq Lëvizja BESA në raportin e saj ka shkruar se 6 persona kanë donuar gjithsej 5.800 euro, ndërkaq nga anëtarësia kanë mbledhur 13.300 euro. Aleanca për Shqiptarët nga donacionet ka mbledhur gjithsej 19.200 euro.

Partia “E Majta” ka harxhuar më së paku para, gjegjësisht për këtë 10 ditët ka bërë fushatë vetëm me 2.000 euro.

Raporti financiar është që nga hapja e llogarisë transaksionale deri në fund të ditës së dhjetë nga fushata zgjedhore.