Shpallen pretendentët për “Topin e Artë”. CR7 e Messi, “të bashkuar” nga fati

“France Football” prezantoi emrat e 30 futbollistëve që janë në garë për fitimin e “Topit të Artë” për vitin 2017, që me siguri do të fitohet nga Cristiano Ronaldo. Kjo do të thotë se portugezi do të barazojë rivalin e tij, Lionel Messi, me 5 trofe të tillë.

Por, mesa duket në këtë moment, ky trofe individual nuk ka shumë rëndësi për këta dy futbollistë, duke qenë se për ata rrezikohet shumë prania në Botërorin e Rusisë.

Portugalia do të luajë ndeshjen e fundit në grup me Zvicrën, e cila ka 3 pikë më shumë, ku për kampionët e Europës fitorja është një detyrim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kalojë skuadrën helvete në klasifikim, duke qenë se ka një golavarazh më të mirë. Çdo rezultat tjetër e çon skuadrën luzitane në “play off”, një skenar me plot të panjohura.

Edhe më e vështirë është situata e Argjentinës së Lionel Messit. Nënkampionët e Botës, për momentin ndodhen në vendin e 6 në grupin e Amerikës Latine, që do të thotë jashtë “Rusi 2018”. Skuadrës së Sampaolit do t’i duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Ekuadorit, për t’u kualifikuar drejtpërdrejt për në Botëror, në të kundërt mundet të eliminohet ose me gjasë të luajë në fazën e “play off”-it ndaj Zelandës së Re.

Ndryshimi mes dy yjeve të futbollit qëndron në faktin se, Ronaldo diti të nxjerrë Portugalinë e tij nga telashet në ndeshjen me Andorrën, ndërsa Messi nuk e bëri këtë ndaj Perusë, edhe pse ai provoi gjithçka që përmbante repertori i tij për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij.