Rrahje në mitingun e djeshëm të VMRO-DPMNE-së në Shuto Orizare

Në mitingun e djeshëm të VMRO-DPMNE-së që u mbajt në Komunën e Shuto Orizares ka pasur rrahje, bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, rrahja ka ndodhur në ora 21:00 në rrugën “Indira Gandi” të Shuto Orizares, ku M.K. (17 vj.) duke iu afruar turmës ka tentuar të ngjitet në mur që të ketë pamje më të mirë të mitingut. Gjatë përpjekjes së tij për të hipur në mur ai ka shtyrë një person tjetër dhe nga këtu ka filluar përleshja fizike duke u përfshirë edhe personat tjerë të turmës.

Nga Spitali i Qytetit të Shkupit ndaj të lënduarit kanë konstatuar lëndime të lehta trupore. Janë ndërmarrë masat për zbardhjen e plotë të rastit.

Përndryshe, periudha parazgjedhore e lokaleve në Maqedoni deri më sot numëron me dhjetëra raste në të cilat janë sulmuar shtabe partiake me ngjyra dhe fekale të ndryshme, është sulmuar me armë zjarri për të ndërruar jetë bartësi i pavarur i listës së Komunës së Kërçovës, është sulmuar fizikisht kandidati për kryetar të Komunës së Shuto Orizares, është kërcënuar për vdekje kandidati për kryetar komune në Saraj dhe është thyer vetura e kandidatit për këshilltar të Sarajit. Të gjitha këto raste të sulmit, sipas analistëve politik kanë për qëllim prishjen e ambientit demokratik të periudhës para/zgjedhore të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor, e diel, kurse heshtja zgjedhore fillon të shtunën, në ora 00:00.