VMRO prezantoi vizionin për Dellçevën dhe Berovën

“Politikat e VMRO-së burojnë nga projektet dhe zgjidhjet. Zgjidhjet dhe projektet formojnë politikën tonë. Ne ofrojmë një epokë të re. Një epokë e re në të cilën nuk do të ketë rrugë të pashtruara dhe të pandriçuara, një epokë e re ku ka park në çdo lagje”,- tha udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin në Dellçevë.

Ai njoftoi dy projekte të reja të VMRO-DPMNE-së.

“Do të sigurojmë lokacione dhe tokë për ndërtimin e shtëpive të reja. Do të thotë shumë të fitosh një shtëpi tënden, e cila është e rëndësishme, sidomos për familjet e reja. Komponenti i dytë i këtij projekti ka të bëjë me përmirësimin e shtëpive ekzistuese. Ne propozojmë heqjen ose zvogëlimin e taksave komunale, të mund të përdoret në këtë rast, nëse një familje dëshiron të përmirësojë dyshemenë në një shtëpi ekzistuese. Përqindjet e reduktimit të taksave komunale janë identike me ndërtimin e një shtëpie të re. Pra, po vjen një epokë e re e taksave më të ulëta. Paga, subvencione dhe pensione më të mëdha”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së para qytetarëve të Dellçevës tha se parashikojnë lehtësimin e borxheve për familjet e rrezikuara sociale.

“Epoka e re do të sjellë 150 mijë vende të reja pune në Maqedoni në dekadën e ardhshme dhe një rënie të papunësisë nën 10 për qind”,- tha lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.

“Me shumë përgjegjësi qëndroj para jush dhe premtoj se gjithçka që ka filluar do të përfundojë, por ne gjithashtu do të fillojmë shumë punë të reja”,- tha kandidati për kryetar komune në Dellçevë, Ivan Sokolov.

Ai tha që kanë mbetur vetë pak ditë deri te fitorja e VMRO-DPMNE-së.

“Projektet që ata i filluan, qytetarët kërkojnë që të përfundohen. Unë me shumë përgjegjësi qëndroj para jush me premtim të madh, se çdo gjë që ka filluar do të përfundojë në këtë mandat, por gjithashtu do të fillojnë shumë gjëra të reja. Deri sa unë jam kryetar i komunës së Dellçevës, nuk do të lejoj vetëm 2-3 kilometra nga qendra e Dellçevës njerëz të shkelin në baltë, nuk do të lejoj që ndriçimi rrugor të mos punojë dhe nuk do të lejoj deponi, si dhe do të bëjmë riorganizim shumë serioz të administratës komunale”,- theksoi kandidati për kryetar të Dellçevës nga VMRO-DPMNE, Ivan Sokollov.

Kandidati për kryetar komune në Berovë, Nikolla Atanasov, premtoi se do të ndërtojë një treg të ri në qytet, stadium futbolli dhe do ofrojë trajnime falas për gjuhë të huaja dhe informatikë.

“Projektet që dua t’u prezantoj këtë mbrëmje janë rezultat i bashkëpunimit pikërisht me ju qytetarët, ndërsa projekte dhe zgjidhjet janë nevojë e juaja, ndërsa realizimi është obligim i joni. Ne do të ndërtojmë një treg modern urban me vlerë prej 8 milionë denarë, do ndërtojmë sistem dhe rezervar të ujësjellësit në fshatin Dvorishtë, me çka do të zgjidhet problemi shumë vjeçar me ujin, ndërsa projekti është në vlerë prej 15 milionë denarë, do të vazhdohet sistemi i ujësjellësit në fshatin Rusinovo dhe do të zgjerohet rrjeti i kanalizimit në Berovë”,- u shpreh kandidati për kryetar të Berovës nga VMRO-DPMNE, Nikolla Atanasov.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos i besojnë kundërkandidatit të tij, i cili, sipas tij, u ka premtuar atyre kulla dhe pallate, ndërsa i njëjti nuk është i panjohur për publikun.

Atanasov shtoi se LSDM menaxhoi komunën nga pavarësia deri në vitin 2008 dhe për 18 vjet e futën në borxh komunën 500 mijë euro.