Vajgel: “Jean Monnet” një mundësi për debat miqësor në mes pushtetit dhe opozitës

Në konferencën për shtyp në Kuvend, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, se si do të realizohet projekti “Jean Monnet”, ku në një tavolinë pozita dhe opozita do të duhet të diskutojnë për ngjarjet e 27 prillit, Vajgl tha se kjo konferencë për shtyp nuk është një vend për të zgjidhur keqkuptimet ndërmjet partive, por është një mundësi për një dialog miqësor dhe të hapur përmes të cilit do të zgjidhen problemet.

“27 prilli është një çështje e dhimbshme për të gjithë. Por unë mendoj se të gjitha partitë kanë mësuar mësimet pas kësaj ngjarjeje. Vetëm dialogu i përgjegjshëm dhe miqësor mund të çojë në një zgjidhje. Unë nuk mund të garantoj se ata do të “bien në dashuri” me njëri-tjetrin, por kjo është ende një mundësi e mirë. Përmes “Jean Monnet” ky problem nuk do të zgjidhet, mbetet të mbyllet këtu në Parlament nëpërmjet një dialogu të përbashkët dhe konstruktiv “, ka thënë Vajgl.

Vajgel shtoi se projekti “Jean Monnet” nuk është zëvendësim për marrëveshjen e Përzinos dhe se kjo marrëveshje mbetet ashtu siç është. Ai shpjegoi se instituti i ri i Parlamentit Evropian “Jean Monnet” duhet të jetë një dialog mes parlamentit evropian dhe atij maqedonas. Takimi do të mbahet javën e fundit të janarit të 2018 në shtëpinë e Jean Monnet në afërsi të Parisit, pa praninë e mediave. Atje, siç është planifikuar, duhet të marrin pjesë një koordinator, një deputet dhe nga një anëtar i shërbimit të secilës parti në parlament dhe do të përqendrohet në tri tema, Rregullorja e Kuvendit, Kodi i Sjelljes së deputetëve dhe sundimi i ligjit.

“Jam inkurajuar nga atmosfera që mund të ndjeja me udhëheqësit e partive politike, fryma e bashkëpunimit të ndërsjelltë, respekti dhe gjendja që mbizotëron, kur punohet për të mirën e vendit,” ka shtuar Vajgel.