Komisioni i përbërë nga Doc.dr.Sunaj Raimi, kryetar, Prof.dr. Reshat Qahili, mentor dhe Doc.dr. Flora Sela-Kastrati, anëtare, e vlerësoi lartë punimin e magjistraturës të përgatitur nga kandidatja e lartpërmendur.
Në kapitullin e parë, punimi paraqet evoluimin e mendimit të Herbert Markuzes, duke i bërë një krahasim të qartë me përfaqësuesit e tjerë të teorisë kritike, si dhe me përfaqësuesit e drejtimeve të tjera, kryesisht të antropologjisë sociale. Tema kyçe që trajtohet në kuadër të këtij kapitulli është çështja e njeriut të tjetërsuar, përkatësisht njeriu njëdimensional-shoqëria njëdimensionale. Këtë dhe disa problematika të tjera njerëzore Markuze i studion gjithmonë duke i krahasuar me mendimtarët klasikë, apo edhe filozofë dhe sociologë të ndryshëm. Por, e veçanta e kësaj forme të studimit është aspekti kritik të cilin kandidatja është munduar ta paraqesë në këtë kapitull dhe gjatë tërë punimit në vazhdim.
Në kapitullin e dytë, Drita Memeti ka pasqyruar veprimtarinë e Maks Horkhajmerit në kuadër të teorisë kritike. Konceptet antropologjike Horkhajmeri më shumë i ka drejtuar drejtë ndryshimit të mënyrës natyrore të të jetuarit në atë moderne, duke shprehur një revoltë për faktin që njeriu ka dalë nga vetja dhe është bërë pre i civilizimit.
Po ashtu, kandidatja ka vënë në dukje rëndësinë e mendimit të Horkhajmerit sa i përket industrisë kulturore, karakterit totalitar, errësimit të mendjes dhe problematika të tjera që dalin si pasojë e jetës bashkëkohore të cilën Horkajmeri e kritikoi gjatë veprimtarisë së tij shkencore. Sipas Horkhajmerit, teoria kritike ishte reflektuese, apo thelbësisht e vetëndërgjegjshme. Teoria kritike reflektonte mbi mjedisin njerëzor që e ka sjellë në jetë rolin e vet brenda kësaj shoqërie. Përgjithësisht, kjo donte të thoshte se detyra që i ngarkohej një teorie ishte praktike dhe jo vetëm teorike, pra synimi i saj nuk duhet të ishte vetëm arritja e një njohje të kënaqshme, por edhe krijimi i kushteve sociale e politike më të favorshme për lulëzimin e njerëzimit në krahasim me ato aktuale.
Esenca e kësaj teme të magjistraturës qëndron në faktin se problematikat shoqërore trajtohen në aspekt të dyfishtë, nëpërmjet shpjegimit dhe kritikës. Dihet mirëfilli se problemet shoqërore çdo herë janë temë e diskutimit dhe ngjallin interes të ndjeshëm në shoqëri, por e rëndësishme është sepse nëpërmjet teorisë kritike është arritur që jo vetëm të komentohen problemet por edhe të kritikohen me qëllim që të arrihet deri te eliminimi i tyre.
Komisioni përkatës, në përmbyllje të vlerësimit profesional, theksoi se ky punim magjistrature i posedon të gjitha atributet e një punimi të mirëfilltë shkencor, ka aparaturën shkencore, metodologjinë adekuate, referencat e duhura, përfundimet, si dhe burimet bibliografike të mjaftueshme, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhët e huaja. /tetova1/


