Shoqërisë shqiptare në Maqedoni i shtohet kuadri cilësor. Mexhid Ferati nga Kumanova ka përfunduar pak kohë më parë studimet e doktoraturës për informatikë në fushën e bashkëveprimit mes njeriut dhe kompjuterit në Universitetin e Indianas në SHBA.
Gjatë kohë së studimeve të doktoraturës në Amerikë, Mexhid Ferati ka qenë i angazhuar si asistent hulumtues si dhe ligjërues i disa lëndëve në Universitetin e Indianës. “Gjatë pesë viteve të studimit të doktoraturës, kryesisht jam marrë me hetimin e mënyrës për tu lehtësuar personave të verbër mësimin përmes kompjuterit. Në këtë proces kam bërë definimin e audem-ave si zëra joverbal që ndihmojnë në mësimnxënien e nxënësve të verbër ose me kufizim të theksueshëm të pamurit. Fokusimi ka qenë në zhvillimin e aplikacionit që nëpërmes zërave joverbal mundëson më lehtë dhe shpejtë navigimin e përmbajtjeve shkollore. Esencialisht, aplikacioni i quajtur AEDIN (Acoustic Edutainment Interface) përdoret në ekran me prekje dhe mundëson në mënyrë më të natyrshme dhe efektive gjetjen e përmbajtjeve të dëshirueshme përmes zërave joverbal. Në garat ndërkombëtare ImagineCup 2011 organizuar nga Microsoft, AEDIN u vlerësua si aplikacioni më inovativ në Indiana dhe nëntë shtete tjera në rrethinë” tha Ferati në një prononcim për gazetën “Lajm”.
Më tej, Mexhid Ferati, sqaron se hulumtimi i tij është i përmbledhur në dizertacionin e titulluar “Bazat e dizajnimit të aplikacioneve akustike: Hetimi i audemave si zëra joverbal.” Në të shtjellohen më tepër hollësi për shtatë experimente të zhvilluara të cilat gjithashtu janë prezentuar në gjashtë konferenca ndërkombëtare. Për të siguruar vazhdimësinë e këtij studimi ky hulumtim ka qenë bazë për fitimin e më shumë fondeve nga Fondacioni Nacional për Shkencë (National Science Foundation) dhe Google. Hulumtimet e Mexhit Feratit më gjerësisht mund ti gjeni në internet në faqen: http://mypage.iu.edu/~mferati/


