Tre vite më pas, jo që nuk ka shpresa për përmbushjen e atij premtimi të bërë gjatë vizitës së kryeministrit Nikolla Gruevskit në Strugë, por janë amortizuar edhe elementet bazë me të cilën do të arsyetohej kërkesa për hapësira të reja shkollore. Në pjesën e gjimnazit “Ibrahim Temo” është bërë një mbindërtim me gjashtë klasë të reja dhe me këtë - do të ketë në dispozicion aq klasë sa për t’i vendosur të gjitha paralelet e këtij gjimnazi.
Edhe shkolla e mesme profesionale “Niko Nestor” tanimë nuk ka problem hapësirash. Mungesën e sallës për lëndën e kulturës fizike e plotëson duke shfrytëzuar deri në orën 15 një palestër, e cila gjendet aty pranë, kurse gjimnazi “Ibrahim Temo” e shfrytëzon sallën e shkollës edhe pse nuk është në gjendje të ofron kushte optimale për mësim. Përgjegjësit komunal të arsimit, që në vitin 2010 arritën të sigurojnë hapësirën e nevojshme, vazhdojnë t’ia zënë për të madhe pushtetit qendror për “pretimet boshe” sikurse shprehet Xhemi Hajredini, përgjegjësi për arsim në Komunën e Strugës. Hajredini është ithtar i idesë se për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate të problemit arsimor në Strugë, nevojitet me patjetër ndërtimi i një objekti të ri, në të cilin do të ishte dislokuar gjimnazi “Ibrahim Temo”. “Shkëputja e gjimnazit nga objekti të cilin e ndan me shkollën tjetër profesionale, respektivisht vendosja e tij në një objekt të ri shkollor, është padyshim zgjidhja më e mirë”, thotë ai, ndërsa kujton se kryeministri Gruevski gjatë takimit me kryetarin Ramiz Merko, para tre viteve, kur vizitoi Komunën, premtoi ndërtimin e objekteve shkollore në Strugë. Madje, sikurse rikujton detaje të takimit Gruevski-Merko, ideja e kryeministrit ka qenë të ndërtohen dy objekte, një në afërsi të Veleshtës dhe Llabunishtës dhe një tjetër në qytet. “Si përgjegjës i arsimit, i sqarova se nuk na nevojë të shpenzohen para për dy shkolla dhe as të ndërtohen shkollat të mesme nëpër fshatra. Prindërit e zonave rurale janë të interesuar ti socializojnë fëmijët, pra t’i sjellin në qytet. Kështu që për nevojat e arsimit të mesëm në Strugë, në bazë të analizave që kemi bërë na rezulton e nevojshme vetëm ndërtimi i një shkolle të mesme në të cilën do të vendoset njëra prej dy shkollave të mesme ‘Ibrahim Temo” apo ‘Niko Nestor’”, tregon Hajredini. Nisur nga fakti se gjimnazi “Ibrahim Temo” ka pak më pak nxënës, rreth 1300, kurse SHM “Niko Nestor” rreth 1700, si variant më i pranueshëm llogaritej dislokimi i gjimnazit me atë që në objekti ekzistues t’i mbetej në përdorim të plotë SHM “Niko Nestor”. Mirëpo, duke qenë se u hoq dorë nga ideja e një shkolle të re në Strugë, MASH nisi t’u ndajë këtyre shkollave buxhete për mbindërtim dhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese. Një zgjidhje që për përgjegjësin e arsimit në Komunë e Strugës, nuk është zgjidhje e vërtetë. Sepse, prapë se prapë në të njëjtin oborr sillen mbi 3000 nxënës; shkollat nuk mund të ndahen pasi profesorë të njërës shkollë japin mësim edhe në shkollën tjetër, kurse objekti nuk është i siguruar fizikisht edhe pse gjendet në një vend tepër të frekuentueshme. “Secili mund të hyjë pa problem në shkollë dhe të bëjë çfarë ti kujtohet. Ishte rasti i para disa ditëve kur një person nga jashtë lëndoi me thikë një nxënës të paraleleve të mjekësisë. Në një oborr ku lëvizin çdo ditë nga 3000 nxënës e ke të pamundur ti parandalosh incidentet dhe të vështirë që ti kontrollosh situatat”, nënvizon ai. E megjithatë, ky fat duket se u ka rënë përgjithmonë shkollave të mesme të Strugës.
Sa nuk u nis ndërtimi i shkollës me kohë, tani që të dyja shkollat kanë klasa të mjaftueshme për të gjitha paralelet as që mund të imagjinohet ndërtimi i saj. Tani janë gati tre klasa nga mbindërtimi i objektit, në pjesën ku është vendosur gjimnazi “Ibrahim Temo”, kurse tre të tjerat në përfundim e sipër. “Jemi në përfundim të projektit për mbindërtimin e shkollës me gjashtë klasa të reja dhe presim që gjithçka të jetë gati muajin e ardhshëm. Klasat do t’i lëshojmë në përdorim më 19 mars, Ditën e patronatit të shkollës. Me këtë do ta zgjidhim problemin e hapësirave, të cilin e kemi pasur deri tani”, pohon drejtori Urim Keka. Përveç kësaj, për vitin 2013 MASH ka ndarë buxhet edhe për meremetimin e shkollës me çati, dritare dhe dysheme të reja. Janë rreth 6.689.000 denarë që me planin e investimeve kapitele të këtij viti, u janë ndarë për atë qëllim. E, nëse do të ngelin të holla, në sasinë e rreth 200.000 denarë mund të shfrytëzohen për lyerjen e një pjese të shkollës me fasadë të re. Në gjimnazin ”Ibrahim Temo”, pjesa dërmuese e nxënësve janë shqiptarë, rreth 800, pastaj vijnë maqedonasit me rreth 400 dhe në fund turqit me 98 nxënës. Edhe në SHM “Niko Nestor” pjesa dërmuese e nxënësve janë shqiptarë. /Laura PAPRANIKU/


