Në vitin 2005, në Vizbeg u mbyll ish-shkolla periferike “Kirili dhe Metodi” pasi Komuna e Butelit nuk kishte leverdi të shpenzonte për mirëmbajtjen e këtij objekti në të cilin mëson vetëm 3 nxënës maqedonas. “700 nxënës shqiptarë pa shkollë dhe një shkollë maqedonase e mbyllur për mungesë nxënësish”. Kjo është historia paradoksale e politikave arsimore të pranishme në një lagje të kryeqytetit - vetëm katër kilometra larg qendrës së saj. Komuna e Butelit, ku edhe shtrihet një pjesë e Vizbegut, mjaftohet me arsyetimin se “nuk është bërë asnjë kërkesë nga prindërit”, kurse në Ministrinë e Arsimit shmangin përgjegjësinë me arsyetimin se, “themeluese të shkollave janë komunat dhe jo Ministria”. Për pasojë të shmangies së përgjegjësive institucionale, nxënësit shqiptarë të cilët e vuajnë mungesën e një shkolle në lagjen e tyre, detyrohen të mësojnë në kushte të jashtëzakonshme në shkollën fillore “26 Korriku” në Komunën e Shutkës. Për mungesë urbanizmi, rrugën e bëjnë në këmbë, pasi nuk ka një linjë autobusi që do të lidhte Vizbegun me Shutkën. Nuk është i vogël as numri i atyre nxënësve që mësojnë në shkollat e komunave më të largëta, kuptohet vetëm në rastet kur prindërit kanë mundësi ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë me taksi apo automjete të veta. Duke qenë banorë të një komune tjetër, ato nxënës nuk mund të bëhen pjesë e buxhetit për transportin e nxënësve që MASH ndan për komunat e shkollave ku ato mësojnë. Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski thotë se nuk janë të njoftuar për këtë situatë me shkollat në Komunën e Buelit, ndërsa nuk ka informacion të saktë as përse nga viti 2005 nuk funksionon objekti i ish-shkollës periferike “Kirli dhe Metodi” në lagjen Vizbeg. Ai, gjithashtu thotë se nuk është në ingerencë të MASH-it rregullimi i procesit mësimor nëpër shkollat fillore.
“Prej vitit 2005, arsimi është i decentralizuar, kështu që përgjegjëse për funksionimin e shkollave fillore, janë komunat”, shprehet Galevski. E në rast se prindërit do të sensibilizonin këtë problem, pra do të kërkonin nga Komuna e Butelit që të hapin paralele me mësim në gjuhën shqipe në ish-shkollën periferike “Kirili dhe Metodi” dhe “nëse komuna nuk merr në konsideratë kërkesën e prindërve, atëherë me siguri se do të kenë mbështetjen tonë”, shprehet zëdhënësi i MASH-it. Në komunën e Butelit, të paktën zyrtarisht nuk ka mbërritur deri tani asnjë kërkesë e tillë. Baki Alimi, këshilltar në këtë Komunë, thotë se është i gatshëm ta shtrojë këtë kërkesë në “seancën e parë të Këshillit Komunal të Komunës së Butelit, pasi të jetë bërë kërkesa nga ana e prindërve apo Bashkësia Lokale”. Mirëpo, pa kërkesë, sikurse nënvizon ai, nuk mund të bëjnë asgjë. Këshilltari Alimi, madje pohon se para dy-tre viteve, ishte ngritur një iniciativë e ngjashme për themelimin e një shkolle të re me mësim në gjuhën shqipe në objektin e ish-shkollës periferike “Kirli dhe Metodi” në lagjen e Vizbegut. Mirëpo iniciativa, thotë ai, “dështoi për shkak të drojës së disa prindërve se me hapjen e një shkollë shqipe në këtë objekt, do ta dëmtojë projektin për ndërtimin e një shkolle të re, për të cilën tanimë është siguruar vendi nga ana e Komunës”.
Objekti i ish-shkollës periferike ka një kapacitet për rreth 250 nxënës, ndërsa nevojat reale janë trefish më të mëdha në këtë lagje që shkon në rritje çdo vit e më shumë. Vizbegu po ndryshon edhe konfiguracionin etnik. Nga një lagje me pjesëmarrje të konsiderueshme të maqedonaseve, deri para vitit 2001, tani është kthyer në një lagje thuajse tërësisht shqiptare. Mirëpo, paralelisht me këtë proces nuk ka ecur rregullimi i nevojave arsimore të nxënësve që mësimin e zhvillojnë kryesisht në gjuhën shqipe. Paradoksi i Vizbegut është vështirë të thuhet se është një rastësi dhe pasojë e neglizhencës së prindërve, pasi do të dilte e tepërt nevoja e ekzistencës së institucioneve. /Laura PAPRANIKU/



