Sipas Rektorit të USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, hapja solemne e Seminarit të Albanologjisë do të bëhet më 20 shtator në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, në Tetovë, kurse punimet e tij do t’i zhvillojë prej 20 deri më 23 shtator në hapësirat e studimeve të disperzuara të USHT-së, në Shkup.
,,Meqë organizimi i kësaj ngjarje të rëndësishme të albanologjisë, këtë vit përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Këshilli organizativ i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, është përcaktuar që tema bosht e konferencës shkencore të jetë: “Çështja shqiptare para dhe pas shpalljes së Pavarësisë”
Seminari do t’i zhvillojë punimet në katër sesione shkencore, atë të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe etnokulturës.
Ky aktivitet shkencor, për studiuesit shqiptarë dhe të huaj ka për synim studimin dhe promovimin e vlerave kombëtare, dhe në këtë mënyrë, Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, po shndërrohet në promotor të kërkimit shkencor dhe një model i bashkëpunimit të mirëfilltë mes misionarëve të historiografisë, krijimtarisë artistike, gjuhësisë, shkencës dhe kulturës sonë”, tha në mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës,. Z. Muzafer Bislimi, i cili vite me radhë edhe vetë ka qenë pjesë e këtij seminari, theksoi se si i ka të njohura problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet seminari dhe për këtë arsye, siç tha, kanë vendosur komunikim me rektorin e USHT-së, dhe drejtorin e seminarit, për t’i kapërcyer këto sfida të lartpërmendura. “Në këtë mënyrë, bashkërisht arritëm që seminari i këtij viti, të financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë. Dhe me këtë rast, ju apeloj të konkurroni me projekte të tjera, më konkretisht me projektin për financimin e materialeve shkencore, apo akteve të Seminarit të Albanologjisë. Ministria e Kulturës e RM, mbetet e hapur për financimin e projekteve të ndryshme të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Ne si ministri, do të angazhohemi që nga viti i ardhshëm, ky seminar të hyjë në projektet vjetore për financim të përhershëm, nga mjetet buxhetore të ministrisë tonë”, tha Bislimi.
Sipas Prorektorit për arsim dhe shkencë të USHT-së, Doc. dr. Fehari Ramadani dhe njëherësh drejtor i Seminarit Ndërkombëtarë të Albanologjisë, në katër sesionet e Seminarit, atë të letërsisë, gjuhësisë, historisë dhe etnokulturës, janë ftuar të marrin pjesë profesorë, dhe studiues nga disa qendra universitare dhe akademike, si: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Evropës Juglindore, dhe një numër i konsiderueshëm i personalitete të huaja dhe të vendit, të dëshmuar në fushën e studimeve albanologjike”.
Ndërkohë, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. dr. Arbër Çeliku, theksoi se në kuadër të ndërkombëtarizimit të USHT-së, edhe Seminari i Albanologjisë ka rolin e tij shumë domethënës. “Unë si prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, bashkë me rektorin e USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ametin dhe drejtuesit tjerë të universitetit, kemi intensifikuar përpjekjet dhe angazhimet tona që në këtë ngjarje të madhe të albanologjisë, të marrin pjesë personalitete, të nivelit shkencor, që njihen në mbarë arenën ndërkombëtare”. Një nga këto emra që sipas prorektorit Çeliku, pritet të marrë pjesë është edhe albanologu i njohur, Robert Elsie, të cilit i është drejtuar edhe ftesë nga drejtoria e seminarit dhe tani pritet vetëm konfirmimi i tij. “Në këtë kuadër, do ta shfrytëzojmë edhe vizitën tonë që do të zhvillojmë së shpejti në Universitetin e Majnhajmit, që të vendosim kontakte të drejtpërdrejta edhe me studiues të tjerë ndërkombëtarë”, tha në fund, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtarë, Prof. dr. Arbër Çeliku.


