Kjo vërtetohet shumë thjeshtë në politikat arsimore, të cilat i ndjekë Ministria e Arsimit sa i takon planeve të investimeve në ndërtimin dhe rikonstruimin e objekteve shkollore. Në bazë të Programit për ndërtim dhe rikonstruimin e shkollave fillore në vitin 2013, i miratuar së fundmi nga Qeveria, del se nxënësit maqedonas janë në tepër në hall me mungesën e shkollave se sa shqiptarët. Në fakt, sikurse është e njohur botërisht, situata është krejt e kundërta. Madje, edhe ministrat e Arsimit, të gjithë, pa përjashtim kanë pranuar faktin se marrë në përgjithësi, nëpër shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe ka mungesë të madhe hapësirash. Mirëpo, asnjëherë deri tani, ky konstatim nuk është konvertuar drejtë nëpër planet që bën MASH-i për shpenzimin e buxhetit të investimeve kapitale. Jo shumë kohë më parë, sollëm të dhënat e Programit të investimeve për shkollat e mesme për vitin 2013 dhe ku rezultonte pjesa dërmuese e atij buxhetit, në masën prej rreth 70 për qind, shkonte për shkollat maqedonase.
E njëjta histori përsëritet edhe me Programin e investimeve për shkollat fillore në vitin 2013, ku gjithashtu - pjesa më e madhe e këtij buxheti shkon për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Konkretisht, për shkollat shqipe nuk është ndarë as gjysma e buxhetit, thua se ato funksionojnë në kushte më të mira se shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Nga 157.102.000 denarë sa është buxhetit për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore, për shkollat ku mësimi zhvillohet kryesisht në gjuhën shqipe janë ndarë 64.859.800 denarë apo 41 për qind. Shkollat maqedonase janë më shumë edhe si numër. Në listën e 12 shkollave fillore që kanë hyrë sivjet në planin e investimeve kapitale, shtatë janë maqedonase dhe pesë shqiptare, kurse të para veç e veç janë përsëri shkollat maqedonase ato që kanë thithur shumën më të lartë të buxhetit. Kryeson në këtë këndvështrim një shkollë e re fillore që do të ndërtohet në Komunën e Aerodromit dhe për të cilën janë ndarë 32 milionë denarë, e pasuar nga SHF “Vëllezërit Ramiz” të Komunë së Shutkës, për të cilën janë ndarë 30 milionë denarë. Këtu, gjithashtu mësohet në gjuhën maqedonase, ndërsa për SHF “26 korriku” të po kësaj komune dhe ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, janë ndarë 17.000.000 denarë. Për më tepër, në këtë shkollë mësimi zhvillohet në katër ndërrime, respektivisht me dy ndërrime të rregullta dhe dy të ndërmjetme. Zgjerimi i hapësirave me 17.000.000 denarë (rreth 28 mijë euro) që janë ndarë në programin e këtij viti vetëm se do të zbutën problemin e mungesës së hapësirave, që në 10 vitet e fundit është tejet alarmante. Në këtë komunë, ka të paktën tre vite që kërkohet të ndërtohet një shkollë e re fillore në lagjen Vizbeg, e cila është e populluar me shqiptarë. Në rast të ndërtimit të një shkollë për banorët e Vizbegut, do ti afrohej normalitetit edhe puna në SHF “26 Korriku”.
Pra, në kapacitete hapësinore për 800 nxënës nuk do të mësonin më 2.158, sa numërohen aktualisht. 16.000.000 denarë janë ndarë për vazhdimin e punimeve të shkollës “Kongresi i Manastirit” në Çair të Shkupit, 8.859.800 denarë janë ndarë për zgjerimin e hapësirave të shkollës fillore “Skënderbeu” në Haraçinë të Shkupit, ku mësimi zhvillohet gjithashtu me tre ndërrime, ndërsa prej shkollave ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, më shumë buxhet është ndarë për shkollën periferike “Sabedin Bajrami” në fshatin Siniçan të Komunës së Bogovinës - edhe atë 21.000.000 denarë. Për dy shkollat periferike “Pasho Vasa” në Merovë dhe Novosellë, të Komunës së Zhelinës, janë ndarë nga 1 milion denarë. Në detaje të programit të investimeve kapitale, mund të vërehen edhe pabarazi të tjera. Kështu për shembull, nëse vlera totale e një shkolle të re në Komunën e Aerodromit është 130.000.000 denarë, kjo vlerë është 25 milionë denarë më e ulët për një shkollë të re në Komunën e Çairit. /koha/


