Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, kjo problematikë mund të shikohet si në këndin subjektiv ashtu edhe në atë objektiv, ku fajin e ka mungesa e përkrahjes institucionale dhe mungesa e investitorëve. Ekonomistët thonë se pa kapital nuk mund të zhvillohet biznesi, duke aluduar në përjashtimin e shqiptarëve nga procesi i privatizimit. Ndër kritikat e shpeshta në 20 vitet e kaluara ndaj subjekteve politike shqiptare është edhe fakti se nuk kanë kontribuar për hyrjes e kapitalit shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria, apo edhe përzierja e kapitalit me pronarë shqiptarë të këtueshëm. Për ekspertët e ekonomisë faktorë për këtë gjendje është edhe mungesa e kapaciteteve të mëdha prodhuese në Maqedoninë veriperëndimore, si pasojë e mungesës së investimeve në këtë zonë.
Eksperti ekonomik, Sami Bislimi, thoë se biznesi shqiptar nuk ekziston në Maqedoni, por ekzistojnë vetëm numerikisht firma të regjistruara nga shqiptarët me vëllim tejet të vogël të punës. "Vetëm disa firma janë të nivelit rajonal, por për nga niveli dhe puna që bëjnë, ato janë të vogla, edhe atë jo nga fakti se shqiptarët nuk dijnë të bëjnë biznes, por nuk i kanë patur kushtet më të mira për një gjë të tillë. Duhet thënë se kur u transformua kapitali shtetëror, ai tërësisht i takoi palës tjetër, ndërsa pa kapital s'ka biznes. Atëherë ishte momenti kur kishte tjera rregulla, ndërsa tani ka tjera rregulla dhe principe që respektohen", thotë eksperti eknomik Sami Bislimi, duke theksuar se për një biznes të sukseshëm nevojitet si resurset materiale ashtu edhe kapitali njerëzor. Ekspertët ekonomik kritikojnë edhe qasjen e shtetit ndaj investitorëve shqiptar, sidomos nga diaspora. Sipas tyre, me përkrahjen që ofrohet këtu në biznes, shteti për dikë është njerkë e për dikë nënë. "Këtu për disa ka përkrahje për biznes dhe për të tjerë mungon përkrahja më e madhe për investime. Nëse do të kishin më shumë shembuj pozitiv të investimit të mërgimtarëve dhe të kishte një hapësirë dhe mundësi më të madhe, do të ishte më mirë për të gjithë dhe Maqedonia nuk do të ishte aty ku është", thotë eksperti ekonomik Bilall Kasami.
"Kur flasim për zhvillimin e bizneseve shqiptare, duhet thënë se edhe në Maqedoni ka firma të mëdha dhe të sukseshme siç janë Renova apo Vezë Sharri, që kanë patur relacione me perëndimin dhe kanë ndikim të madh edhe tek mërgimtarët. Përderisa kemi 2-3 shembuj pozitiv të mërgimtarëve që janë kthyer, kemi edhe me qindra shembuj negativ të mërgimtarëve që u kthehen investimeve në vendet perëndimore", thekson ai. Pronari i kompanisë "Vezë Sharri", Arben Abdyrahimi, thotë se mungojnë edhe iniciativat nga ana e njerzëve dhe garancitë për investime. "Njerëzve duhet tu jepet edhe garanci dhe vullnet për punë dhe investime. Duhet të hiqen prej mendjes se në Maqedoni çdo gjë është zi. Kjo nuk është e vërtetë. Ne aktualisht nuk kemi probleme me qeverinë apo partitë në punën tonë, por faji është edhe i shqiptarëve, pasi ka një bindje se ne nuk na lejojnë, se ne nuk mundemi diçka të krijojmë, por kjo varet nga biznesi. Edhe unë kam probleme, por vetëm me konkurrencën, dhe jo me shtetin", vlerëson drejtori i kompanisë prodhuese "Vezë Sharri", Arben Abdyrahimi, i cili u kthye nga Perëndimi para disa viteve për të investuar vendlindje. "Unë kur vendosa të blejë tokën në fshatin tim, në Trebosh, për ndërtimin e fabrikës, në pozitë zëvendësministri ishte një zyrtar nga fshati im dhe shkova për konsulltim te ai, ta pyes se a do të ketë probleme apo jo. Por, ai më siguroi dhe ma dha fjalën, kurse më pas edhe e bleva tokën. Fjala e tij ma lehtësoi punën dhe kështu duhet t'u ndihmohet edhe fizikisht afaristëve për investime që ata ta dinë se ka dikush që u del në krah", thotë Arben Abdyrahmani.
(F.P./KOHA)