MER05222013

Perditesimi i fundit09:56:32 MD

Back Biznes Biznes Mundësi për 7 mijë punësime në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë?

Mundësi për 7 mijë punësime në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë?

Zona e lirë ekonomike e Tetovës bëhet realitet. Ajo nuk mbeti një dëshirë e shkretë dhe kësisoj u mbylli gojën skeptikëve. Gjithë ai promovim propagandistik i zonës pati efektin më të mirë të mundshëm dhe atë e çoi deri në fund i pari i dikasterit të Ekonomisë Valon Saraçini. 

Nisi në mandatin e ish ministrit dhe bashkëpartiakut Fatmir Besimi për t’ia vënë vulën mu Valoni. Hyrja e kompanive të huaja prestigjioze në zonën e lirë industriale në Tetovë, madje do të sjellë përfitime të mëdha në aspektin ekonomik për rajonin e Pollogut. 

Këtë më të qartë na e bëri kompania norvegjeze “NORMAK Investmen Grup” e cila tanimë hyn si pretendent kryesor për Zonën e Tetovës e që pas vetes ka 7 mijë punësime. 

Ardhja e firmave të huaja në Tetovë është padyshim lajm i mirë edhe për studentët e të dyja universiteteve në Tetovë pasi që në të ardhmen do të krijohen shumë mundësi që kompanitë të krijojnë kuadro të duhur për veprimtarinë e tyre. Madje, çdo kompani e huaj që fillon me punë në këtë zonë, pas vetes do të tërheq edhe shumë kompani tjera që janë të interesuara për investime. 

 

Kompani serioze me përvojë të madhe 

Ditë më parë në hapësirat e Drejtorisë për zona zhvillimore teknologjike-industriale, për dorëzimin e ofertave për fazën e dytë të Thirrjes së kufizuar për ZZHTI Tetovë, ofertë ka paraqitur kompania "Normak Investment Group", e cila është një konsorcium i përbërë prej dy kompanive shtetërore dhe tre kompanive private norvegjeze. Ministri e Ekonomisë Valon Saraçini shprehu kënaqësinë e tij që u finalizua një proces i gjatë dhe kompleks. 

"Sipas të gjitha procedurave ligjore, Komisioni i tenderimit e hapi dhe e shqyrtoi ofertën e paraqitur, me ç’ rast ka konstatuar se oferta është e vlefshme, e plotë dhe e saktë, dhe është në përputhje me dokumentacionin e tenderit", tha ministri Saraçini. Vlerësimi i ofertës nga ana e Komisionit është bërë, dhe hapi tjetër është që Këshilli drejtues i DZZHTI zyrtarisht të miraton vendimin për zgjedhjen e ofertuesit më të mirë. 

Ministri Saraçini shpjegoi se, duke pasur parasysh faktin se zgjedhjet lokale janë shpallur tashmë, komisioni zyrtarisht do t'i drejtohet Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, për të marrë një përgjigje nëse vendimi mund të bëhet në ditët e ardhshme apo miratimi formal i vendimit do të bëhet pas zgjedhjeve lokale. 

"Sigurisht që ne do të përmbushim të gjitha detyrimet ligjore, por në këtë fazë ne mendojmë se më e rëndësishme është të theksohet se oferta e paraqitur është e saktë e vlefshme dhe e pranueshme. Për mua kjo është veçanërisht e rëndësishme që në tenderin për Zonën e Tetovës kemi një kompani serioze, me përvojë të madhe në këtë lloj aktiviteti me më shumë se 100 projekte të tilla të zbatuara, kompani që duke menaxhuar këtë zonë do të kontribuojnë në zhvillimin e tërë rajonit të Pollogut”, tha ministri i Ekonomisë, Saraçini. 

Sipas tij, krahas investimit në infrastrukturë, ndërtimit të fabrikave dhe objekteve industriale ekologjike dhe hapjes të shumë vendeve të reja të punës, zhvillimi i Zonës në Tetovë do të mundësojë hyrjen e teknologjive të reja, por do të krijojë edhe mundësi për bashkëpunim me ndërmarrjet, veçanërisht me ato ndërmarrje që punojnë në këtë rajon. 

Dinamika e ndërtimit të Zonës ekonomike në Tetovë, dhe funksionimi i saj si zonë e parë që do të menaxhohet në bazë të parimit të partneritetit publiko-privat në një periudhë prej 96 vitesh, do të varet nga plani i biznesit të partnerit privat, i cili pritet të paraqitet dhe elaborohet nga ana e investuesit gjatë  periudhës së ardhshme. 

Sa i përket kritereve për vlerësimin e dokumenteve të tenderit, 70 për qind e pikave fitohen nga sasia e investimeve gjatë pesë viteve të ardhshme, 20 për qind  nga numri i vendeve të punës në pesë vitet e ardhshme dhe 10 për qind bëjnë pjesë në shumën e ofruar të tarifës së koncesionit dhe përvojës në menaxhimin me këto  lloj zonash. 

 

Shans për ringjalljen e Pollogut 

Ekspertë ekonomik thonë se kjo zonë e lirë industriale i ka kaluar të gjitha parametrat dhe të gjitha kriteret për t’u aktivizuar, por ja që më në fund është një lajm i mirë se do të fillohet diçka të lëvizë në drejtim pozitiv. “Ka fjalë të mira për kompaninë në fjalë se ka mjaft përvojë në këtë drejtim. Në qoftë se ajo vërtetë është ashtu, atëherë shpresoj se do të jetë pozitive, mirëpo asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt në këtë drejtim. 

Andaj, presim që më në fund edhe kjo Zonë e lirë do të mund të aktivizohet kurse në anën tjetër kjo do të jetë një kthesë e madhe për ekonominë e vendit në përgjithësi e sidomos për rajonin e Pollogut ku papunësia është mjaft e madhe, kurse edhe ekonomia e kësaj treve është jashtëzakonisht e varfër kohëve të fundit”, thotë për “Zhurnal plus”, eksperti ekonomik Nasir Selimi.

Lidhur me disa paralajmërime se në këtë Zonë të lirë industriale do të punësohen rreth 7 mijë persona qysh në fazën e parë Selimi thotë se kjo një numër kaq ambicioz i punësimeve nuk do të mund të bëhet menjëherë. Ai thotë se mirë është që të fillohet të punohet pa marrë parasysh shifrat. 

“Ato shifra janë serioze dhe ambicioze për punësim. Megjithatë do të ishte mirë sikur të fillohet sa më shpejtë që të ketë punësime. Nuk besoj se qysh në fillim do të jetë aq i madh numri i vendeve të reja të punës. Por, në qoftë se kompania është serioze ashtu siç flitet atëherë me siguri përfitimet do të jenë të mëdha, sidomos në zbutjen e papunësisë në këtë rajon”, thekson Selimi. 

Ndërkohë, Gadaf Rexhepi, profesor universitar dhe ekspert në fushën e menaxhmentit strategjik vlerëson se çdo hyrje e një kompanie të huaj në këtë zonë tërheq pas vete edhe kompani tjera nga jashtë. Kjo sipas, tij do të sjellë përfitime të mëdha për qytetin e Tetovës dhe rrethinën e saj ndërsa do të krijojë kushte të mira edhe për bashkëpunimin midis kompanive dhe studentëve të të dyja universiteteve në Tetovë. 

Sipas tij, kryesorja është që të fillojë të punojë ajo Zonë e lirë që të krijohet infrastruktura e duhur për investime tjera. “Kompania e parë që vjen është sinjal për shtetin që të krijojë infrastrukturën e duhur. Ajo gjithsesi se do të japë sinjale për kompanitë tjera që të vijnë në Maqedoni. Me investime të tilla do të kemi sigurisht mjaft të punësuar ndërsa kur kihet parasysh se në Tetovë kemi dy universitete kjo do të mundësojë inkuadrimin e studentëve, do t’u mundësojë atyre punë praktike, do t’i punësojë ata. 

Pra, këto kompani do të bashkëpunojnë me universitetet për të krijuar kuadro të duhur për këto kompani”, deklaroi profesori universitar Gadaf Rexhepi. Ai pret që në të ardhmen të shtohet numri i kompanive të huaja në zonën e lirë industriale që dukshëm do të krijojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe me atë uljen e papunësisë në këtë rajon të banuar me popullatë shqiptare. 

 

Infrastruktura në zonën industriale 

Drejtori i Agjencisë për investime të huaja dhe promovim të eksportit të Maqedonisë, Visar Fida ka thënë se finalizimi i procedurës së tenderit për Zonën në Tetovë është i një rëndësie të veçantë, sidomos kur kemi kompani të huaja të interesuara, që do të bartin një pjesë të kapacitetit të tyre  pikërisht në Zonën në Tetovë dhe kjo paraqet edhe një sinjal pozitiv dhe një hap më afër për realizimin e planeve të tyre të biznesit. 

Nga Odën ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thonë se ende është herët të thuhet se çfarë projektesh do të realizohen, por pritet në zonë të vijnë kompani të huaja të mëdha prodhuese. Të paktën duhet pritur një vit për fillimin e investimit konkret pasi që aktivitetet e parapara rreth përgatitjeve do të zgjasin. 

"Ende është herët që të kumtohen detaje dhe në cilin drejtim do të zhvillohet zona industriale, por është e sigurt se këtu do të vijnë kompani të mëdha nga jashtë të cilat merren me prodhimtari. Ne tanimë po bashkëpunojmë me një pjesë të madhe prej tyre dhe e dimë se do të kërkojnë kushte të mira. 

Ata e shohin Maqedoninë si vend i cili mund t'ua ofrojë atë", theksoi Erik Vel Vatme nga 'Inovacione' - Norvegji, kompani shtetërore e cila realizon bashkëpunim me sektorin privat. Përfaqësuesit nga NORMAK shprehën bindje se angazhimet e Qeverisë së Maqedonisë për krijimin e biznes klimës së volitshme do t'i rrisin investimet e huaja. Ata ju bënë thirrje anëtarëve të tyre të vijnë në Maqedoni.

Në zonën industriale në Tetovë menjëherë do të fillojnë përgatitjet në pjesën e infrastrukturës me ç'rast, paralajmëruan nga kompania norvegjeze, do të pasojë nënshkrimi i marrëveshjeve me investuesit e interesuar, shqyrtimin e biznes-planeve të tyre dhe sigurimin e lejeve të nevojshme për ndërtim. 

"Maqedonia dhe Norvegjia kanë shumë gjëra të përbashkëta, të dyja janë shtete relativisht të vogla në të cilat sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë bazë e ekonomisë", theksoi Vel Vatme. "Inovacioni"-Norvegji ka përfaqësi në mbi 30 vende. Maqedonia është zgjedhur midis demokracive të reja për shkak, siç u potencua, kushteve të volitshme për biznes. /zhurnal/




Lajmet e funditTë rëndomta