MAR06182013

Perditesimi i fundit09:50:18 MD

Back Biznes Biznes Pesëmijë kompani të bllokuara në vit

Pesëmijë kompani të bllokuara në vit

Numri i kompanive me xhirollogari të bllokuara vjen e rritet. Raporti i fundit i Bankës Popullore flet se në periudhën prej një viti është rritur për 5 mijë numri i kompanive, xhirollogaritë e të cilave janë bllokuar nga institucionet e shtetit për shkak të mosshlyerjes së obligimeve.

Nëse në janar të vitit të kaluar, ishin regjistruar 64.102 deponentë të bllokuar, në fund të dhjetorit ky numër ka kaluar në 69.700 syresh.

Statistika e BPM-së tregon qartë se problemet financiare dhe pamundësia që t’i paguajnë në kohë obligimet e tyre, janë shkaku kryesor që kompanitë por dhe qytetarët ndeshen me bllokimin e llogarive të tyre. Sipas të dhënave, në dhjetor të vitit të kaluar ka pasur gjithsej 3 milionë e 516 mijë e 857 xhirollogari të hapura, nga të cilat 145 mijë e 350 ishin bllokuar, përfshi këtu edhe ato të personave fizikë. 

Ekspertët e ekonomisë thonë se pjesa më e madhe e xhirollogarive janë të bllokuara me vite të tëra, por ata nuk përjashtojnë mundësinë që ky numër të jetë i lartë edhe falë kompanive “fantome”, të cilat janë regjistruar por nuk funksionojnë. 

Për ekspertët, njëra nga arsyet kryesore të rritjes së vazhdueshme të xhirollogarive të bllokuara, është jolikuiditeti i kompanive, që sipas tyre është problemi më i madh me të cilin ballafaqohen kompanitë në Maqedoni. 

“Problemi i xhirollogarive lind si pasojë e humbjes së aftësisë së likuiditetit të subjektit ekonomik, i cili për shkak të kapacitetit të vogël apo kushteve të vogla për afarizëm vjen në një situatë që s’mund t’i kryejë obligimet e tij qoftë ndaj kreditorëve apo komitentëve të tyre. Kur obligimet i kemi të papaguara, skadon afati i pagesës dhe për shkak të pamundësisë për të paguar në kohë apo për të marrë kredi të tjera nga institucionet bankare, vjen deri te bllokimi i xhirollogarisë së subjektit ekonomik”, thotë ekonomisti Sami Bislimi.

Do të ishte krejtësisht normale, thotë ekonomisti, sikur shteti të kish krijuar kushtet e volitshme për afarizëm, mirëpo sipas tij, këto kushte çdo ditë e më tepër vështirësohen.

“Nga ana tjetër, rregullimi i rrjedhave ekonomike duhet të jetë në suaza të kompetencave të pushtetit ekzekutiv për të krijuar kushte të volitshme për afarizëm, ndërsa kjo për momentin nuk po bëhet dhe tani ballafaqohemi me pasojat. Pasojat janë rritja e numrit të xhirollogarive të bllokuara të subjekteve ekonomike, por kur subjektet ekonomike kanë probleme atëherë kanë probleme edhe qytetarët që nuk mund të shlyejnë obligimet e tyre kreditore”, vlerëson Bislimi. 

Nga Lidhja e Odës Ekonomike theksojnë se përveç jolikuiditetit të subjekteve ekonomike mbi rritjen e numrit të xhirollogarive të bllokuara, ka ndikuar edhe ligji aktual për falimentim. 

“Ne një kohë më të gjatë potencojmë se problemi më i madh i kompanive është jolikuiditeti i tyre. Ekonomia në Maqedoni tashmë shumë vite është jolikuide dhe si pasojë e kësaj, shumë firma kanë xhirollogari të bllokuara. Është fakt që ekzistojnë arsye të ndryshme për bllokimin e xhirollogarive dhe kjo gjendje shpie në probleme të shumta. Si për shembull, njëra nga arsyet e bllokimit të xhirollogarive ishte ligji jo i qartë për falimentim, me çka firma që bie në procedurë falimentuese është edhe jolikuiduese”, thotë zëvendëskryetar i LOE-s, Mirçe Çekrexhi.

Sipas tij,  ekzistojnë disa mënyrë për të përmirësuar likuiditetin e kompanive dhe si rrjedhojë edhe shlyerjen e obligimeve financiare.

“Mendojmë se ka pak të holla në qarkullim dhe që duhet të rritet vëllimi i tyre që të ketë më shumë të holla për shlyerjen e obligimeve. Gjithashtu është e domosdoshme të sillen rregulla me të cilat do të përcaktohet saktësisht procedura e pagesës ndërmjet kompanive, respektivisht do të definohet disiplina për shlyerjen e obligimeve reciproke. Nëse aplikohen këto procedura, mundësia që të përmirësohet likuiditeti ndërmjet kompanive është shumë e madhe, ndërsa me të dhe të zvogëlohet nevoja e bllokimit reciprok të xhirollogarive”, përfundon Çekrexhi. 

Në Maqedoni asnjë institucion shtetëror nuk disponon me informatat e sakta për arsyet mbi bllokimin e xhirollogarive. Xhirollogaritë mund t’i bllokojë Drejtoria e të Hyrave Publike, nga ku deklarojnë se bllokimi i xhirollogarisë pason më së shpeshti në rastet kur nuk paguhet paga bruto.

/zhurnal/



Lajmet e funditTë rëndomta