Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia për Punësim, tregojnë se numri i të papunëve të regjionin e Gostivarit është 11.459, ndërsa në muajin e njëjtë të vitit 2008 numri i të papunëve ka qenë 16.556. Brenda pesë viteve, ky numër është reduktuar për 5.097 persona. Tendenca e zvogëlimit të numrit të të papunëve evidente është gjatë vitit të fundit. Derisa në maj të vitit 2011 numri i qytetarëve të papunë ka qenë 16.983, maj i vitit 2012 është përmbyllur me 11.459, duke e zvogëluar atë për 5.524 persona. Por zvogëlimi drastik i numrit të personave të evidentuar zyrtarisht si të papunë, për ekspertët e ekonomisë nuk paraqet ndonjë indikatorë real në zhvillimin e ekonomisë së vendit, madje e përkufizojnë si zvogëlim fiktiv i numrit të personave të papunë.
Zvogëlohet numri i të papunëve por në terren nuk shihen punësime, kjo tregon se tentativa qeveritare për të ulë me çdo kusht numrin e të papunëve, nuk është gjë tjetër veçse një farsë për të dal pastaj në kampanjë parazgjedhore me raporte se në Maqedoni është zvogëluar numri i të papunëve, e që në fakt nuk ka ndonjë efekt në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo tentativë, sipas tyre, s’është gjë tjetër veçse një fasadë që tashmë është e njohur në politikat ekonomike të qeverisë. Promocion po por jo edhe rezultate konkrete. Latif Sejdini, ekonomist, nënvizon që largimi masiv i të papunëve nga listat e Agjencisë për Punësim, veçse vështirëson statusin sociale dhe ekonomik të tyre, pasi sërish do të duhet të bëjnë harxhime plotësuese për kompletimin e dokumenteve. Sipas tij, ligji garanton sigurim shëndetësor për çdo qytetar të vendit, kështu që zvogëlimi i numrit të personave të papunë në këtë mënyrë është relative, dhe se personat e njëjtë sërish do tu kthehen dyerve të Agjencisë për Punësim.
“Këto tregues statistikor, në fakt nuk prodhojnë asnjë efekt konkret, domethënë as se risin as se zvogëlojnë buxhetin e shtetit dhe në përgjithësi situatën reale ekonomike në vend. Është thjeshtë një lojë me numra që fatkeqësisht prek gjepin edhe ashtu të zbrazur të qytetarit, i cili duhet të rifillon procedurën e regjistrimit nga fillimi. Pasi që dihet se ligji i mundëson çdo qytetari sigurimin shëndetësor. Jemi okular të përditshëm që gjerat nuk lëvizin nga vendi, kur flitet për situatën ekonomike, e në anën tjetër pretendohet se është duke u zvogëluar numri i personave të papunë. Azhurnimi i tillë i listave të të papunëve, është artificial dhe fiktiv gjë që nuk kontribuon në përmirësimin e pasqyrës ekonomike të vendit, që siç mund të shihet nuk është aspak e lakmueshme”, vë në dukje Latif Sejdini ekonomist i diplomuar.
Zvogëlimi drastik i numrit të të punëve, ndikoi nga transformimi i librezave shëndetësore në kartela elektronike gjatë vitit të kaluar, e që la jashtë listës së të papunëve një numër të konsiderueshëm të tyre. Reduktimi i numrit vërehet sidomos tek gjeneratat më të vjetra në moshën mbi 50 vjeçe. Sipas të dhënave nga Agjencia për Punësim në Gostivar, shumica e personave të moshuar janë përcaktuar që të gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të sigurimit shëndetësorë, duke hequr dorë vullnetarisht nga lista e personave që kërkojnë punë nga ana e shtetit. Bazuar në statistikat e Agjencisë për Punësim, Komuna e Gostivarit në të cilën evidentohen edhe Komunën e Vrapçishtit dhe Rostushës, radhitet si komuna e shtatë me radhë në Maqedoni, për nga numri i personave të evidentuar si të papunë.
Veçori e evidencave për personat e papunë në Agjencinë për Punësim në Gostivar, për muajin maj, është numri i të papunëve me titull magjistrature. Janë evidentuar gjithsej 12 persona, 9 nga të cilët të gjinisë femërore. Për muajin maj, nuk është evidentuar ndonjë person me titull doktor shkencash, si i papunë.
Papunësia në pesë vitet e kaluara
Maj, 2012 – 11.459 persona të papunë.
Maj, 2011 – 16.983 persona të papunë.
Maj, 2010 – 16.585 persona të papunë.
Maj, 2009 – 16.229 persona të papunë.
Maj, 2008 – 16.556 persona të papunë.


