Gjatë fundjavës, u promovua rregullimi i trotuareve, sipërfaqeve publike dhe rrugicave në lagjen Maleardi, rregullimi me pllaka bekatoni i disa rrugicave në lagjen “Lajthia”, si dhe asfaltimi i rrugës malore në fshatin Reçan.
“E asfaltuam një segment të kësaj rruge, meqë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo rrugë për ju të nderuar banorë të fshatit Reçan. Ju premtoj se në mandatin e ardhshëm do ta realizojmë asfaltimin edhe të segmentit të mbetur dhe kështu fshati do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me magjistralen Gostivar-Kërçovë. Synimi ynë është që kjo rrugë të nxisë zhvillimin rural dhe të ringjallë jetën në fshatin tuaj”, u tha reçanasve të pranishëm kryetari Osmani.
Vlen të theksohet se segmenti që u asfaltua është rreth 800m i gjatë dhe 3m i gjerë, ndërsa kostoja e investimit kap shifrën prej 40.000 euro.
Në lagjen “Maleardi” u promovuan rregullimi i trotuareve me pllaka bekatoni në bulevardin “Vëllezërit Gjinoski” prej rrethrrotullimit deri te hyrja e qytetit, rregullimi i trotuareve dhe sipërfaqeve publike, rrugicave anësore, si dhe rregullimi hortikulturor.
“Është ky një ndër investimet më kapitale të realizuara në fazën e dytë të Programit investiv për infrastrukturë të Komunës së Gostivarit për vitin 2012. Investimet në këtë pjesë përveç peshës financiare, kanë rëndësi të veçantë sepse në bllokun e ndërtesave dhe shtëpitë përreth jeton një numër i madh i qytetarëve edhe atë me përkatësi të përzier etnike. Tani kjo pjesë e qytetit, u shndërrua në një lagje elitare me infrastrukturë të kompletuar”, potencoi Osmani.
Kostoja e përgjithshme e investimeve në mandatin e shkuar, për zgjerimin e bulevardit, rregullimin e trotuareve dhe gjelbërimit si dhe sanimi i ndriçimit publik, arrijnë koston prej rreth 500 mijë eurosh, mjete këto të siguruara nga buxheti komunal.
Përurimi i radhës ishte në lagjen Lajthia, e cila edhe pse e formuar prej dekadash, i ka munguar infrastruktura e nevojshme. Në pjesën më të margjinalizuar të kësaj lagjeje, në fund të vitit që lamë pas, u rregullua me pllaka bekatoni një sipërfaqe e përgjithshme rrugësh prej 2000 m2, për çka Komuna e Gostivarit nga buxheti i saj ndau mbi 30 mijë euro. (INA)


