Ndryshe nga seancat e tjera dëgjimore, Jakim Trifunovski ka ndryshuar totalisht deklaratën e tij sot, duke i dhënë asaj një kah tjetër. Ai deklaroi para trupit gjykues se vrasja e dy të rinjve ka ardhur si pasojë e gjoja rrëmbimit të një studenti shqiptar në Çeki, rast në të cilin kanë ndërmjetësuar edhe policë për lirimin e tij. Për këtë arsye, sipas të akuzuarit, vrasja ka qenë skenar i thurur dhe ai nuk e ka kryer atë me paramendim. Megjithatë trupi gjykues këtë deklarim nuk e mori parasysh për shkak se për këtë teori të re nuk ka fakte. Me prononcimet e tyre dolën edhe hetuesit të cilët kanë dhënë disa fakte se si ka ndodhur vrasja.
Por prononcimin e hetuesit Zlatko Suliç e ka kundërshtuar avokati mbrojtës i viktimave Vullnet Paçuku, i cili tha se deklarata nuk ka konfirmime precize. Madje, avokati Paçuku vuri në dyshim edhe profesionalizmin e tij sepse deklarata është e dyanshme, dhe ndihmon vrasësin në aktin e tij. Seanca e sotme dëgjimore është shënuar si rifillim i gjykimi për shkak se kanë kaluar më shumë se 60 ditë nga seanca e parë dëgjimore. Më 28 shkurt të vitit të kaluar, polici Jakim Trifunovski ekzekutoi me armën zyrtare dy shqiptarë në qytetin e Gostivarit, Besnik Shehapin dhe Imran Mehmedin


