Bazuar në rregullat ligjore, prokurori i lëndës obligohet që në një afat prej 30 ditësh të shpall aktakuzën ndaj të pandehurit
Gostivar, 1 gusht - Procesi gjyqësor kundër efektivit të policisë Jakim Trifunovski, më së voni do të fillojë brenda muajit gusht. Gjykatësja hetuese e lëndës, Violeta Nofitoska njoftoi se lënda është dorëzuar në Prokurorinë Publike në Gostivar, nga ku pritet dhe të shpallet aktakuza ndaj tij dhe lënda të bartet në gjykatë. "Hetimet rreth rastit në fjalë u mbyllën, dhe lënda është dorëzuar në prokurorinë publike", njoftoi gjykatësja Nofitoska. "Bazuar në rregullat ligjore, prokurori i lëndës nga prokuroria publike obligohet që në një afat prej 30 ditësh të shpall aktakuzën ndaj të pandehurit. Pra si proces duhet të mbyllet brenda një muaji", sqaron procedurën ligjore avokati Sejfulla Osmani. Ndërkohë, familjarët e viktimave shprehen të painformuar për vijimin e procesit gjyqësor kundër vrasësit të dyfishtë. Aqif Shehapi, axha i të ndjerit Besnik Shehapi, thotë se zyrtarisht nuk kanë marrë ndonjë informatë se deri ku ka arritur procedura. "Për momentin, nuk kemi ndonjë informatë zyrtare se deri ku ka arritur çështja. Për herë të fundit na kanë thirrë në gjyq në seancën dëgjimore, e cila u zhvilluar në kuadër të hetimeve për procesin gjyqësor ndaj autorit të krimit", theksoi Shehapi. I pranishëm në seancën dëgjimore ishte edhe avokati Vullnet Paçuku, i cili do të mbrojë palët e dëmtuara në procesin gjyqësor kundër efektivit të policisë, Jakim Trufunovski. Ky i fundit, ka insistuar që kundër të pandehurit të kërkohet dënim maksimal dhe dëmshpërblim që u takon familjarëve të viktimave në raste të tilla.
"Ishte seancë dëgjimore mes hetimesh. Kërkuam që dënimi të jetë maksimal bazuar në predispozitat e ligjeve ekzistuese. Po ashtu, kërkuam që të bëhet edhe dëmshpërblim për familjarët e dy viktimave", tha avokati Paçuku...Gjashtë muaj pas vrasjes së dyfishtë nga efektivi i policisë, familjarët e viktimave thonë se u përgënjeshtruan të gjitha zërat për kinse ndonjë hakmarrje eventuale ndaj të afërtve të policit vrarës. Familjarët e viktimave vazhdon të jenë në pritje të procesit gjyqësor kundër dorasit që kreu vrasjen e 30 vjeçarit Imran Mehdia si dhe 26 vjeçarit, Besnik Shehapi. (Driton Zenku/KOHA)


