Deri se konsumatorët ankohen se çmimet produkteve ushqimore dhe prodhimeve bujqësore kanë pësuar rritje të çmimeve prej 20 deri në 50 për qind, tregtarët këtë arsyetojnë me faktin se me çmimin e ri të rrymës si dhe karburanteve u dyfishohet fatura e energjisë elektrike si dhe transporti për t'i sjellë prodhimet e tyre deri në treg.
"Nuk kemi çka të bëjmë. Patjetër e kemi t'i rrisim çmimet për shkak se specat dhe domatet i blej në Strumicë dhe për shkak të rritjes se çmimit të naftës unë tani harxhojë deri më 500 denarë më shumë krahasuar me ata një jave më parë. Po ashtu për shkak të inspektimeve të shpeshta, prodhimet e qumështit dhe mishit duhet t'i mbajmë në frigorifer dhe më heqjen e tarifës së lirë prej orës 13 deri 16 harxhojmë dy herë rrymë më shumë kështu që jemi të detyruar të rrisim dhe çmimin e këtyre produkteve", thotë njëri nga pronarët e dyqaneve që i kanë brenda tregut të Bit Pazarit.
Në anën tjetër, një blerës të cilin e pyetëm derisa po bënte pazarin e ditës u shpreh se një javë më parë me 500 denarë blinte prodhime të qumështit apo speca, domate dhe krastavecë, tani për të blerë të njëjtat produkte, ai paguan mbi 800 denarë. "Jo më shumë se një javë më parë me 500 denarë mund të bëja pazarin dhe për tre ditë t'i kem këto produkte. Ndërkaq tani me një mijë denar në xhep u futa në market dhe bleva të njëjtat produkte, siç i blija zakonisht dhe kur në kasë i nxora 1000 denarë të paguaj, çuditërisht kasierja m'i ktheu vetëm 150 denarë. Nëse vazhdohet me rritjen e çmimeve, atëherë me rrogën që marrë do të më mjafton të bëjë pazari vetëm për dy javët e para", shprehet ai. Për të vërtetuar se sa është e saktë përllogaritja e këtij qytetari, në një fletë shënuam çmimet e mbi 40 produkteve të nevojshme për një familje brenda një muaji dhe në fund fituam një shumë totale prej 4950 denarë. Kjo shumë e fituar ka të bëjë për një kilogram mish viçi, mish pule, një kilogram djathë, apo në litër qumësht, një litër vaj, një litër lëng i gazuar apo i pemëve etj. Produktet të cilat kishin lëvizje të çmimit brenda kësaj jave ishin brumërat, kafeja, vaji, qumështi dhe prodhime e qumështit. Po ashtu ndryshime të çmimeve pati dhe te mishi dhe prodhimet e tjera të mishit.
Çmimi i qumështit është rritur për 3 denarë, 5 deri 10 denarë vaji, ndërsa lëvizja më të larta të çmimit pati mishi - deri në 60 denarë për kilogram. Në tregjet e gjelbra lëvizja më të mëdha të çmimeve pati për specat, domatet dhe kastravecë, edhe atë prej 20 për qind për specat dhe kastravecët, deri më 50 për qind për domatet. Nëse një javë më parë një kilogram speca mund të blihej për 30 denarë apo domatet për 30, tani një kilogram speca kushton 40 denarë dhe 50 denarë një kilogram domate. Nëse shumën e shportës mujore prej 4950 e përllogaritim me produkte vetëm prej një kilogram apo një litër (pothuaj asnjë produkt i paketuar nuk ka peshën e një kg apo një litre), atëherë shtrohet pyetja se sa do te kishte koston nëse listës prej 40 produkteve do t'i shtonim edhe nga një kilogram apo nga një litër më shumë. Atëherë me siguri se do të kishim një vlerë të shportës së konsumit prej 10 mijë denarë që do të ishte për 2000 denarë më e lartë se rroga minimale në Maqedoni apo 50 për qind e rrogës mesatare në Maqedoni.
Mirëpo kur këtyre harxhimeve ua shtojmë edhe faturat për energji elektrike, ujit dhe shërbimeve tjera komunale, të cilat arrijnë koston totale prej 6000 deri më 9000 denarë, atëherë një familje katër anëtarësh me një të punësuar do ta ketë shumë vështirë më një rroga mesatare prej 21 mijë denarë. Përveç qytetarëve dhe tregtarëve që thonë se rritja e çmimit të energjisë, nxehjes dhe karburanteve po rrisin harxhimet e shportës së konsumit deri më 50 për qind, të njëjtën gjë e justifikojnë edhe të dhënat e fundit të Entit të Statistikës, sipas të cilit për katër muajt e fundit kemi rritje të harxhimeve për 2.3 për qind për çdo muaj, ndërsa tani me rritjen e fundit të çmimit të rrymës dhe karburanteve, çmimet e prodhimeve ushqimore mund të pësojnë rritje deri në 3.6 për qind. (z.v./koha)


