SHT05182013

Perditesimi i fundit11:45:13 MD

Back Komuna Komuna Lojtarë lokalë për problemet lokale

Lojtarë lokalë për problemet lokale

  • PDF

 “Arnim” i rrugëve, gypave, kanalizimet, ujësjellësit, nga njëra anë, apo zhvillimi i ekonomisë, tërheqja e fondeve të huaja, mbase edhe çështjet kombëtare e ndërkombëtare, duhet të jenë prioritetet e “lojtarëve” të ardhshëm të garës lokale të 24 marsit.

Njohësit e problemeve të pushtetit lokal, apo edhe ish-ministra të Vetëqeverisjes lokale, japin mendime të ndryshme rreth prioriteteve të krerëve komunal. Sipas tyre, garuesit lokalë duhet të fokusohen në problemet vendore, të jenë njerëz që njohin mirë problematikat e kësaj fushe, por mbi të gjitha - të përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve në komunat me të cilat do të menaxhojnë.

 

Pa politikë madhore

Profesori Jonuz Abdullai është i mendimit se të ashtuquajturit kandidatë dhe “lojtarë” lokal në zgjedhjet e ardhshme lokale, “duhet të jenë të përqendruar në problemet lokale që e preokupojnë çdo qytetarë dhe assesi të jenë njerëz të cilët bëjnë politikë madhore dhe shtetërore, politikë gjithë kombëtare, ose politikë ndërkombëtare që japin sugjerimi madje drejt Ban Ki Munit se çfarë duhet ai të bëjë, ku duhet ai të veprojë, në Siri apo në ndonjë krizë tjetër botërore”. Abdullai thotë se garuesit lokalë duhet të përqendrohen në problemet që i kanë vendbanimet, në veçanti ato shqiptare. “Përveç problemeve infrastrukturore, shqiptarët janë të preokupuar me problemin e bukës, të vendit të punës, biznesit të vogël dhe sipas mendimit tim, të gjithë këta garues në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të përqendrohen në krijimin e një klime politike e cila do të ofrojë investitorë nga jashtë, të cilët do të jenë prezent në pjesët e Maqedonisë perëndimore, po pse jo edhe në atë Jug-perëndimore, në Kumanovë, Saraj, në pjesën e Shkupit, ajo Çairit, që është e lënë pas dore bashkë me Skënderbeun, pastaj në Tetovë, Gostivar, gjithsesi nga shkaku se qytetarët e Gostivarit e kanë kuptuar se me patriotizëm të rrejshëm nuk mundet të krijohet një klimë e mirëfilltë e investimit, një klimë ku biznesi do të lulëzojë”, thotë profesor Abdullai. Ai jep mesazhin se “çdo kryetar në garat e ardhshme duhet ta kuptojë se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve në komunën e tyre, e jo vetëm i asaj partie dhe jo të bëjë diferencime si në kohën e monizmit”.

 

Faktorët determinues

Ndërkaq, njëri nga ish-ministrat e Pushtetit Vendor, Xhevdet Nasufi, sqaron se në të gjitha vendet demokratike, determinuese për kandidaturat për kryetar, menaxhues të pushtetit vendor janë resurset, kapacitet individuale të individëve, gjë që nuk është te ne. “Këtu mjerisht determinues janë disa faktorë jashtë individit, jashtë kandidatit, qoftë ato partiak, farefisnor, miqësor, financiar, e kështu me radhë, të cilat e humbin vlerën e kandidatit të denjë. Unë jam shumë i vetëdijshëm se për të qenë një menaxhues i mirë i pushtetit vendor, në radhë të parë luajnë peshë kualitetet dhe resurset personale të kandidatit. Këto resurse, këto aftësi, këto vlera duhet të thirren nga ajo që një kandidat do ta menaxhoj mirë komunën, do ta menaxhojë mirë pushtetin vendor në kuptimin e zhvillimit ekonomik, sepse ky është një barometër, i cili ka peshë për jetën e çdo njeriu...”, thotë Nafusi. Ai më tej sqaron se çdo kandidatë domosdo në kushtet e Maqedonisë, nuk mund të injoronte vlerat e njëmenda kombëtare, për arsye se kemi një politikë e cila pushtetin vendor e ka ndërtuar si element për arritje të barazisë në Maqedoni midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Ne e kemi edhe në Marrëveshjen e Ohrit, por edhe para saj, kur isha unë si ministër i Pushtetit Vendor, kishin një orientim, që ta bëjmë federalizimin e Maqedonisë nëpërmjet pushtetit vendor. Këtë politikë nuk duhet ta harrojë çdo shqiptarë që është në ndonjë funksion sado ku do politik në Maqedoni dhe në veçanti - ata që janë dhe zgjedhen në pushtetin vendor”, thotë Nasufi. Ai nuk lë pa përmendur mes tjerash edhe faktin se kandidatët duhet të njohin mirë edhe legjislacionin, i cili përkujton se është shumë komplementar në Maqedoni.

 

Përgjegjësia e kandidatëve

Por, profesori Agni Aliu ka përshtypjen se sa i përket kandidatëve të ardhshëm për kryetar komunash, ata duhet të ndjehen shumë të përgjegjshëm lidhur me planet e punës në katërvjeçarin e ardhshëm. Ai përkujton se duhet pasur parasysh faktin që njësitet lokale janë vendi ku qytetarët sa më afër, në mënyrë të pavarur dhe me kosto sa më të ulët, t’i realizojnë interesat e tyre me karakter lokal.

Andaj, edhe thotë se për tu arritur një sukses lidhur me realizimin e këtyre interesave, duhet që së pari - kryetarët e komunave të bëjnë ekipe përkatëse, kabinet me ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët do t’ia lehtësojnë punën dhe do t’i japin mundësi që ti realizojnë planet e veta. “Përshtypjet janë se në Njësitet e vetëqeverisjes lokale, ekzistojnë sektorë të veçantë që duhet mbuluar me persona profesionalisht të përgatitur”, thotë ai. Aliu më tej shton se vëmendje të posaçme duhet kushtuar çështjeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes lokale për t’u realizuar projektet, të cilat ata mund t’i kenë pas parasysh. “Në qoftë se kjo mbetet vetëm në letër, ato nuk mundet t’i realizojnë”, shprehet ai. Profesori përkujton këtu edhe në bashkëpunimin në sektorët brenda njësive të vetëqeverisjes lokale, të njësive lokale brenda shtetit, me organet e pushtetit qendror, por edhe në vendosjen e bashkëpunimit me njësitet e vetëqeverisjes lokale të shteteve të huaja, apo që ndryshe e quajmë binjakëzimin e komunave. Por, profesori përkujton se duhet pasur parasysh se për realizimin e projekteve të ndryshme duhet të bëjnë edhe elaborate, projekte që të shfrytëzojnë sa më shumë mjete nga fondet ndërkombëtare sikurse IPA, FARE, USAID, UNESCO. Ky bashkëpunim, përkujton se do të kurorëzohet me rezultate të dukshme, ashtu që edhe qytetarët do të rrisin dal ngadalë standardin e jetesës.




Lajmet e funditTë rëndomta