hën05202013

Perditesimi i fundit11:14:40 MD

Back Lajme Maqedoni Çmime të 'kripura' për Ramazan

Çmime të 'kripura' për Ramazan

  • PDF

Është bërë shprehi që kur vjen Muaji i Ramazanit tregtarët e tregjeve të gjelbra, pronarët e dyqaneve me artikuj ushqimor dhe mishtoret, të rrisin çmimet, me arsyetimin se gjatë këtij muaji më shumë se zakonisht rritet konsumi. Edhe përkundër faktit se kanë mbetur edhe një javë deri në fillimin e Muajit të Ramazanit,

një numër i konsiderueshëm i tregtarëve tani më kanë filluar ti shtojnë sasitë e mallrave që kërkohen më së shumti nga konsumatorët gjatë muajit të Ramazanit. Në shitore, vërehen sasi të shtuara të shtuara të produkteve, si hurma, hallva por edhe sasi të shtuara të mishit të pulës dhe viçit, si dhe produkte të tjera joshëse dhe karakteristike për këtë muaj. “Kemi bërë disa lëvizje të vogla sa i përket furnizimin me prodhime ushqimore, të cilat më së shumti blihen nga qytetarët për muajin e Ramazanit. Mirëpo, për shkak të motit të nxehtë, si dhe kontrolleve të shpeshta të inspektorëve, këto prodhdime ende nuk i kemi ekspozuar nëpër rafte, sepse bëhet fjalë për hurma dhe hallvë, prodhime këto që shumë shpejtë prishen nga temperaturat e larta”, thotë Ibrahim Maliqi, tregtar në tregun e Bit Pazarit. Ai pranon se çmimet janë të larta krahasuar me standardin jetësor të qytetarëve, ndërsa nuk përjashton mundësinë që për Muajin e Ramazanit këto çmime të jenë edhe më të larta. “Këto ditë nuk kemi edhe shumë lëvizje të çmimeve, megjithatë nuk do të thotë se për Ramazan nuk do të ketë shtrenjtim të çmimeve”, thekson Maliqi. Gjithashtu edhe pronarët e mishtoreve shprehen se çmimet e mishit nuk kanë lëvizur shumë, por nuk përjashtojnë mundësinë që brenda muajit edhe të lëvizin. “Edhe pse deri në Muajin e Ramazanit kanë mbetur edhe pak ditë, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të ofruar mish të freskët për konsumatorët tonë. Çmimet janë të përballueshme dhe një kilogram mish pa koc për momentin shitet për 350 denarë”, thonë nga mishtorja “Apetit”, ndërsa shpresojnë se nuk do të imponohet nevoja për shtrenjtime shtesë të çmimit të mishit. 

Nga ana tjetër, blerësit që takuam në tregun e Bit Pazarit kanë frikë se tregtarët gjatë Muajit të Ramazanit do ti rrisin çmimet. Drojën e tyre e bazojnë në vitet e kaluara, kur tregtarët me fillimin e muajit të shenjtë për besimtarët mysliman, dinë të kalkulojnë për çdo ditë me çmimet. "Në vend se çmimet të ulen për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit, tregtarët si zakonisht i rrisin çmimet. Derisa po i shikoj disa çmime të artikujve, po e vërej se vetëm kanë pësuar shumë ngritje. Duke pas parasysh faktin se pagat janë të ulëta dhe një numër i madh i qytetarëve janë të pa punë, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë për Muajin e Ramazanit”, thotë Selvet Ismajli qytetar nga Shkupi, i cili kishte dalë për të blerë artikuj ushqimor. Edhe Sami Fazliu thotë se çmimet për momentin nuk janë reale, ndërsa pret që me fillim e Muajit të Ramazanit të ketë edhe më shumë rritje të çmimeve. “Për momentin të gjitha çmimet ne treg janë të standardit evropian, krahasuar me pagat e qytetarëve, që janë të ulëta. Nuk besoj se këtë muaj të Ramazanit do të mund të blejë të gjitha ushqimet e nevojshme për ta kaluar sa ma mirë agjërimin. Do të detyrohemi të heqim dorë nga blerja e mishit apo edhe ëmbëlsirave”, thotë Fazliu. Ndryshe, tregu i Bit Pazarit është një ndër më mirë të furnizuarit në Maqedoni me artikuj ushqimor, mirëpo njëkohësisht dikton edhe dinamikën e çmimeve edhe në qytetet tjera. 

Zejnulla VESELI/KOHA




Lajmet e funditTë rëndomta