Sipas të dhënave zyrtare, juristët që plotësojnë kushtet për të ushtruar detyrën e prokurorit vazhdojnë të refuzojnë angazhimin në një nga qytetet më të vogla të vendit, duke synuar angazhimin në kryeqytet. Konfirmimi i këtij mosinteresimi është provuar edhe njëherë me tre vendet e lira në Prokuroritë publike të Manastirit, Kërçovës dhe Tetovës. Këshilli i prokurorëve publik, pas dështimit të shpalljeve të para për plotësimin e tre vendeve të lira, hapi tre shpallje të reja, me shpresë se këtë herë - do të gjente juristë që do të ushtronin detyrën e prokurorit në Manastir, Kërçovë e Tetovë. Megjithatë, nga 18 juristët që kanë kaluar edukimet e Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve të rinj, asnjë nuk u interesua për të punuar në prokuroritë e këtyre tre qyteteve.
“Në përpilim e sipër është programi aksionar, i cili është duke u përgatitur në përputhje me Ligjin e ri të procedurës penale. Në mbështetje me këtë program, gjatë periudhës në vijim, do të plotësohen të gjitha vendet e lira, duke i plotësuar në fillim vendet që kanë mbetur të lira si rezultat të daljes së prokurorëve në pension. Ndërkaq, nuk duhet harruar mosinteresimi për t’u angazhuar në prokuroritë e qyteteve më të vogla. Nga 18 kandidatët që plotësojnë kriteret, më saktësisht që kanë kaluar Akademinë përkatëse, asnjëri prej tyre nuk u interesua për tu angazhuar në Manastir, Kërçovë ose Tetovë”, thotë Kostadin Kizov, kryetari i Këshillit të prokurorëve publik.
Praktika tregon se në vendet më të zhvilluara, por edhe në vendet më të afërta, siç është për shembull Turqia, një jurist i ri nuk mund të angazhohet në prokuroritë qendrore që gjendet në qytetet më të madha të këtij vendi, pa kaluar prokuroritë periferike. Për dallim nga këto vende, në Maqedoni gjërat funksionojnë më ndryshe, ndërsa juristët zakonisht janë të interesuar vetëm për kryeqytetin. Sipas kreut të Këshillit të prokurorëve, mosinteresimin shumëvjeçar për prokuroritë e qyteteve më të vogla dhe atraktiviteti i institucioneve të kryeqytetit imponojnë nevojën e një studimi që do të zbardhte problemet dhe do të ofronte zgjidhje për situatën e krijuar. “Ne nuk kemi të bëjmë me mungesë kuadrosh. Problemi qëndron në faktin se juristët që plotësojnë kriteret, nuk duan të udhëtojnë dhe punojnë në qytetet më të vogla, megjithëse atyre u mbulohen shpenzimet e rrugës dhe fitojnë shpërblime për vështirësitë gjatë ushtrimit të detyrës”, shprehet Kizov. Ndërkohë, me probleme vazhdon të ballafaqohet edhe Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve të rinj. Dështimi i dy konkurseve të para për zgjedhjen e 29 kandidatëve që do të ndjekin edukimet e Akademisë detyroi administratën e saj të hap një konkurs të ri. Gjatë konkursit të tretë, që u mbyll javën e kaluar, aplikuan 31 kandidatë, ndërsa numri i ulët i juristëve të interesuar për të punuar si gjykatës e prokurorë detyroi Akademinë të vazhdojë datën e paraparë për aplikimet, me shpresë se do të aplikojë edhe ndonjë jurist tjetër.
Këshilli i prokurorëve pa nënkryetar
Rreth një muaj me radhë Këshilli i prokurorëve publik funksion pa nënkryetar. Pikërisht largimi i Miralem Asanit dhe emërimi i tij në detyrën e gjykatësit të Gjykatës së Apelit në Gostivar rezultoi me hapjen e një konkursi për zëvendësimin e tij. Sipas të dhënave zyrtare, konkursi tashmë është mbyllur, ndërsa Parlamenti ditëve në vijim pritet të emërojë personin që do të ushtrojë detyrën e nënkryetarit të Këshillit të prokurorëve.


