Thonë se PDSH-ja dhe BDI-ja kanë dalë në gjueti të partive të vogla, organizatave qytetare dhe individëve të shquar dhe me ndikim në opinionin e këtushëm shqiptar, ngaqë bëhen gati për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Disa pohojnë se gjahun që zgjojnë Thaçi e Ahmeti, i shkon para tytës së pushkës Rufi Osmanit dhe se duke e ditur këtë, këtij të fundit, ia ka vënë syrin kryesuesi i BDI-së dhe bën çmos që ta josh e ta afrojë pranë partisë së vet. Shtjellësit e saktë të rrjedhave politike në shoqërinë e këtushme shqiptare, thonë se të gjitha përparësitë janë në anën e Osmanit, sepse gjithnjë e më të paktë janë ata që u besojnë lajkave të Thaçit dhe mendjemadhësisë së Ahmetit. Por, shtojnë ata, kjo përparësi mund të bëhet “kurban” i narcisoizmit të Osmanit, të cilin ai e ushqen me bindjen se shqiponja dykrerëshe ka fole në tavanin e shtëpisë së tij.
Kur bëhet fjalë për lajkat politike të Menduh Thaçit, mund të thuhet se ato janë të njëtrajtshme: njësoj ai i përdor edhe përballë qarqeve politike shqiptare, edhe kur bënë lojëra me partnerët maqedonas. Për dallim nga mendjemadhësia e Ali Ahmetit, e cila ushqehet me inferioritetin që ai ndjen ndaj Gruevskit, e që i çon kundërshtarët e tij politik të pohojnë se sa më inferior ndjehet ndaj partnerit maqedonas, aq më mendjemadh u shitet shqiptarëve. Apo, që tërë këtë ta shpjegojnë me një bracolët të shkurt që thotë. Ali Ahmeti kurrë nuk merr me vete përkthyes në takimet me Gruevskin, ngaqë vetëm dëgjon e thotë “da” (“po”) e asgjë nuk flet. Dhe shtojnë se ai gjithnjë e më rrallë takohet me Gruevskin, sepse çdo vendim të kryeministrit, me 24 orë vonesë, Ahmetit ia përcjell “kuriri” i tij personal që ia mbanë lidhjet me kryeministrin - Musa Xhaferi.
Si do që të jetë, një gjë dihet: edhe lajkat politike të Menduh Thaçit, njësoj si edhe mendjemadhësia e Ahmetit, janë joproduktive për shqiptarët dhe përjashtojnë nga partitë e tyre çdo individ që ka kokë dhe bosht të vetin kurrizor. Konkretisht, lajkat politike të Thaçit burojnë nga parimi i dëmshëm për një subjekt politik: se partitë funksionojnë si kompanitë private, ku të gjithë duhet të dridhen përpara pronarit që të largon e të pranon në punë pa pyetur njeri. Dhe kuptohet, një parti e tillë mund të mbahet në këmbë vetëm me “ernada” e “refeta”, të cilëve edhe kur u thua se mur është ai të cilit i bien me kokë, ata këtë nuk e besojnë pa ua thënë personalisht Thaçi.
Nga ana tjetër, mendjemadhësia e Ali Ahmetit ushqehet me parimin më shkatërrues për një parti politike, që buron nga mendësia “leniniste”: se të gjithë kanë nevojë për Aliun, e ai nuk a nevojë për askënd! Gjë që edhe e çoi këtë parti deri aty sa t’i bëjë kundërshtar të vet edhe përkrahësit e mbështetësit që i qëndruan prapa dhe besnik Ahmetit atëherë kur ishte “kërkushi”, e të cilëve ai ua ktheu shpinën kur filloi të ndjehet se është bërë “dikushi”. Dhe kuptohet, në një parti të tillë, të përjetshëm mbeten “musat” e “teutat”, që kanë portret karierist, por pa fizionomi politike, që janë si plastelina dhe u jep cilën formë të duash, por vetëm nëse i mbanë pranë grazhdit të pushtetit,.
Thonë se Menduh Thaçi e Ali Ahmeti kanë nisur sezonin e gjahut që t’i sforcojnë radhët partiake parazgjedhore. Madje disa shtojnë se Menduh Thaçi gjithnjë e më shumë korr suksese. Ndoshta shkaku se mes lajkave e mendjemadhësisë, shqiptarët gjithmonë më lehtë e pranojnë lajkatarin se sa atë që pas heshtjes dhe mendjemadhësisë fsheh injorancën politike. Por, si do që të jetë, siç duket shqiptarët më në fund e kanë kuptuar se njëjtë u del, o u bëre pre e lajkave politike të Menduh Thaçit, o viktimë e mendjemadhësisë së Ali Ahmetit: partitë maqedonase do sundojnë e ato shqiptare do na ushqejnë me premtime të kota! E në ndërkohë, do vazhdojnë spekulimet që thonë se jo mëkot Ali Ahmeti është aq i sigurtë në vetvete se s’ka kush e mund në cilat do zgjedhje. Këtë bindje të vet e mbështet mbi të vërtetën se Gruevski do ia ofrojë BDI-së të gjitha resurset pushtetare (lexo: mjete financiare) që t’i fitoj zgjedhjet. Dhe këtë Gruevski do e bëjë jo pse gjithaq u frikohet lajkave politike të Thaçit, por ndoshta pse Ahmeti ende nuk e ka mësuar si duhet maqedonishten dhe prandaj më lehtë i vjen për çdo gjë të thotë “da” (“po”) se sa të futet në diskutime më të thella. Përndryshe, ka edhe nga ata që thonë se nëse e gjen veten ngushtë, në më shumë komuna shqiptare, Ali Ahmeti do veproj ashtu siç spekulohet se do ia bëjë BDI-ja me komunën e Kërçovës: do del me kandidat maqedonas. Me çka përfundimisht do filloj edhe etapa aq e ëndërruar e liderit të BDI-së: të ndërtojmë një Maqedoni ku nuk do dallohemi për nga feja e përkatësia etnike, por vetëm nëpërmjet thellësisë së xhepit. Pra, do fillojë lufta mes klasave, e do marrin fund mosmarrëveshjet ndëretnike. Dhe Maqedonia më në fund do ketë parti shumetnike të atyre me xhepa të thellë e të mbushur plot dhe parti të atyre me xhepa të cektë e të zbrazur, e që mezi presin ta braktisin këtë vend ku çdo gjë venitet e vdes, përpos përmendoreve të Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
/almakos.com-tetova1/


