ENJT05232013

Perditesimi i fundit09:22:48 PD

Back Lajme Maqedoni Për bujqësinë, s'ka as kontejner

Për bujqësinë, s'ka as kontejner

  • PDF

Kanë mbetur fillimisht pa objektin e vjetër, të cilin e shfrytëzonin deri vjet edhe pse në kushtet jashtë çdo logjike të shëndoshë, e më pas edhe pa hapësirat ku ishin vendosur përkohësisht, në shkollën fillore të fshatit Likovë. Iu premtuan më pas se do ti dërgonin nga fshati në qytet, pranë shkollave tjera të mesme në gjuhën shqipe, mirëpo nuk patën fat as me këtë zgjidhje të ofruar nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Likovës.

Mbi 80 nxënës të paraleleve të disperzuara të shkollës së mesme bujqësore në Likovë, nuk kanë se ku ta presin vitin e ri shkollor.

Objekti i vjetër është rrënuar, në shkollën fillore "Dituria" nuk ka vend, kurse kontejnerët nuk janë vendosur akoma. Përgjegjësi i pesë paraleleve bujqësore të disperzuara në Likovë, Ridvan Kamberi, thotë se janë pa asnjë zgjidhje dhe se nuk kanë ku ta fillojnë vitin e shkollor më 1 shtator të këtij viti. Për këtë nuk mund të garanton asgjë as zëvendësministri Safet Neziri. "Punojmë në drejtim të sigurimit të disa kontejnerëve të rinj, të cilët duhet të transportohen deri në hapësirat e ish-kazermës ushtarake 'Kristian Todorovski- Karposh' në Kumanovë, si dhe në rregullimin e disa kontejnerëve që më parë i kanë shfrytëzuar nxënësit e shkollës së mesme ekonomike 'Pero Nakov". Domethënë, ajo që mund të konstatoj është se ka filluar procedura. Nuk mund të konstatoj se kontejnerët do të jenë gati deri më 1 shtator, por them se punohet në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi", pohon zëvendësministri Neziri. Nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme bujqësore "Kiro Burnaz" nga Kumanova, e të cilët janë të sistemuar në paralelet e disperzuara të fshatit Likovë, në variantin më të mirë duhet të mësojnë nëpër klasa kontejnerë dhe jo në objekt shkollor. Mirëpo, sikurse tregon zëvendësministri i Arsimit, edhe kjo zgjidhje nuk është pa telashe. Sigurimi dhe transportimi i klasave kontejnerë është procedurë shumë e koklavitur dhe për këtë, sipas tij, është zvarritur çështja e zhvendosjes së pesë paraleleve të disperzuara të bujqësisë nga shkolla fillore e Likovës në hapësirat e ish-kazermës në Kumanove. Përgjegjësi Kamberi kujton se për ata paralele ishte premtuar zgjidhje prej para një viti edhe atë nga vetë ministri Pançe Kralev dhe zëvendësministri Neziri.

"Kur erdhën vjet në Likovë, ministri dhe zëvendësministri bashkë me kryetarin e Komunës na premtuan se do të na rregullojnë kushtet për mësim tek ish-kazerma në Kumanovë", pohon Kamberi. Mirëpo, premtimet se gjërat do të rregullohen për një muaj dolën të kota, plotëson më tej ai. "Prit një javë, një muaj, kaloi viti dhe asgjë", shprehet Kamberi. Me përfundimin e vitit shkollor 2011/2012, u bë edhe premtimi i radhës. "Në fund të viti shkollor na thanë se do ti rregullojnë hapësirat te kazerma brenda pushimit veror. Por, asgjë nuk është bërë ende", plotëson ai. Të enjten, kur ministri Kralev u paraqit në një konferencë shtypi, ishte e pamundur të merrej prononcimi i tij lidhur me këtë çështje, pasi nuk dëshironte të dalë jashtë temës për të cilën ishte thirrur preskonferenca. Ndërkaq, zëvendësministri Neziri kërkon mirëkuptim nga ana e nxënësve, prindërve dhe profesorëve. "Kanë pritur me vite të tëra dhe sidokudo, mendoj se është arsyeshme të presim edhe pak. Kërkoj mirëkuptim nga nxënësit, prindërit dhe profesorë sa të kryen procedurat. Besoj se për një kohë të shkurtër, do ti transportojmë kontejnerët për të krijuar kushte optimale për mësim", shprehet Neziri, ndërsa pranon se deri tani, nxënësit e paraleleve të disperzuara të bujqësisë kanë mësuar në kushte jashtëzakonisht të vështira për zhvillimin e procesit edukativarsimor. Mungesa e kushteve për pësim dhe zvarritja e problemit për sigurimin e hapësirave shkollore ka bërë që të zvogëlohet në mënyrë drastike numri i nxënësve në paralelet bujqësore me mësim në gjuhën shqipe. Nga 180 nxënës dhe 7 paralele, sa numëroheshin pesë vite më parë, vitin që shkoi, ky numër kishte zbritur në 80 nxënës dhe 5 paralele. Tendenca e zvogëlimit vazhdon edhe më tej. Përgjegjësi Kamberi thotë se do të ishin të lumtur nëse i bëjnë 50 nxënës për vitin e ardhshëm shkollor 2012/2013. (L.P./KOHA)




Lajmet e funditTë rëndomta