Kryeministri Nikolla Gruevski në urimin dërguar Armatës ka përmendur në kontekst negativ edhe njëherë këtë rast, duke thënë se ARM në vitin 2001 me sukses ka luftuar kundër UÇK -së, duke e quajtur këtë formacion me emrin “disa grupe”. “Me aksionet e guximshme që u ndërmorën, u penguan qëllimet fillestare të këtyre grupeve dhe të njëjtat u shndërruan në kërkesa për disa të drejta etnike. Prandaj e shfrytëzoj këtë rast të shpreh falënderimin tim për të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun”, thuhet në urimin e Gruevskit dërguar pjesëtarëve të Armatës. I ashpër në fjalimin e tij, ka qenë edhe shefi i shtatmadhorisë së armatës Goranço Kotevski, i cili ka thënë se nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor pjesëtarët e ARM-së për përfitime politike.
“Si shef i Shtatmadhorisë nga të gjithë pjesëtarët e Armatës kërkoj mbështetje, profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi në punë. Kjo është më tepër se e nevojshme për realizimin e qëllimeve mbrojtëse. Ata të cilët nuk mund ti plotësojnë këto kritere dhe vlera morale, nuk e kanë vendin në radhët e Armatës. Nuk do të lejoj, thyerjen e shtizave politike mbi kokat e pjesëtarëve të ARM-së, për interesa partiake”
Ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi nuk i ka dhënë konotacion politik fjalimit të vet para pjesëtarëve të armatës. Mirëpo ai është drejtuar para tyre edhe në gjuhën shqipe.
Më 13 gusht, në 11 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, ushtarakë të uniformuar të armatës së Maqedonisë për herë të parë u përkulën te varrezat e dëshmorëve të UÇK-së. Ata ishin pjesë e delegacionit qeveritar që udhëhiqej nga zëvendëskryeministri Musa Xhaferi dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi. Ky akt u përshëndet edhe nga ambasada amerikane në Shkup, si hap pozitiv drejt pajtimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Mirëpo partitë maqedonase, duke përfshi edhe ato në pushtet kanë dënuar ashpër prezencën e ushtarakëve. Kjo ngjarje ka tensionuar raportet mes partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, prandaj nuk përjashtohet mundësia edhe për krizë brenda koalicionit qeveritar.


