Nga seance në seancë, gjithnjë e më shumë vërtetohet se të akuzuarit e rastit “Monstra”, nuk janë ata që kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit Smillkovcë më 12 prill të vitit të kaluar.
Në seancën e së premtes u shqyrtuan procesverbalet e gjurmëve të gjetura në veturën të cilën policia dyshon se vrasësit e kanë përdorur pas vrasjes, si dhe procesverbalet e objekteve të konfiskuara në shtëpitë e të akuzuarve, mes të cilave edhe libra fetarë.
Prokurorja Gordana Geshkovska nuk tha asnjë fjalë përveç leximit të procesverbalit, ndërsa avokati Naser Raufi kërkoi që sillen edhe telefonat e konfiskuar dhe bisedat që kanë bërë të akuzuarit. "Absurdi i këtij procesi gjyqësor është fakti se janë prezantuar numrat e regjistruar në celularët e të akuzuarve, por jo edhe regjistrimet e bisedave telefonike”, tha avokati Raufi.
“S’ka asnjë dëshmi që vërteton se ata janë kryerësit e vrasjes. Dëshmitarët që solli prokuroria dëshmuan në favorin tonë. Ata thanë se asnjërin prej të akuzuarve nuk e kishin parë atë natë. Të akuzuarit ishte dash të lihen të lirë që atë ditë”, thotë Raufi për “Lajm”. Meqë edhe monitoringu nga OSBE është i madh, ai është i bindur se gjykata do të vlerësojë drejt dhe do ti shpallë të pafajshëm të akuzuarit, pasi siç thekson avokati nuk ekziston asnjë lloj prove.
Seancat e radhës janë caktuar për më 13 dhe 15 shkurt. Gjatë këtyre seancave do të dëshmojnë ekspertët e forezisë. “Ne nuk mohojmë që më 12 prill ka ndodhur një vrasje, por fakt është se të akuzuarit nuk janë autorët e vrasjes”, thekson Raufi.
Vrasja makabër ndodhi më 12 prill të vitit të kaluar, ndërkaq, më një maj të vitit të kaluar u realizua aksioni policor “Monstra”, ku u arrestuan rreth 20 shqiptarë mes tyre edhe gra e pleq dhe u bastisën shtëpitë e tyre.
Për vrasjen e pesëfishtë prokuroria akuzon Fejzi Haziri, Haki Haziri, Agim Ismailoviq, Rami Sejdi që ndodhen në paraburgim në Prilep e Manastir si dhe Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët janë në arrati. /lajm/


