MAR05212013

Perditesimi i fundit08:14:35 MD

Back Opinion Opinion Agjërimi dhe falja e politikanëve

Agjërimi dhe falja e politikanëve

  • PDF

Irfan AGUSHI

Paraqitja e politikanëve si esnafë dhe të devotshëm, para një beteje parazgjedhore, tregon qartë se ata jo vetëm që nuk janë të atillë, por në këtë mënyrë na e bëjnë më të vështirë mënyrën për të kuptuar se me cilën fytyrë do të paraqiten kësaj radhe para popullit.

 

Këtë vit muaji i Ramazanit ka filluar shumë më ndryshe nga vitet e kaluara. Në gjitha mediat shqiptare në Maqedoni hasim telegrame të shumta urimi me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Një situatë të këtillë nuk e kemi parë në vitet e kaluara, pasi në masë më të madhe përshëndetjet vijnë nga njerëz të politikës që janë të sistemuar në institucione të ndryshme shtetërore. 

Në shikim të parë shihet si një nismë fisnike, e cila besoj se është mirëpritur nga qytetarët e konfesionit islam. Por pyetja është pse viti 2012 – 1433 dhe jo vitet e kaluara?

Po nga mediat mësuam se liderët politikë do t`a agjërojnë Ramazanin dhe do të falin namazin e teravitë. Shpresoj që kësaj radhe të mos e teprojnë aq tepër sa ndonjërit t`i mbushet mendja sa të dal dhe imam i ndonjë xhemati.

Paraqitja e politikanëve si esnafë dhe të devotshëm, para një beteje parazgjedhore, tregon qartë se ata jo vetëm që nuk janë të atillë, por në këtë mënyrë na e bëjnë më të vështirë mënyrën për të kuptuar se me cilën fytyrë do të paraqiten kësaj radhe para popullit.

Më shumë se kurdoherë u premtuan rrugë, ura, shkolla, ujësjellës madje edhe vendkalime kufitare, por e gjithë kjo mbeti vetëm një premtim dhe asgjë më tepër.  I provuan të gjitha. Vite me radhë i fituan votat duke u thirrur në emër të USHT-së, në emër të flamurit, të gjuhën shqipe, tash së fundmi dhe në emër të dëshmorëve dhe luftës së U{K-së. Duke sharë herë vojvodët e herë të tjera çetnikët, por në secilin rast duke bashkëpunuar përsëri me të njëjtët. 

Dhe kësaj radhe me që jemi në Ramazan, pse të mos e provojnë edhe me agjërimin, të falin teravitë dhe madje ndoshta të vizitojnë edhe Mekken. Në këtë mënyrë edhe njëherë do të joshin dhe mashtrojnë shqiptarët e gjorë që mezi i ndërrojnë ditët. 

Agjërim dhe namazi janë rrite që përmirësojnë moralin e njerëzve. Nga kushtet për pranimin e këtyre riteve janë sinqeriteti dhe devotshmëria, cilësi të cilat shumë pak i hasim në personalitetin e politikanëve shqiptarë. Prandaj në vend se të agjërojnë dhe falen, është e rrugës që politikanët tanë së pari të merren me premtimet që ua bëjnë popullit para zgjedhjeve.

Ata mund t`a mashtrojnë popullin dhe ndonjëherë edhe veten, por nëse besojnë në atë që thonë atëherë le ta dinë se në mes tyre dhe atij, nuk depërton gënjeshtra dhe mashtrimi.

Një ditë do të duhet të ballafaqohen me të vërtetën. Nëse e falin namazin dhe e agjërojnë Ramazanin atëherë do të thotë se besojnë në Zot. Zoti, të cilit ju do t’i faleni dhe për të cilin do të agjëroni ka një mesazh për ju, të nderuar udhëheqës. Lexojeni mirë dhe mendohuni për atë që bëni nga që nuk do të keni jetë të dytë për ta provuar.

„E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjej“, thotë Zoti. 

Dhe mos e mashtroni popullin,sepse një ditë kur të mos kenë asnjë alternativë, ata do t`drejtohen Zotit që ju e besoni dhe nëse kjo ndodh,atëherë është në të mirën tuaj ta dini thënien e profetit Muhammed i cili thotë "Druhuni nga lutja e atij, të cilit i është bërë padrejtësi, pasi mes tij dhe Zotit nuk ka asnjë perde“.

Zoti na mëson për mëshirë nga që ai vetë është i mëshirueshëm. Por kur kalohet kufiri që ai e ka vendosur, atëherë ai din të dënoj ashpër, prandaj ikni dënimit të tij kur keni ende mundësi.

Agjërimi është nga obligimet që pastron trupin dhe shpirtin e njeriut, e bën të durueshëm dhe e mëson atë të jetë i devotshëm dhe i drejtë në jetë. Të shpresojmë që ky agjërim të ndikojë pozitivisht në shpirtin e politikës shqiptare.




Lajmet e funditTë rëndomta