MAR05212013

Perditesimi i fundit03:02:25 MD

Back Opinion Opinion Akullnaja kulturore

Akullnaja kulturore

  • PDF

SALAJDIN SALIHU

 Për fatin e keq të “borive” nuk kemi ndërmend të heshtim edhe sikur të merret vendim i përjetshëm për mos financim të asnjë libri tjetër. Si të heshtim kur kemi “verë të nxehtë kulturore” maqedonase dhe dhjetëvjeçarë të akullt për kulturën shqiptare

Në Maqedoni është i institucionalizuar dominimi kulturor maqedonas dhe diskriminimi kulturor i shqiptarëve. Këtë refren, përgjatë dy dhjetëvjeçarëve, e kemi përsëritur nëpër shkrime e nëpër libra dhe mjerisht vazhdojmë ta përsërisim. Nga pozita e opinionistit kushedi sa herë e kemi konstatuar këtë gjendje dhe jemi përpjekur, herë pas here, të vijëzojmë konturet e një politike tjetër kulturore, zbatimi i së cilës mund të bëhet vetëm nëpërmjet politikës.

Le të mos shkojmë shumë larg në kohë. Le të përqendrohemi vetëm në projektet kulturore të financuara nga kjo ministri brenda një periudhe pothuajse një mujore. Mjafton qasja në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës (Maqedonase) për të vërtetuar të sipërthënën. Kultura shqiptare, natyrisht, nuk është në fokusin e interesimit të kësaj ministrie. Madje, nuk gjeni informacion të vockël në gjuhën shqipe, e cila “(nuk) është zyrtare”. Nëse e ka djegur ose jo bishtin dhelpra kjo është e parëndësishme. E rëndësishme është se është djegur dhelpra... 

Ja disa projekte, që figurojnë në ueb faqe: “Valë e nxehtë kulturore” (ku janë përfshirë 25 komuna dhe ku figurojnë vetëm tre komuna me shumicë shqiptare - nuk ka të dhëna për mjetet financiare); “Përkthimi i autorëve argjentinas në gjuhët tjera, veçanërisht në gjuhën maqedonase”; “Hapet Festivali Ndërkombëtar i Dramës Antike ‘Stobi’; “Filloi edicioni i 52 i festivalit Vera e Ohrit’’, “Simpozium shkencor ndërkombëtar me temën “Për punët maqedonase’’ etj.

Janë disa nga projektet e panumërta që nuk i zë gazeta. Janë disa nga faktet e panumërta para të cilëve do të heshtnin edhe hyjnitë, sikurse thanë të urtët e lashtë, por nuk i bindin avokatët shqiptarë të politikës së diskriminimit kulturor.

Sapo nis i kundërvihesh këtij diskriminimi klasik, dalin tellallë apo “bori partie”, siç i quante Lasgush Poradeci, dhe thonë se ministria na i paska financuar librat. Po kalojmë në njëjës. Kjo Ministri ka financuar pjesshëm disa libra të mi dhe askush nuk e ka detyruar. Ka shpallur konkurs publik ku kam konkurruar si çdo taksapagues. Honorarët u kanë takuar botuesve, sepse autorët mjaftohen me kënaqësinë e botimit të librave, pavarësisht punës disavjeçare.

Sipas logjikës së “borive” mjafton kaq që të heshtësh ndaj diskriminimit i cili ka pasoja të rënda për të tashmen dhe të ardhmen e këtij shteti, të cilat i pamë jo më larg se në vitin 2001. Pra, duhet të heshtësh sapo të shohësh emrin në listat e projekteve të miratuara nga Ministria e Kulturës, ku asnjëherë nuk publikohen shumat e parave, që dëshmon mungesën e transparencës financiare.

Për fatin e keq të “borive” nuk kemi ndërmend të heshtim edhe sikur të merret vendim i përjetshëm për mos financim të asnjë libri tjetër. Si të heshtim kur kemi “verë të nxehtë kulturore” maqedonase dhe dhjetëvjeçarë të akullt për kulturën shqiptare. Kjo epokë akullnaje do të vazhdojë për sa kohë nuk insistohet për një politikë kulturore e cila dallimet do t’i konsideronte si çelës për të ardhmen dhe jo si rrezik për të tashmen dhe të ardhmen e këtij shteti shumëkulturor.

Që të shmanget diskriminim klasik kulturor, Maqedonisë i nevojitet  politikë kulturore e cila do të përjashtonte çfarëdolloj dominimi kulturor. Më shumë se sa kaq: do të parashihte të drejta specifike për pjesëtarët e sistemit kulturor që u është bërë padrejtësi historike, si mënyrë kompensimi të dëmit të shkaktuar, ashtu sikurse sugjerojnë mendimtarët e njohur botërorë. Kjo politikë kulturore, në përputhje me politikën kulturore të Bashkimit Evropian, do të duhej të parashihte krijimin e institucioneve autonome dhe të domosdoshme të kulturës shqiptare. Pa improvizime. Gjithashtu, duhet të pranohet fakti se kultura shqiptare është unike, prandaj të stimulohet komunikimi kulturor brendashqiptar. Duhet programim i përmbajtjeve kulturore të domosdoshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe jo financim të aktiviteteve të zhurmshme plot patetikë e folklor. Duhet bërë planifikim i jetës kulturore pa anashkaluar organizimet alternative kulturore, që janë pasuri për një kulturë kombëtare. Duhet të inkuadrohen në institucione dhe në projekte njerëz me dije, kompetencë dhe përgjegjësi. Duhet fokusuar në njohjen dhe popullarizimin e kulturës,  historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Duhet bërë, pra, afirmimi i vlerave të kulturës shqiptare dhe prezantimi i tyre në vendet e jashtme. Maqedonia ka disa përfaqësi kulturore nëpër Evropë (Paris, Nju Jork, Sofje). Duhet insistuar që si qytete të kulturës në Maqedoni të shpallen edhe qytetet me shumicë shqiptare etj.

Që të arrihen këto dhe objektiva të tjera duhet strategji kulturore dhe jetësim i saj. Kjo është jetike, sepse sikurse thotë Berdjajev, caqet shoqërore realizohen në kulturë...




Lajmet e funditTë rëndomta