ENJT05232013

Perditesimi i fundit01:31:40 MD

Back Opinion Opinion Koalicionet dhe legjitimiteti

Koalicionet dhe legjitimiteti

  • PDF

Xhelal NEZIRI

Kur njëri nga këto dy parime të rrënjosen në kampin politik shqiptar atëherë ndonjë koalicion , si ai që lidhën PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, do të mund të etiketohej si joparimor. Derisa në politikbërje kemi mungesë apo shkelje parimesh, atëherë çdo koalicion është i natyrshëm.

 

Të jesh normal në një vend jonormal është vërtetë jonormale. Të kesh parime në këtë ambient, ku ky nocion haset vetëm në fjalor, atëherë je joparimor. Politika dhe bërja e saj në çdo vend normal bazohet në disa norma e parime, të cilat nuk shkilen pa marrë parasysh rrethanat. Por, jo edhe në Maqedoni. Këtu politikbërësit që thejnë çdo parim politik dalin e akuzojnë dhe etiketojnë konkurrentët e tyre si joparimorë. Figurat aktuale politike që kanë keqpërdorur sektorin joqeveritar për t'u lansuar në hapësirat partiake flasin për norma e parime, ndërkohë që vetë ata i kanë thyer të gjitha. Apo, për parime flasin ato që lëvizin nga partia në opozitë drejt asaj në pushtet për interesa të ngushta personale, të cilat më pastaj i kamuflojnë me ndonjë kauzë të madhe kombëtare e ndërkombëtare. Për parime flasin edhe liderë partiakë që profilizohen herë si të majtë e herë si të djathtë, varësisht nga provenienca ideologjike e partisë maqedonase që fiton pushtetin. 

Sinqerisht jam për atë që në bllokun politik shqiptar të instalohen dhe respektohen disa parime kyçe me qëllim të kthimit të besimit të njerëzve në politikë dhe në politikanët. Së pari, duhet të merremi vesh se cila parti shqiptare të marrë pjesë në koalicionin qeverisës: ajo që ka fituar më shumë mandate apo ajo që i takon proveniencës ideologjike të partisë maqedonase fituese në zgjedhje. 

Nëse zgjedhim variantin e parë, atëherë partitë shqiptare duhet të respektojnë parimin e ndarjes së votave në baza etnike. Kjo do të thotë që të orientohen vetëm te vota e shqiptarëve, në listat e tyre të kenë kandidatë vetëm shqiptarë dhe fushatën e tyre ta zhvillojnë vetëm në gjuhën shqipe. Personalisht kam qenë për këtë opsion për shkak të çështjeve të pazgjidhura ndëretnike dhe të ruajtjes së vlerës së votës shqiptare në Maqedoni. Në vitin 2006 kam kundërshtuar haptas kyçjen e PDSH-së në koalicionin qeverisës me VMRO-DPMNE-në, pasi kishte fituar më pak deputetë sesa konkurrenti i saj politik BDI. Për këtë gabim PDSH-ja e mori dënimin nga elektorati shqiptar andaj respektoi rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke thënë hapur se me asnjë çmim nuk do të pranojë inkuadrim në qeveri pa mos pasur pjesën më të madhe të deputetëve. Megjithatë, shkelja e këtij parimi vjen pikërisht nga BDI-ja. Përderisa partitë tjera janë të orientuara dhe marrin vota nga shqiptarët, BDI në koalicionin e saj ka kandidat dhe vota edhe nga bashkësitë tjera etnike.  Në koalicionin e saj parazgjedhor ka një parti boshnjake dhe kandidatë që i përkasin etnitetit maqedonas me përkatësi fetare islame, të cilët veten e quajnë torbesh. Në zonën zgjedhore numër 3 BDI mori mbi 6 mijë vota kryesisht joshqiptare, kurse në Koçan funksionon dega e kësaj partie e përbërë nga qytetarë të bashkësisë etnike maqedonase. Fushata, bashkë me sloganet partiake, ishin edhe në gjuhën maqedonase që do të thotë se edhe në zonën zgjedhore numër 6 kishte targetuar elektoratin maqedonas. Me këtë orientim, BDI tani më është profilizuar si parti qytetare, e bazuar në ideologjinë e saj. Gjithçka do të ishte në rregull nëse pas shpalljes së rezultateve zgjedhore kjo parti nuk do të ishte thirrur në legjitimitetin e shqiptarëve. Duke u thirrur vetëm në legjitimitetin e shqiptarëve BDI-ja tradhton votuesit tjerë joshqiptarë që i ka joshur me platformën e saj gjatë fushatës parazgjedhore. Nga ana tjetër, manipulon opinionin kinse votat e grumbulluara apo deputetët e saj janë eksluzivisht shqiptarë dhe se ky na qenka vullneti i shqiptarëve. 

Poashtu, duhet të definohet edhe nocioni legjitimitet. Ky nocion nënkupton të drejtën dhe ushtrimin e fuqisë shtetërore që buron nga vullneti i shumicës së popullit, të dëshmuar në zgjedhje nëpërmjet votës së lirë. Asnjëra nga partitë shqiptare në zgjedhjet e fundit nuk e ka vullnetin e shumicës, që nënkupton legjitimitetin demokratik, pasi jehona e votuesve shqiptarë ishte afër 40 për qind. Kjo do të thotë se ka vullnetin e pakicës, që në përkthim i bie se nuk ka legjitimitet.  

 

Nëse si parim politik e vendosim përkatësinë ideologjike, atëherë qeveritë do të formohen nga partitë e djathta apo të majta të shqiptarëve dhe maqedonasve. Pyetja e parë që lind në këtë rast është nëse me këtë formulë bie pazari politik i shqiptarëve. Mendoj se në asnjë rast nuk mund të bjerë pozicioni i partisë shqiptare që është në negociata nëse partia opozitare nuk flirton dhe nuk pranon të futet në qeveri pa asnjë kusht. Nëse BDI do të kishte deklaruar publikisht në vitin 2006 se nuk është e interesuar të marrë pjesë në një qeveri me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskin, e cila partinë e Ali Ahmetit e krahasoi me strukturën politiko-ushtarake Hamas dhe që në vazhdimësi shpërfaq një politikë nënçmuese ndaj shqiptarëve, atëherë pozicioni negociues i PDSH-së në mbylljen e çështjeve të hapura për shqiptarët do të ishte shumë i fuqishëm. Pra, pazarin mund ta rrëzojnë partitë që ngelin në opozitë e assesi ata që janë pjesë e pushtetit. 

Kur njëri nga këto dy parime të rrënjosen në kampin politik shqiptar atëherë ndonjë koalicion , si ai që lidhën PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, do të mund të etiketohej si joparimor. Derisa në politikbërje kemi mungesë apo shkelje parimesh, atëherë çdo koalicion është i natyrshëm. 

Parimisht, kam qenë dhe jam për opsionin që koalicionet ndërmjet partive shqiptare dhe maqedonase të jenë parazgjedhore e jo paszgjedhore. Me koalicionet parazgjedhore do të bjerë maska e partive shqiptare, të cilat në fushatën parazgjedhore premtimet i kanë sikur të garojnë për qeverinë e Ismail Qemalit, kurse koalicionet i zyrtarizojnë vetëm në kuadër të pushtetit të Todor Aleksandrovit e Nikolla Karevit. Pra, zyrtarizimi i koalicioneve parazgjedhore imponon platforma zgjedhore shumë më realiste për qytetarët shqiptarë dhe ofron zgjidhje veçmë të kontraktuara me partnerin maqedonas. Për shembull, nëse koalicioni aktual qeverisës midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së do të ishte parazgjedhor, atëherë shqiptarët para se të votojnë do ta kishin kuptuar se në çfarë niveli do të përdoret gjuha shqipe, se nuk do sillet ligj për U:K-në, se nuk do ketë ndarje të drejtë të buxhetit shtetëror dhe se vendi nuk do të integrohet në NATO dhe në BE. Nëse këto dy parti në zgjedhjet e ardhshme dalin me një platformë, ku parashihen zgjidhje konkrete për këto çështje, atëherë mundësia e realizimit në praktikë të atyre pikave është gati njëqind për qind.   

Koalicioni midis Thaçit dhe Cërvenkovskit nuk është i pari shqiptaro-maqedonas në historinë demokratike të Maqedonisë. Mund të thuhet se është koalicion i parë që është formalizuar me një kontratë të nënshkruar në mënyrë transparente. Koalicionet ndëretnike kanë ndodhur që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999 PDSH-ja mbështeti kandidatin presidencial të VMRO-DPMNE-së së atëhershme, të ndjerin Boris Trajkovski. Ishin pikërisht votat e shqiptarëve që rrëzuan kandidatin e LSDM-së, Tito Petkovskin. Në vitin 2005 lideri i BDI-së doli hapur para kamerave dhe u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë për president kandidatin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, me të cilin ishin në koalicionin qeverisës. Edhe në këtë rast presidenti i vendit u zgjodh me votat e shqiptarëve, pas një marrëveshje të pashpallur e panënshkruar për koalicionim zgjedhor. Në vitin 2009, BDI mbështeti presidentin aktual Gjorgje Ivanov dhe bëri thirrje të votohet i njëjti, duke e arsyetuar këtë mbështetje me disa pazare politike me partnerin e ri qeverisës VMRO-DPMNE-në, si rritjen e numrit të shqiptarëve në kabinetin presidencial dhe disperzimin e fakulteteve të USHT-së në Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë dhe Kumanovë.

Koalicione të pashpallura kanë ndodhur edhe në zgjedhjet lokale, ku në raundin e dytë janë përkrahur kandidatët e partnerit maqedonas në qeveri, dhe për këtë janë në dijeni të gjithë qytetarët. Koalicioni Thaçi-Cërvenkovski është vetëm teknik por nuk është programor. Pra,  parasheh përkrahje të kandidatëve për kryetarë komunash në raundin e dytë zgjedhor. Përveç mënjanimit të hipokrizisë, për herë të parë në historinë demokratike të Maqedonisë votuesit maqedonas do të votojnë kandidatë shqiptarë. Që nuk ka qenë rast në të kaluarën kur vetëm shqiptarët votuan Trajkovskin, Cërvenkovskin, Ivanovin, kryetarin e Shkupit Koce Trajanovskin, ndërkohë që nuk jam në dijeni se janë regjistruar votime nga ana e maqedonasve për kandidatët shqiptarë. 

Sa mund të zgjasë ky koalicion i dy armiqve të vjetër politik, i cili për bazë ka maksimën "armiku i armikut tim është miku im", është një çështje për t'u debatuar.




Lajmet e funditTë rëndomta