SHT05182013

Perditesimi i fundit01:29:40 MD

Back Opinion Opinion Ku mbeti Shipkovica

Ku mbeti Shipkovica

  • PDF

Ejup AJDINI

 Kujtimet për Shipkovicën janë të shumta. Kësaj radhe do përkujtojmë vetëm një ditë historike, kur ky katund, me asnjë kusht nuk e shiti veten, gjuhën, kombin, traditën, historinë, kulturën, zakonet, burrërinë edhe pse hordhitë e ndryshme kanë tentuar më shumë se në çdo vend tjetër që t’ia ndryshojnë identitetin e tij historik, kulturor e kombëtarë në tërësi, por asnjëherë nuk ia arritën qëllimit.

Mesi i dhjetorit 1990. Shipkovica ishte e mbuluar me dëborë. Rrugët ishin gjysmë të kalueshme. Qielli ishte i padukshëm nga retë gjysmë të zeza. Fjollat e bardha të dëborës që binin pandërprerë, sikur donin ta vejnë në heshtje shpirtin madhështorë të malësorëve. Shipkovicës sikur i thoshte, është kohë pushimi, mjaft je lodhur gjatë muajve të tjerë, tani pusho, fjalën e ka bora, e ka dimri. Malësori si malësor gjithmonë punës i ka ndenjur gati, sepse atë e mësoi jeta që ta nuhas me mjeshtri kohën kur “lëvizën lugati”. Kësaj radhe te malësorët kishte  një parandjenjë të çuditshme se do ndodhi diçka, sepse ato ditë bisedohej me të madhe  për (anti) ligjin e ri, i cili do e ndërpriste përdorimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat etnike shqiptare të Maqedonisë. E kishin këtë ndjenjë, pasi në shumë shkolla tjera edhe pse me keqardhje, kishin heshtur para kësaj plage të servuar nga pushteti i asaj kohe..., kurse Shipkovica nuk lëshonte pe në këtë fushë të diskriminimit identitar. Për këtë, sikur vinin zëra nga më të ndryshmet se “pushteti do ia kallxonka dhëmbët malësorëve”, edhe pse, pak ma herët, po i njëjti pushtet e kishte marrë përgjigjen te “ Ujti i ftohët”, bile nga gratë malësore e kësaj ane, kur deshën që katundin ta lënë pa ujë edhe pse ky katund jetonte midis ujërave...

 Një pjesë e popullatës i bllokon veturat e policisë që t’i afrohen shkollës

Ky problem i shkollës dhe i shqipes, tani të ndaluar me (anti) ligj, po bisedohej më tepër nëpër çajtoret e katundit, që ditëve të dimrit, si zakonisht janë plotë e përplot me njerëz. Si rrallëherë, katundarët përmes xhamave të dritareve të çajtores, vështronin dëborën që po binte pa ndërprerje. Tymin e duhanit e thithnin deri në fund të mushkërive. Nëpër tavolinat e çajtores, fjala më e dëgjuar ishte se ky dimër do jetë i rëndë, por në të kundërt dëgjohej edhe shprehja se kur ka dimra të mëdha, ai vit do ketë edhe bereqet më tepër, por bashkë me bisedat e tyre, sytë nuk i shkëputnin nga fjollat e shpeshta të dëborës dhe natyra krejt magjepse... Në ato momente, si për ironi të fatit, nxori krye një veturë e kaltër e policisë, prej atyre të mëdhave, plot e mbushur me xhandar dhe vetëm tytat e pushkëve u dukeshin nëpër xhamet e veturës. Edhe pse makina e policisë ishte e tipit Xhip, ajo sërish me shumë vështirësi e ndante dëborën e madhe që kishte zaptuar rrugët e Shipkovicës. Edhe pse as dimri aq i madh dhe as xhipi me xhandar nuk ishin të pëlqyeshëm për banorët e Shipkovicës, por ata ishin të kalitur me fate të vështira. Duke kaluar kampanjolla e xhandarmerisë, vetvetiu, sikur të jepej urdhër nga Zoti i madhërishëm, ata pa një e pa dy, të gjithë e lëshuan çajtoren dhe nisën të ecin pas Xhipit të kaltër drejt të shkollës.

Policët shtesë dhe populli rreth shkollës

Turma gjithnjë e më tepër po shtohej, pasi ata malësor e kanë ruajtur traditën e Kanunit që të veprojnë dhe të jetojnë gjithherë afër dhe për njërin-tjetrin. Në këto momente  banorët e Shipkovicës dukeshin si një lum vërshues, të shoqëruar nga fjollat e pandërprera të borës. Kampanjolla u ndal para dyerve të shkollës fillore “ Rexhep Voka”. U çelën dyert e veturës dhe zbritën policët me automatikët në krah! Në mesin e tyre ishte edhe inspektori i arsimit. Vështruan njëherë rreth e përqark, përveç natyrës mahnitëse që kanë bukuritë e Sharrit, ata u habitën  më tepër nga ky lum vërshues i njerëzve dhe pa u penduar,  hyrën në derën kryesore të shkollës. Tani më Shipkovicasit ishin tubuar të gjithë: bura, gra, vajza, djem të rinj, edhe nxënësit e shkollës. Ky lloj tubimi s’kishte ndodhur më parë, ose ka ndodhur, por unë se kisha përjetuar ndonjëherë tjetër. Sa e dhimbshme aq edhe krenare e tejet madhështore. Sa e frikshme, po aq edhe shpresëdhënëse, sa e ulët nga ana e pushtetit, po aq e bukur nga ana e popullatës Shipkovicase. Të gjithë një zërit thirrshin: “Ç’kërkoni këtu, poshtë aparthejdi, ditarët nuk i japim, shqiptar jemi- shqip do shkruajmë, mos na e prekni gjuhën tonë”, mos e prekni gjuhën e Zotit etj. Brohoritjet bëheshin me afshin më të thellë shpirtëror, sepse kishte zëra që thoshin: “ kanë ardhur policia të na i helmojnë nxënësit, mund të na i arrestojnë arsimtarët, do i konfiskojnë ditarët        (edhe pse kjo e fundit  ishte thelbi kryesor i kësaj katrahure)  e çka nuk dyshohej, pasi, atë katund shumë herë e kishte mësuar përvoja e hidhur me sa e sa sisteme të “dreqit”. Thirrjet e fshatarëve vazhdonin pa ndërprerje me një revoltë tejet therëse edhe pse mësuesit, inspektori dhe policët ishin brenda në shkollë, por thirrjet e protestuesve thernin majat e maleve, e lere më aty brenda në shkollë që assesi nuk kishin mundësi të vepronin lirshëm deri te realizimi i planeve të tyre.

Midis përplasjes të zërave me fjollat e ashpra të dëborës që nuk pushonte që disa orë pa ndërprerje, u paraqit njëri nga mësuesit para masës, me një fytyrë gjysmë të zbehur, me sy të spërhellur, i orientuar nga masa popullore, në drejtim të Logut të Kuvendit, ku, në shpatinë të lugut qëndronin krenar Lisat e Xhepës me mullinjtë e mplakur që sa se sa breza kishin lidhur fatin e jetës së tyre me ta. Pa një, pa dy , mësuesi me një ndjenjë dhe shije të lartë estetike e intelektuale tha:  “Prind të dashur, qytetar të nderuar të Shipkovicës legjendare, ju lutemi që të mos e humbim durimin, mos tentoni të hyni brenda në shkollë se...ku ta dimë se si mund të eskaloi kjo gjendje e rëndë dhe kush e dinë se ku mund të na çoj...” Edhe pse konsiderata ndaj mësuesit ishte e madhe nga qytetarët, ato edhe mësuesit ia ndërprenë bisedën duke thënë : “ Mjaftë duruam, edhe gjuhën e nënës ky shka donë të na e ndërpres. Gjuhën që na e ka falë zoti, si mos e mbrojmë sot, kurë do e mbrojmë, kurë më... “ Dëgjoheshin zëra të shumtë e që të bënin të lumtur edhe para vdekjes. Më kujtohet zëri Lalës Bexhet, Lalës Raif ,etj, etj, që pa ndërpre thoshin “ vetëm sot dua të vdes, unë i pari do vritem me ta...nuk vdes pa e mbytur një...” etj, etj. Përsëri mësuesi deshi që t’i qetësoj disi banorët e tubuar: “ Nuk është qëllimi të vdesim, por të gjejmë rrugën më të mirë! Jemi para një provimi të vështirë dhe ky provim do mençuri të madhe! Të veprojmë ashtu si e kanë zakon këto male, mençuri dhe vetëm mençuri “, vazhdoi mësuesi duke u lutur për qetësim e mençuri...

Kur ballafaqohen e bukura me të shëmtuarën

Bora, si për ironi të fatit, vazhdonte të bjerë pa ndërprerje. Burrat e fshatit ishin të radhitur në rendet e para te telat e shkollës, kurse gratë dhe nxënësit në radhën e dytë dhe të tretë të frontit. Plisat e bardhë dhe shamitë e grave malësore nuk diktoheshin nga dëbora e madhe që binte mbi kokat e tyre. Gratë i kishin të fshehura pushkët nën mbulesat e manteleve. Me vete kishin marrë edhe hy nga shporetet e tyre që për rast nevoje të ua hedhin hirin nga sytë “dreqërve”. pra,  gjatë betejës çdo kush duhej të jepte maksimumin. Nxënësit herë pas here i trandnin flokët e tyre të bukura nga dëbora, por, pasi kaloi shumë orë kjo odesejadë, bora që po shkrihej faqeve të nxënësve, përzihej me lotët e tyre, edhe pse ato nuk e dinin mirë e mirë se çka bëhet me fatin e tyre. Ato ishin solidarizuar me prindërit e tyre dhe kuptonin se diç nuk është mirë, ka ardhur “dikush” t’ua mbylli shkollën. Mësuesit dhe prindërit shpesh u thoshin që të shkojnë në shtëpi, por ato nuk pranon, sikur donin të mësonin historinë se si mbrohet shkolla shqipe duke e përjetuar i parë me sytë e tyre. Nëpër shtëpitë e Shipkovicës kishin mbetur vetëm gjyshet plaka shumë të lodhura, të cilat i ruanin foshnjat, pra , nipat dhe mbesat e tyre, deri sa të ktheheshin prindërit e tyre nga fronti për mbrojtjen e gjuhës shqipe.  Edhe nëse ndonjëri s’do kthehej, ato do zëvendësoheshin nga ato fëmijë që përkundeshin nga gjyshet nëpër djepat malësorçe. Oh çfarë momente estetike! Tragjikja jepte madhështoren, e shëmtuara nxirrte në pah të bukurën, e ulëta kacafytej me të bukurën...  Masa kishin humbur toruan. Tentonin të thyejnë dyert dhe të ballafaqohen fyt për fyte me policinë. Në ato momente tejet të nxehta, u paraqit përsëri mësuesi paqedashës, tani me një qëndrim tejet serioz duke thënë:  “Prindër dhe fshatar të dashur, besoj se ju keni besim të plotë në ne, ashtu siç kemi ne te ju. Koha s’na pret. Fëmijët po na sëmuren në këtë kohë të ligë. Jemi në pikë të rrezikut! Minuta minutës s’i ngjanë! Organet që janë brenda në shkollë nuk munden të bisedojnë me tërë katundin, por ata pranojnë nga ju vetëm një komision prej disa vetave, që do paraqesin revoltën dhe kërkesat tuaja. Ju lutem na kuptoni... “, priu kujdesshëm mësuesi. “ Po, po , pajtohemi, por ne të gjallë e ditarët s’i japim, jo, asnjëherë. Shqiptar jemi, shqip do shkruajmë, “ u dëgjuan zëra nga masa popullore. Me të shpejtë u propozuan anëtarët nga udhëheqja e Bashkësisë lokale, me to  dhe mjeku i fshatit, Refik Vejseli dhe profesori, Ejup Ajdini. Edhe pse afër mësuesit, andej telave të shkollës rinte edhe një polic me armë në kraharor, mësuesi guximshëm edhe njëherë përsëriti komisionin, të cilin e pranuan një zëri. U çel dera e oborrit të shkollës, pastaj një nga një hyri komisioni brenda. Drejtori Hajri Hyseini nuk lëvizte nga vendi i tij i zyrës, sikur nuk  donte  ta lëshoj shkollën në mëshirën e “dreqit”. Sikur s’ka ndodhur gjë. Nga goja e tij , në drejtim të inspektorit dilte vetëm  kjo fjali:  “Këtë e lypët, këtë e gjetët. Tani merruni vesh me popullin...”

Largimi i arsimtarëve  nga shkolla

Dikur ramë në ujdi që të fillojmë

me mbledhjen. Në klasën e madhe të shkollës ishin tubuar: arsimtarë, policë, shërbëtorë, inspektorë të arsimit  dhe komisioni nga bashkësia lokale.  Mbretëronte një ndjenjë e çuditshme, sikur të jesh  para incizimit të ndonjë filmit dhe presës rezultatin e provave... Përveç udhëheqjes së fshatit në komision, edhe profesori edhe doktori njiheshin si veprimtarë të atyre anëve dhe të asaj kohe. Komisioni ishte me përbërje të mirë, por siç dukej i dobët para pushtetit. Mbledhja filloi. Pas drejtorit, i cili tregoi gjendjen reale të kësaj katrahure të nderë, fjalën e mori inspektori si me revoltë, pasi nuk ua mbajti anën drejtori, se, sipas rregullave të pushtetit, drejtorët në përgjithësi duheshka të mbajnë anën e pushtetit, por Shipkovica ishte ndryshe, drejtorin e kishte të vetin, familjar, i dalë nga populli me dinjitet e krenari kombëtare... Bisedat e inspektorit aludonin sikur donte të thotë se pa i marrë ditarët nuk do ktheheshin, pasi ai qenka një urdhër i prerë i pushtetit. Nga ana tjetër masa jashtë telave të shkollës ishin betuar se ditarët nuk do i dorëzojnë policisë deri me vdekjen...dhe puna shkonte nga ajo që, o të dorëzohen ditarët të plotësuar në gjuhën shqipe, dhe pastaj të njëjtët të zëvendësohen me ato të shkruar në gjuhën maqedonase, o do mbyllet shkolla. Inspektori u mundua me metodat më bolshevike që ta arsyetoj ardhjen makabre të tyre, herë me të ashpër, e herë me të butë, por ato mendime nuk pinin ujë te malësorët e pastër, veçmas kur preket identiteti kombëtar në ato male.

Pasi mbaroi fjalën inspektori, të gjithë kishin etje për t’iu kundërvënë, por betejën e mbledhjes e nisi profesori, i cili nuk e dinte se si janë zhvilluar bisedat më parë midis mësuesve, drejtorit, inspektorëve e policisë, por një gjë dihej se qëllimi ishte i njëjtë, duke thënë: “ Shoku inspektor, më lejoni që të marri fjalën në emër të banorëve të Shipkovicës, më konkretisht masës që po proteston para shkollës, të cilët me padurim presin epilogun e kësaj dite të keqe për Shipkovicën. Ne, popullata e kësaj ane nuk e kemi të qartë se pse keni ardhur me polici në shkollë! Çka iu duhen juve dhe policisë ditarët e shkollës sonë. Shkurt dhe shqip, ky katund dhe ky kolektiv, kurën e kurës nuk i dorëzon ditarët! Ditarët janë vetëm për nxënësit dhe arsimtarët. “ Në moment pati një ndërhyrje nga inspektori duke folur papritmas: “Ligji është ligj dhe duhet respektuar! ”  Inspektori, pas përgjigjes së shkurtër dhe pa asnjë arsyetim, filloi të pyes se nga është e kush është ky profesor, ku punon, ç’ka studiuar etj., duke dashur të ngjalli frikë se gjoja pushteti do ta gjejë edhe atë. Në këtë provokim, tani ndërhyri më ashpër  profesori : “Iu lutem mos më ndërpritni, se flas në emër të katundit, në emër të drejtësisë, fëmijëve dhe protestuesve... Unë nuk dijë që ka ligj në botë që vepron kundër popullit, përveç atyre ligjeve që nuk i sjell populli.! Çfarë absurditeti ! çfarë ligji na qenka ky! Pse të gjithë popujt në Jugosllavi kanë të drejtë të shkruajnë dhe të mësojnë nëpër shkolla në gjuhën e tyre?! Kanë të drejtë sepse është e natyrshme. Kurse kjo që bëni ju ndaj neve shqiptarëve, jo vetëm që është larg të natyrshmes, por është edhe antinjerëzore dhe jashtë çdo standardi human e civilizues. Nëse mendoni se është e natyrshme, atëherë pse vallë kjo popullatë proteston para shkollës me orë të tëra? Nëse na merret edhe drejta e shkrimit dhe e mësimit shqip edhe nëpër shkollat fillore, atëherë çka mbetet për neve”...?! Në tjetër diskutues nga mosdurimi ndërhyri pa leje për bisedë duke thënë: “Duam të dimë se pse shkojmë ushtarë të këtij shteti, pse paguajmë tatime, pse shkuam në luftë, gati çdo shtëpi pati nga një partizan, vetëm dëshmorë të këtij katundi janë dymbëdhjetë, e të mos bëjmë fjalë për kontributet historike e praktike të mbarë popullit shqiptarë në Jugosllavi, konkretisht në Maqedoni.! Sikur të kishin ditur të gjithë ata dëshmorë të luftës se, populli i tyre do të ndiqet e persekutohet kaq shumë nga (anti)ligjet e ndryshme dhe policia e vendit, pastaj se do u mohohet edhe shkrimi e mësimi në gjuhën amtare, a do kishte dhënë jetën dikush për liri të rrejshme, pa të drejtat më elementare. Si mendoni”?  Diskutuesi tjetër ia preu shkurt dhe shqip! “ Është koha e fundit që të kuptohemi se ne shqiptarët e duam jetën të barabartë sikur të gjithë popujt tjerë që jetojnë në këtë shtet. Nuk duam as ma shumë e as më pak se popujt tjerë. Si mendoni shoku inspektor, çfarë filozofie është kjo që populli me orë të tëra proteston para dyerve të shkollës. Shikoni pak nga dritarja se si maltretohen fëmijët dhe popullata nga kjo filozofi e pakuptimtë e bashkëjetesës...”

Ballafaqimi i popullatës me veturat e policisë

Kur të pranishmit në klasë kërkonin të marrin fjalën për mbrojtjen e drejtësisë, inspektori e lëshoi mbledhjen dhe shkoi drejt në zyrën ku rinin policët në gjendje gatishmërie për veprim. Ku ta dinim se pse inspektori u largua papritmas...ku ta dinim ne!  Për fillim u krijua një bindje se fjalët e profesorit e bindën disi inspektorin që t’i largohej kësaj të keqe dhe me padurim pritnim për një epilog pozitiv. Tani më para masës doli profesori që t’i informoj protestuesit e Shipkovicës për rrjedhat e mbledhjes: “Bashkëfshatar dhe prindër të nderuar, komisioni e bëri të veten. Ne i thamë të gjitha ato që duhet thënë, ata që ditëm edhe pse ata nuk ndenjën deri në fund t’i dëgjojnë të gjitha mendimet tona, por mendojmë se edhe ata që i thamë , ishin të mjaftueshme për të lëshuar pe nga kjo e keqe e kurdisur.. Besojmë se bisedat tona kanë ndikuar në ndërgjegjen e tyre dhe shpresojmë që të jenë bindur dhe për pak presim që të na lajmërojnë dhe të na lejnë të qetë shkollën dhe katundin tonë”. Duke thënë profesori këto fjalë, te kthesa në drejtim të ambulancës, nxorën kokë edhe shumë kampanjolla tjera të policisë, si përforcim të realizimit të planit të njohur. Protestuesit ua zunë rrugën dhe nuk i lejonin kampanjollat që t’i afrohen shkollës. Njëri nga policët  pranë profesorit e përmendi emrin Naim dhe filloi të flas diç.  Në fillim, nga kjo ulërimë, profesori nuk e  përfilli fort e fort, por kur tha se “të kam vëlla”, atëherë filloi ta përcjell më me vëmendje: “Profesor, unë iu njoh juve! Dhembjen e kemi të përbashkët. Unë nuk do të gjuaj mbi popullin tim, dhe pushkën do ua japi juve, por një gjë të lutem kuptomë! Kuptomë vetëm në ty, në ty kam besim. Qëllimi i kësaj kataklizme nuk janë ditarët! Ditarët munden t’i marrin kurë të duan, qoftë ditën, qoftë edhe natën... variante e variante kanë për t’i marrë, por, profesor i dashur, qëllimi është të bëhet një gjakderdhje në këtë katund dhe t’i shtinë frikën njëherë e përgjithmonë kësaj popullate... dhe kur të realizohet në Shoipkovicë, pastaj me viset tjera e kanë më lehtë. Kemi informata se edhe shumë njerëz nga Tetova e fshatrat për rreth janë nisur maleve për në Shipkovicë. E kupton i nderuar nga na çojnë këto rrugë. Ju lutem, thirri mësuesit, Doktorin, komisionin dhe ta shpëtojmë Shipkovicën e lodhur...”. Policin dashamirës e kuptuam mirë e mirë. Në ato momente, në zyrën e arsimtarëve e filluam mbledhjen e shpejtuar në këmbë, por tani pa pjesëmarrjen e policëve dhe të inspektorit. Komisionin bashkë me drejtorin dhe arsimtarët për pak minuta vendosëm që të fshihen ditarët, të marrim drejtorin dhe mësuesit dhe bashkë me masën ta lëshojmë shkollën. Shërbëtorët ende pa marrë urdhrin prej drejtorit, ata njëzëri dëshmuan se i kanë fshehur ditarët në vende shumë të sigurta!... Situata po merrte epilogun pozitiv më të mundshëm. Problemi më i madh ishte se kush do të del para masës që t’i bindë shipkovicasit për këtë vendim. Askush nuk kishte forcë më të madhe dhe besim  më të thellë për ato momente, përveç mjekut të katundit , Refik Vejselit, i cili ishte më autoritativi për kohën.  Me të dalë para masës sërish, doktori, një burë i zhvilluar, truplartë, me mustaqe korb të zeza, me një moshë dyzetvjeçare, me studime të kryera në Çekosllovaki, edhe atë, shkencat e mjekësisë, që e bënin atë, sa profesionalist,  sa kombëtar, po aq edhe madhështor, veçmas në momentin kur do i besonte popullata dhe do të bashkoheshim rreth një qëllimi të vetëm.

Momenti më i nxehtë kur pritet një vendim...

Tani më policia kishte dhënë urdhër për dorëzim të ditarëve ose nisën...më e keqja...Policia e ardhur shtesë, ndodhej në fund të protestuesve, kurse Doktori u kap për hekurat e derës së shkollës, vuri këmbët në pjesë të hekurave të derës dhe gjysma e trupit të doktorit u ngritë mbi derën e shkollës dhe me njërën dorë mbahej për hekurin e fundit të derës, kurse tjetrën e kishte orientuar si shqiponjë me një krah para masës: ” popull i dashur”, bërtiti sa mundi Doktori! Ju lutem na kuptoni drejtë dhe të mos biem në këtë provokim të kurdisur. Këtyre s’ju duhen ditarët, por qëllimi është që të nxitet incidenti dhe pastaj të bëjnë çka të duan me ne...Mjetet luftarake që keni ju në duart tuaja nuk janë të barabarta me ato të policisë. Nëse keni besim te inteligjencia e këtij vendi, komisioni që zgjodhët, ju lutemi, ne kemi vendosur që të nisemi drejt shtëpive tona. Ditarët janë të fshehur në vendet shumë të sigurta, e ata le të veprojnë si të duan me muret e shkollës, le të veprojnë si të duan, por ju të jeni të sigurt se edhe për ne do vijnë ditë të lumtura me këtë popullatë e rini të shkëlqyer që kemi...pra të shkojmë, Ju lutemi... “

Pas një heshtje të shkulur, një zë nga popullata u dëgjua: “ Mirë Doktor, po, juve u besojmë, por ne nuk nisemi pa i parë arsimtarët dhe drejtorin  në mesin tonë. Vetëm atëherë do nisemi... “ Xixa gëzimi shpërthenin para syve të komisionit, pasi dukej një copë drite në fund të këtij tuneli të rrënuar. Mirë, thirri doktori, “ju faleminderit për besimin e mirëkuptimin”.  Doktor Refiku kërceu nga dera e shkollës në këmbë sikur te ishte një djalë i ri.  I lajmëruam arsimtarët, kurse  profesori mbante përkrahu drejtorin, Hajriun, të cilin edhe e kishte shokun më të dashur të fëmijërisë dhe dukeshin sikur ktheheshin nga një betejë më triumfaliste e atyre anëve. Një nga një arsimtarët u përzien me popullin pas sa orë proteste, tani më ishin së bashku, burrat e fshatit, gratë, të rinjtë e të rejat, nënat me nxënësit e tyre dhe gjithë së bashku ecnin nga rruga kryesore e Shipkovicës. Gjatë rrugës, arsimtarët dukeshin sikur luftëtarët midis popullit, kurse drejtori si gjenerali që diti ta ruaj ushtrinë e vet të paprekur.                                

Klasat e demoluara nga policia për t’i gjetur ditarët e fshehur nëpër shkollë

Dalëngadalë, me largimin e popullatës nga logu i kuvendit, tek shkolla, vendi dukej i shkretë. Nga larg dëgjohej ndonjë thyerje ormanësh në shkollë, thyerje të pakuptimta sa që, po të kalonte ndonjë njeri i rastit, mund të mendonte se në shkollë kanë hyrë lugetërit! Jashtë shkollës ishte qetësi e madhe. Tani më bora kishte pushuar së rëni. Lisat e Sharrit kishin ulur kokën nga dëbora e madhe që po i rëndonte dhe qëndronin me shpresë se pranvera do vijë edhe për Shipkovicën. Të gjitha majat e kodrave të sharit për rreth ishin mbuluar me të bardhë. Edhe ai pak diell që u duk në majat e kodrës përballë u humb. Të ftohtit e dimri filloi të shtrëngoj gjithandej. Terri kaploi malësinë. Fëmijët nuk i zinte gjumi..mendonin se, çka do bëhet  me shkollën e tyre. Nuk e kishin të qartë pse policët i nxorën nga shkolla! Çka do bëhet nesër!...Oxhaqet e shtëpive në malësi, atë natë nxirrnin tym të pandërprerë shumë më tepër se netëve tjera. Nga larg filluan të dëgjohen të lehura qensh.

(Gazeta LAJM)




Lajmet e funditTë rëndomta