hën05202013

Perditesimi i fundit10:13:08 MD

Back Opinion Opinion Leverdia prej sharjes dhe ofendimit

Leverdia prej sharjes dhe ofendimit

  • PDF

Salajdin SALIHU


Vende të ndryshme, zakone të ndryshme. Diku ngjarjet e rëndomta janë të pahetueshme. Diku ngjarjet e rëndomta i tronditin ekranet televizive dhe i mbushin ballinat e gazetave.

 

Ndër ne çdo kollitje politikanësh përbën lajm. Është lajm kur politikani shkon në shfaqje dhe është më i rëndësishëm se sa aktori, regjisori, dramaturgu. Është lajm kur shkon në ekspozitë dhe është më i rëndësishëm se sa piktori. Është lajm kur shkon në promovim libri dhe është më i rëndësishëm se sa autori i librit. Është lajm kur shkon në ndeshje futbolli dhe është më i rëndësishëm se sa ndeshja. Por lajm përmbi lajme, që duhet ta dijë i madh e i vogël, është kur ndodh ndonjë takim politikanësh proveniencash të ndryshme politike.

Takimet e këtilla ndodhin rrallë, sepse politikanët tanë e konsiderojnë njëri tjetrin si armiq për jetë a vdekje. Ndodhin ose kur i detyron një i tretë ose kur nuk kanë zgjidhje përveçse të shfaqen bashkërisht para kamerave, të bindur se leverdia do të jetë e dyanshme, falë "fotografisë së përbashkët", që shitet si imazh afërsie mes armiqve të përbetuar. Një imazh i këtillë qetëson të vdekshmit e zakonshëm, të lodhur nga tensionet, që adhurojnë idenë e bashkimit, në dukje fisnike, por në thelb përjashtuese për pluralitetin politik në një shoqëri normale demokratike, ku takimet e politikanëve, që u përkasin partive të ndryshme politike, janë të zakonshme, ashtu sikurse edhe drekat e darkat private ndërmjet tyre.

Në shoqëri normale demokratike nuk kërkohet çdokush të mendojë e të veprojë njësoj politikisht, por synohet dialogimi ndërmjet atyre që kanë botëshikime të ndryshme mbi botën dhe që duan të afrohen për gjërat e përbashkëta që i ndajnë. Në shoqërinë tonë ke frikë të takohesh me një mik fëmijërie, nëse ai është anëtar i ndonjë partie tjetër. Ai që nuk është me ne, detyrimisht është i ligu, i poshtri, i pandershmi! Ai që nuk është si ne, detyrimisht duhet që të zhbëhet nga faqja e dheut!

 E sa për afrimin e ndonjëhershëm të oponentëve politikë, përvoja ka dëshmuar se ka ndodhur jo për të sjellë mrekulli çudibërëse, por për të fshehur mashtrimin e radhës. Kjo sepse ka diçka që i bashkon. I bashkon dëshira për të krijuar tensione për gjëra të parëndësishme dhe për t'i ndarë njerëzit në taborë të acaruar.

Tensionimet e këtilla në shoqërinë shqiptare kanë qenë me leverdi për autoritetet politike. Politikanët nëpërmjet sharjeve dhe ofendimeve kanë mundur të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Sepse-ja është e thjeshtë: janë marrë me ofendime ngase nuk kanë pasur oferta të qarta politike.

Tensionet zakonisht janë thelluar në prag të cikleve zgjedhore. Pasi shumica e qytetarëve nuk kanë motiv për të dalë në votime, sepse janë mashtruar shumë herë, politikanët krijojnë situata të tensionuara "për jetë a vdekje", që të trandin indiferencën e tyre e më pas t'i manipulojnë me refrenet e përsëritura në çdo cikël zgjedhor. Tensionimet e këtilla nuk bëhen për simpatizuesit dhe anëtarët e partive politike, sepse për ata nuk ka nevojë as për fushatë zgjedhore. E pasi vetëm ata nuk janë të mjaftueshëm, nevojitet sensibilizimi i votuesve të papërcaktuar. Kjo ndodh kudo, por tek ne  kjo synohet të arrihet duke e kontaminuar ambientin me shprehje të padenja për personat publik.

Sikurse dihet, komunikimi politik përfshin "të gjithë diskursin politik", gjegjësisht të gjithë elementet e komunikimit që krijojnë imazh apo identitet politik. Në rastin tonë, politikanët preferojnë të krijojnë imazh dhe identitet duke sajuar konflikte të kota dhe armiq të shumtë, për sa kohë nuk kanë çfarë të raportojnë mbi risitë e mundshme. Në vend të ofrimit koncepteve të qarta politike dhe veprimeve konkrete, ka përplasje që ngjajnë si kacafytje personale për motive të ulëta. Muhabete çarshish barten nëpër institucione publike e shtetërore. Krijohet atmosfera ku askush askënd nuk e dëgjon; ku secili mendon se çfarë do të flasë vetë edhe pse kultura politike nënkupton, para së gjithash, ta dëgjosh tjetrin kujdesshëm dhe pastaj t'i kundërvihesh me argumente nëse nuk pajtohesh me të. Gjithkush di të shajë dhe të fyejë, prandaj shumëkush ka ambicie të mëdha. E pse të mos ketë ambicie kur nga politikani nuk kërkohen ide dhe projekte të qarta politike, por vetëm abstraksione që nuk thonë gjë dhe nuk e përmirësojnë jetën e njerëzve.

Politikanët tanë nuk janë të interesuar për cilësi në komunikimin politik, sepse cilësia do të përjashtonte nga skena publike shumë protagonistë të tanishëm, të cilët thonë të njëjtat gjëra, në të njëjtën mënyrë, në vende dhe në kohë të ndryshme. Dinë vetëm të kacafyten për gjëra koti, të fyejnë kundërshtarin politik, ngase nuk kanë tjetër se çfarë të thonë. Thuhet se kundërshtari politik estetikisht nuk është i shëmtuar, moralisht nuk është i keq, ai vetëm mendon ndryshe, por megjithatë mendon. Kur askush nuk mendon, atëherë gjithkush mund të shajë. E mesdhetarët kanë fond të pasur sharjesh, që sipas Predrag Matvejeviqit, sikurse e thotë në librin "Doracak mbi Mesdheun", u ndodh për shkak të gjeografisë. Kjo sepse shpesh u bie vapa në kokë. Por sharja nuk është meritë e mençurisë njerëzore. Megjithatë, nëpërmjet sharjeve mund të mësojmë për karakterin e njerëzve dhe popujve.

Kur sharjet mbarten në institucionet shtetërore, kur përdoren nga politikanët dhe njerëzit publik, lind dyshimi nëse jemi shoqëri që adhuron ekspertët e sharjes dhe fyerjes, ndonëse kjo është gjuhë e mendjes së ngushtë e jo prodhimtare, që përjashton përkufizimin e Hajdegerit për gjuhën si "mjet mirëkuptimi". Nëse është kështu atëherë mund të themi se politikanët e kanë gjetur kodin për të qenë në qendër të vëmendjes...




Lajmet e funditTë rëndomta