DIE05262013

Perditesimi i fundit07:34:33 MD

Back Opinion Opinion Një rrëfim “i imagjinuar” për mençurinë politike

Një rrëfim “i imagjinuar” për mençurinë politike

  • PDF

Bejtullah Mustafai

Si mund të dallojmë të mençurin nga i çmenduri? Një zyrtar i qeverisë shkon për vizitë në spitalin psikiatrik dhe e pyet doktorin se si e bëjnë dallimin e njerëzve të çmendur nga ata të mençur.

Doktori i përgjigjet: Zakonisht e mbushim një vaskë plot me ujë, dhe pastaj u japim një lugë, një gotë dhe një kovë. Më pastaj e pyesim se si do të kishte zbrazur ujin nga vaska.
Zyrtari i qeverisë: Ahaaaaaa,  tani e kuptova se si. Sigurisht që njeriu i mençur e zgjedh kovën, pasi që është më e madhe dhe më lehtë e më shpejt mund të zbrazet vaska.
Doktori: Jo, jo! Njeriu i mençur e heq tapën e vaskës dhe e zbraz ujin. Mendja është për të gjetur një zgjidhje tjetër, përpos asaj që na ofrohet neve.
Ky dialog i imagjinuar, ndoshta edhe s’ka ndodhur asnjëherë në praktikë, por na jep një mesazh të qartë dhe domethënës jo vetëm për qytetarin e rëndomtë, por edhe për zyrtarët e qeverisë se si mund të gjendet zgjidhja më e mirë. Shpesh herë pyetemi se  ku janë ata njerëz të urtë të këtij populli, të cilët “do ta hiqnin tapën e vaskës, në vend se të zgjedhin kovën apo lugën” për zbrazjen e vaskës.
Natyrisht që kemi njerëz racionalë dhe me mendje të shëndoshë. Por, atëherë, pse ne na ofrohet vetëm luga dhe gota për ta zbrazur vaskën, ndërsa kova vetëm atëherë kur vjen koha e zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket heqjes së tapës nga vaska, ajo konsiderohet si një punë tepër e madhe, madje si e guximshme, patriotike...
Marrim një shembull konkret “për heqjen e tapës nga vaska” në shtetin gjerman: pas kapitullimit në Luftën e Dytë Botërore, shteti Gjerman që humbi luftën kundrejt fuqive të mëdha, kishte krijuar një frikë dhe mosbesim ndaj botës. Si rezultat i kësaj frike, gjermanëve do t’u duhej një ndryshim prej 180 shkallësh, me qëllim që të rikthente besimin ndaj botës. Për ta ndryshuar këtë bindje, intelektualët gjermanë u mblodhën, diskutuan dhe arritën në një përfundim: çdo gjerman do të mësojë dhe punojë shumë e më shumë së të tjerët, ndërsa atë punë që do të bëjë e do të mësojë, do të jetë më e mira dhe më cilësorja në krahasim me të tjerët. Sepse, logjika e shëndoshë thotë që produktin e mirë dhe cilësor do të interesohet ta blejë edhe armiku. Dhe ky orientim gjerman dha frytet për një kohë të shkurtër, kështu që nuk është e rastit që Gjermania sot është lokomotiva kryesore e Bashkimit Evropian dhe është një fuqi botërore.
Të kthehemi, pra, ndaj vetvetes. Populli ynë ka pasur gjithherë njerëz të mençur, këtë na e dëshmon edhe historia, por ne na mungojnë njerëz me observime të drejta të situatës, njerëz që nuk lakmojnë pas pasurisë në kurriz të popullit, njerëz egoistë, materialistë, xheloz, që vënë interesin vetjak mbi atë të popullit, por na duhen njerëz në radhë të parë me moral të lartë dhe që janë përgjegjës për veprimet e veta.
Këtu nuk mund të kapërcehet pa përmendur fjalët e intelektualit të madh, Fetullah Gylen nga Turqia, i cili në suaza botërore është vlerësuar si njëri ndër 100 intelektualët më me ndikim në botë: “Ata që orvatën të reformojnë botën, duhet së pari të reformojnë vetveten. Në përpjekje për të bindur të tjerët që të ndjekin udhën për një botë më të mirë, ata duhet të largohen nga bota e tyre e brendshme, nga urrejtja, smira, xhelozia dhe të zbukurojnë botën jashtë qenies së tyre me të gjitha virtytet dhe cilësitë njerëzore”.
Si përfundim. Nuk na mbetet ne asgjë tjetër përpos porosisë së doktorit, që të mos heqim ujin nga vaska me lugë, por ta heqim tapën që të mund të rrjedhë menjëherë uji i fëlliqur. Kjo është terapia më e mirë për ne dhe për situatën në të cilën gjendemi.






Lajmet e funditTë rëndomta