DIE05192013

Perditesimi i fundit08:28:20 MD

Back Opinion Opinion Politika e refuzimit

Politika e refuzimit

  • PDF

SALAJDIN SALIHU

 Jetojmë në një shoqëri ku mungon vullneti politik për të respektuar dallimet gjuhësore, kulturore, kombëtare, religjioze. Jetojmë në një shoqëri ku stimulohet dominimi kulturor.

Jetojmë në një shoqëri ku, në vend të respektit, sfidohet “tjetri” sipas një skeme të paracaktuar institucionale. Jetojmë në një shoqëri ku shumica e shtetasve janë privuar nga të drejtat qytetare. Jetojmë në një shoqëri ku ka humbur autonomia e sferave shoqërore. E tillë ka qenë kjo shoqëri dhe e tillë është sot, sepse klasa politike maqedonase (e tanishmja dhe e dikurshmja) nuk ka provuar ta përkufizojë identitetin politik në dialog me “tjetrin”. Ky “dialog” me palën shqiptare është bërë formalisht nëpër kabinete qeveritare, por nuk ka reflektuar në shoqëri, prandaj  e kemi të ndarë sipas vijave etnike. Klasa politike shqiptare, në anën tjetër, me vite e ka pranuar imazhin përçmues për vetveten. E shfaqur me këtë imazh inferior, ajo e ka humbur ndjenjën e vetë-respektit që, siç thuhet, pamundëson të shfrytëzosh mundësitë tua. Franc Fanon thoshte se kolonizatorët ua impononin popujve të nënshtruar imazhin apo ndjenjën e të qenit njeri i kolonizuar. Popujt e nënshtruar, thoshte ai, që të jenë të lirë, së pari duhet që të çlirohen nga ky imazh përçmues.

Pra, në Maqedoni, në vazhdimësi, në vend të dialogut funksional është preferuar monologu. Është preferuar mospranimi i “tjetrit”, i cili konsiderohet si “rreziku permanent” që duhet të jetë “nën mbikëqyrjen e përhershme”. Ky mospranim, sikurse na sugjeron Çarls Tejlori, të cilit do t’i referohemi në vazhdim, nuk është veçse “formë represioni”. Logjika përjashtuese, arrogante dhe mohuese kundrejt “tjetrit”, në shoqëri ku ekzistojnë kultura e gjuhë të ndryshme, kombe e religjione të ndryshme, përjashton çdo lloj perspektive dhe krijon antagonizma që më pas nxisin qasje të tjera për rregullimin shtetëror ose çojnë në dekompozimin shtetëror. Janë të panumërt autorët që kanë shkruar mbi funksionimin e shoqërive shumë-kulturore, që na orientojnë tek e sipërthëna. Pa dyshim, një ndër ta është edhe Çarls Tejlori, mendimet e të cilit do t’i përqasim me realitetin tonë kulturor e politik.

Si njohës problemesh socio-kulturore ai konsideron se një shoqëri shumë-kulturore mund të ekzistojë normalisht vetëm nëpërmjet politikës së pranimit të barabartë të kulturave të ndryshme. E kundërta ndodh kur përballesh me trysninë e politikës së mospranimit, më saktë, të politikës së refuzimit të “tjetrit”, sikurse ndodh në Maqedoni, për çka mund të japim shumë shembuj, sikurse: refuzimi i përdorimit të gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore, logjika mohuese kundrejt kulturës shqiptare, imponimi i një këndvështrimi totalitar historik,  që refuzohet nga shqiptarët, imponimi i teksteve mësimore të shkruara me diskurs fyes...

Këtë temë e kemi trajtuar dhe herë të tjera në shkrimet paraprake, por e shohim të nevojshme t’i rikthehemi nëpërmjet përqasjes me pikëpamjet e këtij autori, duke dhënë një dëshmi më shumë se atë që kemi thënë deri tani ka qenë e bazuar në dije sociologjike dhe jo sa për të mbushur faqe revistash apo gazetash, përkundër faktit se, në shumë raste, politikanët shqiptarë, duke parë botën me dioptri të mjegullt politike, i kanë barazuar analizat tona me ca mendime çasti që nuk thonë gjë. U jemi referuar modeleve dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve specifike në shoqëri shumë-kulturore, duke u bërë politikanëve tanë shërbime pa pagesë, për t’i vetëdijesuar se modelet e këtilla bota demokratike kaherë i ka implementuar në praktikë. A ia vlen të harxhosh mund e net pa gjumë për shërbime të këtilla, kur ata nuk merren me “teorira”, por me gjëra “konkrete”? Kanë qenë gjërat “konkrete” që kanë pamundësuar zhvillimin e proceseve shoqërore në formë lineare dhe i kanë kthyer problemet e vjetra në kohëra të reja, në formë ciklike. Ka ndodhur kështu sepse për interesa meskine janë pranuar modele të cunguara politike që nuk korrespondojnë me realitetin ekzistues. Nuk është mbajtur llogari se zgjidhjet e cunguara janë hakmarrëse dhe u hapin udhë kërkesave të tjera politike. Me të drejtë. Kur diçka nuk funksionon atëherë duhet ndërruar...

Mospranimi ose pranimi i mangët i kulturës së tjetrit, thotë Tejlor, rrezikon që të shkaktojë dëme të pariparueshme për një shtet ku kemi kultura të ndryshme. Ky mospranim rezulton me përçmimin e kulturës së “tjetrit”, mbyllje brenda botës së rrejshme, të pa-formësuar dhe të reduktuar. Si i tillë është antidemokratik, sepse thelbi i demokracisë së vërtetë, sipas tij, është pranimi me status të barabartë të kulturave, gjinive, pra të dallimeve. Në përqasje me këtë që thotë ai, mund të themi se në Maqedoni kemi edhe mungesë kapacitetesh të demokracisë.

Po sipas këtij autori, politika e pranimit të dallimeve kërkon njohje dhe garantim të një statusi të barabartë të së veçantës dhe të dallueshmes nga identiteti ynë. Kërkon pranimin e specifikave të tjetrit. Kërkon që dallimet të kenë trajtim të veçantë. Disa studiues shkojnë më larg se kaq. Kërkojnë të drejta specifike për popujt autoktonë, që, në periudha të caktuara historike, për shkak të rrethanave politike, u janë mohuar të drejtat kolektive. Në këtë mënyrë atyre u kompensohet  padrejtësia historike. Në Maqedoni jo që nuk është bërë kompensimi i padrejtësisë historike, por vazhdohet me padrejtësi të tjera në të gjitha sferat shoqërore, kjo edhe për shkak të atij imazhi që e përmend Fanoni.

Sipas Tejlorit, në shoqëritë shumë-kulturore, kulturave duhet që t’u mundësohet jo vetëm të mbijetojnë por të theksojnë rëndësinë e tyre. Kjo duhet bërë sepse shoqëritë shumë-kulturore mund të shpërbëhen për shkak të dhënies së rëndësisë të njërit grup karshi grupit tjetër. Demokracitë e zhvilluara, sipas tij, udhëhiqen nga kryefjala se çdo njeri dhe kolektivitet meriton respekt të veçantë, sepse kanë potencial për të formësuar dhe për të përkufizuar identitetin e tyre. Çdo qëndrim mohues ndaj kulturës tjetër, duke e cilësuar si inferiore, konsiderohet si arrogancë dhe nuk tolerohet, me qëllim që të ruhen ekuilibrat brenda një shoqërie të kësaj natyre. Si kundërvënie Tejlori e thekson kërkesën për pranim të barabartë të potencialit kulturor të të gjithë njerëzve brenda një shoqërie, shfrytëzimin e këtij potenciali dhe jo përjashtimin e tij. Në analogji mund të themi se në Maqedoni vazhdimisht kemi pasur arrogancë institucionale ndaj kulturës shqiptare, ka munguar respekti ndaj vlerave kulturore shqiptare, ka pasur diskriminim të hapur kulturor, arsimor, gjithsesi edhe ekonomik. Nuk ka ndodhur që të shfrytëzohet potenciali i sipërthënë. Natyrisht, nuk duhet amnistuar, në asnjë rast, faktorin politik shqiptar, që ka avancuar në pozita njerëz pa asnjë meritë profesionale, madje që kanë punuar në dëm të kulturës shqiptare, për çka do të flasim në ndonjë rast tjetër.

Ky mendimtar, duke iu referuar Herderit se “shumëllojshmëria nuk është rastësi, por vepër hyjnore për të krijuar një harmoni më të madhe”, konsideron se ashtu sikurse secili ka të drejtë të gëzojë të drejta të barabarta qytetare dhe elektorale, pa dallim se cilit komb, cilës racë, cilës kulturë, apo cilës gjini i përket, po ashtu duhet të ndjejë kënaqësi se kultura e tij tradicionale është e vlefshme. Që të ndodh kjo duhet që të rrënohen jo vetëm barrikadat e jashtme, por edhe të brendshme. Të punohet institucionalisht jo për sforcimin e stereotipave, por shmangien e tyre. Institucionet publike t’i respektojnë skajshmërisht identitetet e veçanta kulturore të qytetarëve, veçanërisht nëpërmjet programeve arsimore. Diçka që nuk ndodh në Maqedoni, për sa kohë programet arsimore janë të papranueshme për shqiptarët, të cilët nuk pranojnë konceptin e imponuar mbi vlerën e kulturës së tyre.

Shoqëritë e njëmendta shumë-kulturore mund të funksionojnë vetëm në sajë të respektimit të të gjithë njerëzve, pavarësisht cilës kulturë u përkasin dhe çfarë identiteti kanë. Kjo nënkupton neutralitet të sferës publike, si mbrojtëse e lirisë dhe barazisë qytetare. Diçka që nuk ndodh këtu, ku institucionet publike, në vend se t’i pranojnë, i injorojnë veçantitë kulturore, gjuhësore etj.

Sipas Tejlorit shoqëritë shumë-kulturore dhe bashkësitë që synojnë lirinë dhe barazinë e të gjithë njerëzve, bazohen në respektimin e përbashkët të dallimeve të zgjuara intelektuale, politike dhe kulturore. Si të tilla mund të ndërtohen vetëm nëpërmjet një vullneti të madh dhe aftësie për artikulimin e mospajtimeve tona, nëpërmjet tolerancës ndaj qëndrimeve me të cilat nuk pajtohemi dhe nëpërmjet krijimit të mundësisë për të menduar atëherë kur do të përballemi me kritikë të argumentuar. Për momentin mungon ky vullnet dhe kjo vetëdije politike. Mungesa e kësaj vetëdije politike hap shumë dilema dhe është kazma që rrënon godinën të cilën dikush e mendon si të përbashkët, e dikush si ekskluzivisht të veten.




Lajmet e funditTë rëndomta