Udhëheqësi i dashur i UÇK-së, Ramush Haradinaj, mori mirënjohjen Qytetar Nderi i Komunës së Tetovës, por la pa diplomë Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH). Kryetari i saj, Menduh Thaçi, u tha qytetarëve të tubuar (pra, jo vetëm anëtarësisë) në solemnitetin e rastit:
"Ju kujtohet, kur të gjithë hoqën dorë nga ne në vitin 2008-9, z. Haradinaj ishte i vetmi që pati besim te ju."
Sot, gati se pas pesë viteve shkollore, ende pa filluar mirë e mirë zgjedhjet lokale, momenti politik në Tetovë kthehet në një ekuacion me dy të panjohura, nga katër sa ishte realisht.
Siç e ka përshkruar "Utrinski vesnik" më 2 shkurt, Kryetari i Komunës, prof. dr. Sadi Bexheti, kishte thënë "i relaksuar": "Maqedonasit vendosin për fituesin në Tetovë."
Nëse kjo është kështu, atëherë përse "u nguc kosherja me grerëza", duke i dhënë këtë mirënjohje komandantit legjendar, i liruar si i pafajshëm nga Haga më 29.11.2012, përkatësisht më 9.1.2013, kur e merr vendimin?
Matja me kilogram e UÇK-së (barabar-sa ka BDI, të ketë edhe PDSH) ka gjasa që Sadi Bexhetin ta largojë definitivisht nga një mandat i dytë.
Si mund të bëhet kjo?
Nëse është e vërtetë ajo që thotë Kryetari Komunal aktual, atëherë del se të gjithë maqedonasit do ta marrin si pretekst mirënjohjen që i është dhënë Ramush Haradinajt dhe votat e tyre do t'ia japin kandidatit maqedonas, ose Teuta Arifit nga BDI. Pra, as Izet Zeqirit nga RDK.
Humbja e Tetovës do të jetë edhe një tallkin për vetë PDSH-në, ose shndërrimin e saj në një PRUP a Demokraci të Re (të fitojë komuna të vogla, rurale).
Po prej nga i gjithë ky katapult?
Ardhja "te shefi i Ali Ahmetit", Menduh Thaçin e shndërroi në peng të Nikolla Gruevskit, njësoj si kryetarin e BDI-së. Duke qenë se kjo parti nuk u la të dilte në zgjedhjet lokale me Hazbi Likën, një ish-kuadër i lartë i UÇK-së, por u parapëlqye Teuta Arifi, atëherë Nderi i shqiptarëve të Maqedonisë për Ramush Haradinajn ka gjasa të jetë menduar si një këngë e mjellmës për Sadi Bexhetin në radhë të parë, po pastaj edhe për partinë e tij.
Kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij, slogani i së cilës është "ende kohë komitare", është mjeshtër i madh i këtyre situatave. Duke i mbajtur peng dy udhëheqësit shqiptarë, ai faktikisht po tallet me inteligjencën e të gjithë shqiptarëve (pra, jo vetëm të këtyre në Maqedoni).
Ramush Haradinaj u nxitua kur i kërkoi Hashim Thaçit copën e pushtetit pa zgjedhje. Të njëjtën gjë e bëri edhe në Tetovë, ku u desh që Menduh Thaçit t'i lypte diplomën e forcimit të partisë së tij, e jo t'i merrte mirënjohjen dhe të kthehej në Gllogjan pa e vrarë mendjen se çka lë prapa.


