Diana REXHEPI
E mundshme është përsëritja e një konflikti të armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve rreth Maqedonisë, për dy apo tre vjet.
Politikanë serbë shohin gjasa të shumta për tensione të reja ndërkufitare, ku Serbia do të fitonte pjesën veriore të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër do të mund t’i bashkohej Shqipërisë. Sipas po kësaj logjike synohet të fitohet edhe Republika Serbe, autoritetet e së cilës nuk e pranojnë diktatin e Sarajevës
Me të qenë mysafir i ditarit të televizionit “HRT”, më 14 korrik, kryeministri i dikurshëm i Maqedonisë dhe ish-kryetar i partisë qeveritare në vend “VMRO-DPMNE”, Lupçe Georgievski, shokoi opinionin, duke i zbuluar hollësitë e autobiografisë së porsabotuar të tij, në të cilën ai flet për atë se si me ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiq, dy herë gjatë vitit 2003 kishte diskutuar rreth ndarjes së Maqedonisë dhe Kosovës ndërmjet serbëve, maqedonasve dhe shqiptarëve. Ai ka thënë po ashtu se në këto bisedimeve nuk kanë marrë pjesë shqiptarët, pasi që, siç tha ai, ishte paraparë që kjo ide të lihej “të rrinte” pak. Ndërkohë, Gjingjiq u vra, kështu që ideja dhe qëllimi i Gjingjiqit dhe Georgievskit për ndryshimin e kufijve dhe zhvendosjen humane nuk u jetësua dhe as nuk u vu në veprim. Megjithatë, kujtojmë se si ish-kryeministri Lupçe Georgievski ka dhënë dorëheqjen në vitin 2003 nga posti i kryetarit të partisë së tij dhe ka deklaruar publikisht se zotohet për ndarjen e Maqedonisë. Ai ka thënë se e ka për obligim të japë dorëheqjen nga posti kryetarit të “VMRO-DPMNE”-së, pasi që si kryeministër dhe kryetar i partisë në vitin 2001 e ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit për ndaljen e luftës dhe fillimin e paqes dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni. Duke e shqiptuar me këtë rast frazën: “Marrëveshja e Ohrit është e vdekur”, Georgievski u deklarua publikisht për ndarjen e Maqedonisë.Ideja për ndarjen dhe\apo ndryshimin e kufijve etnikë nëpërmjet “zhvendosjes humane” të shqiptarëve, serbëve dhe maqedonasve është dukshëm më e vjetër sesa që atë e shpikën Gjingjiqi dhe Georgievski.
Autorë të saj janë anëtarët e SANU-së, nga Franca, në Beograd. Për idenë e ndarjes së Maqedonisë ka folur edhe Radovan Karaxhiqi gjatë bisedimeve serbo-kroate në Gras, më 1992. Sipas një deklarate të paautorizuar të Sllavko Degoricijes, njërit prej pjesëmarrësve të bisedimeve serbo-kroate, Karaxhiqi atëbotë kishte thënë: “Po çfarë Maqedonie bre, ky shtet nuk ekziston. Një pjesë i shkon Bullgarisë, një neve dhe një pjesë shqiptarëve”.
Megjithatë, gjëja më serioze e gjithë këtij rrëfimi është fakti se nga ideja e ndarjes dhe e ndryshimit të kufijve të Maqedonisë dhe Kosovës në pako, nuk kanë hequr dorë qarqet aktuale politike në Beograd dhe njësitet serbe të zbulimit, e as bashkëmendimtarët e tyre dhe\apo disa eksponentë në Maqedoni. Mirëpo rrethanat dhe plani i realizimit të ndarjes së Kosovës dhe Maqedonisë kanë ndryshuar. Ndërkohë, Kosova ka shpallur pavarësinë, ndërsa shtetësinë e saj e kanë njohur shumica e shteteve anëtare të BE-së bashkë me më shumë se tetëdhjetë shtete të tjera të botës, në krye të tyre SHBA-ja. Ama iluzion është të pritet që edhe Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. As tani, e as në ndonjë të ardhme të afërt. Për më tepër, Serbia do të provojë me të gjitha mjetet e mundshme të shpëtojë nga Kosova atë që mund të shpëtohet. Mbrojtësi kryesor i të ashtuquajturit demarkacion ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është mandatari i qeverisë së re serbe, Ivica Daçiq, një njeri i Millosheviqit e më pas edhe i Gjingjiiqt, nënkryetari i dikurshëm i ish-Qeverisë serbe dhe ministër i Policisë.
Kah fundi i majit të vitit të kaluar, në emisionin “Upitnik” (Pyetësori) të RTS-së, Daçiq ka thënë se duhet të ndodhë demarkacioni ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe se për këtë gjë duhet të merren vesh Shqipëria dhe Serbia. Daçiq natyrisht nuk do të bisedonte me zyrtarët e Kosovës, pasi që kjo gjë do të nënkuptonte pranimin e shtetësisë kosovare e për më tepër do të ishte e paparamendueshme që Qeveria në Kosovë të negocionte me Serbinë për këmbimin e territorit të vet me një tjetër territor të vet. Sipas mendimit të Daçiqit, shqiptarët në Kosovë janë pakicë kombëtare dhe duke i parë si të tillë i ka porositur se është gjë e natyrshme që të bashkohen me shtetin amë, apo Shqipërinë. Me këtë rast Daçiq tërhoqi një paralele me Republikën Serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe tha se është e natyrshme që RS-ja t’i bashkohet Serbisë, ngase nuk është gjë e mençur të ekzistojnë dy shtete serbe në vend se një. Në po këtë emision është transmetuar edhe deklarata e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq, që thotë se çdo ide për zgjidhje, e madje edhe ajo për demarkacion, është e mirëseardhur. Liberali serb, Çedomir Jovanoviq, me rastin e një vizite në Zagreb në mars të këtij viti, ka thënë se ai, edhe sikur të fitonte në zgjedhjet presidenciale në Serbi, kurrë nuk do ta pranonte shtetin e Kosovës. Jovanoviq ka thënë po ashtu se Kosova në fakt edhe nuk është shtet dhe se as Kosova e as Bosnja nuk kanë atribute të shtetit e as shtetësi, duke shtuar me këtë rast se “Kosovës i kanoset rrezik shumë më i madh nga Maqedonia sesa nga Serbia”.
Pikërisht kjo fjali e Jovanoviqit është e rëndësishme, shumë e rëndësishme. Dy burime të brendshme të zbulimit pretendojnë se incidenti apo vrasja e pesë burrave në prag të Pashkëve ortodokse në afërsi të Shkupit, në prill të këtij viti, ishte vepër që mban nënshkrimin e njësitit serb të zbulimit, apo më saktësisht të njësitit serb për operacione speciale. Qëllimi, siç thanë burimet, është shkaktimi i një konflikti të ri, apo lufte, ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve dhe aktualizimi i ndarjes së Maqedonisë. Pikërisht Maqedonia është pika më e ndjeshme dhe më e dobët në plejadën e sotme në Ballkan, pasi që në Maqedoni urrejtja ndëretnike është më e theksuar, ndërsa disponimi anti-shqiptar, siç pretendojnë analistët, ka shtrirje madje edhe institucionale. Dhe pikërisht në Maqedoni mund të shkaktohet më së lehti një konflikt i ri ballkanik. Nëse do të vinte deri te ndarja, të cilën gjë e shpresojnë dhe në të cilën llogarisin gjithnjë e më shumë qarqet politike në Beograd si iniciuese të ndarjes, atëherë pjesa perëndimore e Maqedonisë, me shumicë shqiptare të banorëve, do të bashkohej natyrshëm me Shqipërinë. Sipas disa burimeve, më shumë se treqind mijë maqedonas kanë kërkuar dhe kanë marrë pasaporta bullgare, pas anëtarësimit të Bullgarisë në BE. Shteti bullgar për të gjitha këto hesht me mençuri, përveç se, natyrisht, nën presion ka pranuar shtetësinë e Maqedonisë, edhe pse nuk do ta pranojë kurrë identitetin e popullit maqedonas.
E tani, me një gjendje të tillë, politikanët serbë e shohin shansin e një rendi të ri kufitar, kur Serbia do ta fitonte një pjesë të Kosovës, atë të veriut dhe të veriut të Mitrovicës, pjesë kjo jashtë kontrollit të qeverisë në Kosovë dhe ku shumica e banorëve janë serbë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa pjesa e mbetur e Kosovës do t’i bashkohej Shqipërisë, ngase nuk do të mund të mbijetonte e vetme, siç nuk do të mundte as pjesa perëndimore e Maqedonisë.
Sipas po kësaj logjike, Serbia shpreson ta fitojë edhe Republikën Serbe, autoritetet e së cilës nuk e pranojnë diktatin e Sarajevës. Edhe pse mesazhet e përsëritura nga Ëashingtoni dhe bashkësia ndërkombëtare tregojnë qartë se ndryshime kufijsh nuk ka, nuk mund të shpërfillet e dhëna se pas Marrëveshjes së Kumanovës më 1999, bashkësia ndërkombëtare nuk e lejoi UÇK-në e atëhershëm të hynte në Mitrovicë e as në veriun e mëtutjeshëm të Kosovës drejt kufirit me Serbi, por e ndaloi pikërisht në pjesën deri ku, edhe sot e kësaj dite, shtrihet kontrolli i Qeverisë kosovare, ndryshe thënë administratës së shtetit të sapokrijuar të Kosovës.
Miniera e Trepçës, pasuria e së cilës është vlerësuar të kapë shifrën prej nëntëqind miliardë dollarësh dhe ku ari është vetëm një prej produkteve, është po ashtu e ndarë.
Hyrja veriore në minierë është nën kontrollin e serbëve, ndërsa ajo jugore nën kontroll të shqiptarëve, apo amerikanëve, krejt njësoj është. Është e dhënë interesante se si kjo vijë e kufirit është pikërisht ajo e njëjta nga viti 1943, ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë. Pjesa veriore e Kosovës dhe Serbia ishin nën kontrollin e forcave okupuese gjermane, ndërsa pjesa më e madhe e Kosovës, ajo jugore si dhe Shqipëria, kontrolloheshin ushtarakisht dhe me administratë nga italianët. Nuk mund të shpërfillet as fakti më bashkëkohor se burrështetasit botërorë, megjithatë, lejuan spastrimin etnik të Bosnjës dhe krijimin e Republikës Serbe. Një prej qarqeve të zbulimit të përmendura më lart komenton sesi, në rastin më të mirë, është i mundshëm një konflikt i ri i armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve rreth Maqedonisë brenda dy apo tre vjetësh, dhe si nëpër medie ka kaluar e pavërejtur një analizë e ngjashme e rreth dy vjetëve më parë e përgatitur nga disa analistë rusë.
Forcat speciale dhe njësitet e zbulimit të Rusisë, pretendon i njëjti burim, tashmë janë të stacionuara në Nish. Në fund, do të citojmë deklaratën e analistit dhe publicistit të njohur nga Maqedonia, Kim Mehmeti: “Për fuqitë e mëdha, të cilat vendosin për shtetet dhe popujt e vegjël, vlen parimi se të dobishëm janë vetëm politikanët e dëgjueshëm dhe të korruptuar, me të cilët ndërtohen dhe krijohen shtetet demokratike”.
(Autorja është gazetare shqiptare që jeton dhe punon në Kroaci. Vështrimi është i botuar në “dnevno.hr”)


