Hamdi Nuhiu
Në këtë vapë vere, ku shpirti ngulfatet dhe djersët rrjedhin pa na pyetur, u nisëm rrugës për në Sopot. Habiteni, po është hera ime e parë që vizitoj këtë fshat të qytetit të Kumanovës, qytetit ku kam lindur dhe jetoj me vite.
Habiteni, po ky udhëtim është dashuria ime e parë për një fshat në afërsi të qytetit tim. Ndoshta më shumë se një dashuri në shikim të parë, mund të quhet ky emocionimi im.
Sopoti nuk është fshat i madh. Po, ka një rëndësi strategjike për Serbinë, Kosovën, Maqedoninë. Me siguri, për këtë arsye bëhet aq shumë politikë me këtë fshat.
Midis Sopotit dhe Kumanovës është i vendosur një fshat historik i vjedhur, i grabitur nga serbet, Tabanoc. Thuan se është e vështirë që të gjendet familje shqiptare në Tabanoc, ndërsa në Sopot është vështirë që të mbijetojnë hordhitë sllave. Tabanoci dhe gardianët kufitar maqedonas e serb janë dy anët që e kanë futur në sandviç Sopotin. Këndej pari gjendet edhe Recica, e cila luan rrolin e Tabanocit, ndërsa ka futur në sandviç një fshat tjetër shqiptarë.
Sopoti një fshat i ndërtuar me delikatesë dhe thjeshtësi të jep luksin e harmonisë dhe qetësisë shpirtërore. Këtë harmoni mund ta prishin vetëm veturat e policëve kufitar të cilët shqetësojnë banorët e këtij vendi të qetë.
Tragjikisht ky fshat u përdor për lojërat më të mëdha politike që ndodhën në Maqedoni, pas vitit 2001. Rasti i Sopotit është kurthi i parë politikë që menjëherë pas tij të vjen rasti Monstër. Shqiptarët e pafajshëm u dënuan për diçka që nuk e kishin bërë kurrë. Minat e vendosura dhe mbytja e ushtarëve të misioneve ndërkombëtare, nuk ishte porosi, e as vepër e sopotasve të qetë dhe të lodhur nga hallet e shumta ekonomike. Po normal nuk duhej që të gjendeshin armiq tjerë të BE e NATO përveç shqiptarëve të pafajshëm mysliman. Sikur ne të vuanim për të hedhur vnerë karshi shpirtrave të pafajshëm të njerëzve të huaj, dhe jo të vuanim për të dal nga kriza e thellë politike, financiare e ekonomike që na ka kapluar.
7 vjet u mbajtën nëpër burgje padrejtësisht shqiptarët e Sopotit. Ato vite të humbura kot, ato lot të derdhura nga gratë për burrat e tyre, nënat për djemtë e tyre, vajzat për baballarët e tyre, nuk u dëmshpërblyen nga askush. Thjeshtë nga rasti në fjalë përfituan vetëm partitë politike shqiptare duke u krekosur para popullatës me barkun bosh, se paskan zgjidhur problemin me shqiptarët e pafajshëm të Sopotit.
Xhamia e vogël dhe e thjeshtë e Sopotit tregon për natyrën e popullatës së këtij vendi. Njerëz të thjeshtë, të dashur, modest dhe mikpritës. Me disa fjalë këto janë sopotasit, të cilët për të drejtën e tyre u futën në grevë urie edhe para selisë së BDI në Recicë të Vogël të Tetovës. A nuk është turp që me këto njerëz të thjeshtë, modest, punëtor, të dashur të bëhet politikë për interesa të ngushta?
Blegtoria është zeja kryesore në këtë fshat. Pjesa dërmuese e fshatarëve e sigurojnë ekzistencën e tyre përmes bagëtive. Ndërsa, nga jeta e rëndë në këtë fshat, një pjesë është detyruar që të ikë në mërgim, ndërsa pjesa tjetër është vendosur në qytetin e Kumanovës.
Misioni ynë në këtë fshat ishte tërësisht humanitar. U nisëm me detyrë nga Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit të gjejmë dy familjet më të varfra të fshatit, me qëllim që të përfshihen në projektet e QSA-Kumanovë. Misioni është tejet fisnik, por detyra shumë e rëndë: si të gjenden dy familjet më të varfra të fshatit ku 87 përqind e këtij fshati jetojnë me ndihma sociale?
Megjithatë, duke analizuar shumë faktor, dhe duke pyetur shumë njerëz, gjetëm dy familje më të varfra të fshatit, të cilat shpresojmë se në të ardhmen do të përfitojnë nga projektet tona.
U kthyem nga fshati me lot në sy, duke lutur Allahun Fuqiplotë që t`i ndihmojë banorët e këtij fshati që kanë ngelur viktima të projekteve serbomadhe dhe që në çdo moment i rrezikohet ekzistenca e tyre. Apelojmë tek të gjithë: ndihmoni Sopotin, sepse Somalia e shqiptarëve mysliman të Maqedonisë e Ballkanit është Sopoti.


