SHT05182013

Perditesimi i fundit10:15:14 MD

Back Opinion Opinion Turpi i të mençurit

Turpi i të mençurit

  • PDF

Ismail Arsllani

Gjuha politike është shpikur për të bërë që gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta, ka thënë novelisti i njohur i kronikave angleze, George Orwell.

Një gënjeshtër e përsëritur 100 herë, do të dalë si e vërtetë, fenomen ky që mund të haset në mentalitetin e politikanëve ballkanas. Politika është art i të mundshmes, ajo nuk është statike, është fleksibile, deri në përmasa të pabesueshme. Për atë shkak politikanët asnjëherë nuk “kuptohen” sa duhet nga opinioni publik. Ata shtrojnë befasi të vazhdueshme. Sepse, të jesh i sinqertë në politikë është hiç më pak se një naivitet, ndërsa kufiri mes politikës dhe sinqeritetit ka barriera të pakalueshme.

Po të ishte politika e mbështetur mbi postulatet e  sinqeritetit, besnikërisë dhe moralit, nuk do të quhej politikë, ndërsa politika s’do ta kishte epitetin e lavires. Virtytet e larta etike në organizimin e jetës civile, nuk janë cilësi dhe parime në veprimin politik. Politika njeh vetëm interes dhe ajo mbështetet e zhvillohet në parime të interesit. Nëse nuk ka interes, aty nuk mund të zhvillohet politikë e mirëfilltë. Kjo gjë kërkon shumë taktikë dhe futje në pazare të interesave. Taktikat dhe pazaret në politikë janë dy segmente të kundërta. Taktika mund të japë fryt, mund të jetë produktiv, ndërkaq pazari politik shpesh mund ta mbajë peng një subjekt politik, shkaku i marrëveshjes së arritur dhe kjo mund të reflektojë edhe në dështimin e shestimeve.

Kjo nuk do të thotë se politikanët mund të jenë edhe joseriozë dhe të papërgjegjshëm, gjë që në praktikë po ndodh shpesh. Ata sa herë kanë dëshmuar me veprimet e veta se janë shumë joseriozë, por gabimet i kanë vërtet serioze.
Në këtë rrafsh ndodhin edhe disa fenomene psikologjike. Nëse marrim rastin e gjeniut, qoftë edhe në politikë, koeficienti i tij i inteligjencës është në kufi të deliriumit. Distanca mes gjeniut dhe deliriumit është shumë fluide. Kështu ndodh që nuk mund të tërhiqet një vijë diskrapance mes inteligjencies dhe marrëzisë.

Fatkeqësia e kësaj bote qëndron në faktin se njerëzit e “marrë” janë shumë më të sigurt e më të vendosur për punët që i bëjnë, qofshin edhe punë të këqija, për dallim nga të mençurit, të cilët vazhdimisht kanë dilema, madje edhe për punët që ashiqare duken të sigurta dhe të mira. Po deshëm zbërthyer këtë mendim filozofik, do të dalë se “nga puna që i mençuri turpërohet, i marri krenohet”. Pra, siç ka thënë Bertrand Rasel, “turpi i të mençurit është krenaria e të çmendurit”. Këto fenomene nuk janë të panjohura në hapësirat politike ballkanase, madje edhe në mjediset tona. Pikërisht ashtu siç thotë edhe Friedrich Nietzsche: “Tek individi, çmenduria është përjashtim, por te grupet, partitë, kombet dhe epokat është e mundshme”.

Çdo vend që synon sendërtimin e demokracisë së mirëfilltë duhet të ketë udhërrëfyes shembullin e funksionimit të saj në SHBA, e cila është djepi i demokracisë në gjithë rruzullin tokësor. Sipas kushtetutës amerikane, është detyrë patriotike e secilit qytetar amerikan që ta kritikojë qeverinë, për të parandaluar gabimet eventuale që do t’i bënte. Por kjo nuk po ndodh tek ne. Ne kemi kuptuar demokracinë në formën e saj të përmbysur, kur dimë dhe përditë e më shumë jemi dëshmitarë për atë se pushteti në Maqedoni ka zero tolerancë ndaj vërejtjeve, sugjerimeve, këshillave dhe kritikave që i bëhen për punën e saj. Kjo është një strategji e paramenduar për ushtrimin e frikës. Mbjellja e frikës në çdo shtresë shoqërore, si duket po bëhet një strategji që po jep “rezultate” konkrete në një hark kohor afatshkurtër.

Vendi është ndarë në dy taborë: në patriotë dhe tradhtarë. Kutet dhe kriteret janë të ndryshme, varësisht me cilin kandar po maten ato. Një gazetar amerikan, me famë, ishte shprehur kësisoj për patriotin. Njeriun që më thotë se është “patriot”, nuk e shikoj nga sytë, por nga duart. Sepse, patrioti i vërtetë nuk është rrahagjoks që të lëvdohet me patriotizëm, ai i bën punët e veta patriotike pa shumë zhurmë. Patrioti i rremë ngre pluhur patriotizmi, për të mbuluar me vel të bëmat e veta kriminale.

Në anën tjetër, mbjellja e frikës institucionale nuk mund të sjellë asgjë të mirë një vendi. Një burrështetas ka thënë se “ushtari duhet të jetë shumë i guximshëm që të jetë frikacak”, duke aluduar në atë se nëse luftëtari frikacak dezerton, dihet se do të pushkatohet, ndaj dhe as nuk guxon të mendojë për  frikë. Në kohën tonë ka liderë politikë që mund të thonë të njëjtën gjë për ushtarët e vet partiakë, si përgjigje në pyetjen se pse disa njerëz janë aq lojalë ndaj tyre. Sepse, njeriu duhet të jetë tepër i çmendur që të shitet si i mençur brenda partisë, sikundër që duhet të jetë tepër i mençur që të mund të luajë rolin e një politikani të marrë dhe të dëgjueshëm. Kjo është një punë prej djalli.

“Shqiptarët nuk dinë të zgjedhin dhe ç'është më e keqja nuk dinë të mbrojnë atë që zgjedhin dhe akoma më keq ata e tradhtojnë shpejt atë që zgjedhin”, ka thënë Ben Blushi.

Aty ku nuk ka demokraci të mirëfilltë, këto metoda perfide të “përshtatjes” shndërrohen në praktikë funksionimi “demokratik”, që sforcon pozicionin e liderit partiak dhe për reperkusion ka devijimin politik në dëm të demokracisë brenda partiake. Andaj edhe rezultatet tona dalin të tilla: nuk mund të dilet nga amullia politike, vështirë përballohen sfidat, mungon justifikimi i argumentuar, kemi  përkulje kurrizi para oponentit politik.

Për shkak të marrëzive politike, mungesës së dialogut, kokëfortësisë, kalkulimeve afatshkurtra, vendi hyn në një fazë të krizës politike, para zgjedhjeve lokale të 24 marsit të sivjetmë, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur që ato të shtyhen. Këto zgjedhje, edhe pse janë lokale dhe kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve  komunale, fushata parazgjedhore pritet të ngrihet mbi nivelin e zgjedhjeve parlamentare, duke u dhënë peshën e një referendumi gjithëpopullor.

Në frymën e reformave, institucioni ligjvënës po sjell një seri ligjesh. Por ndodh një absurd: shteti shpesh në emër të ligjeve edhe i shkelë ato. "Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më shumë ligje ka", ka thënë shumë shekuj më parë një senator i Perandorisë romake.




Lajmet e funditTë rëndomta