Ardhja e Nexhipit është përforcim i madh për ekipin ‘kuqezi’, të cilët tani më kanë një prej ekipeve më të forta në ligë. "Mund të konfirmoj se me nderim Nexhipin kemi arritur marrëveshje për bashkëpunim njëvjeçar. Të them të drejtën ne si drejtues jemi të lumtur që kemi arritur të sigurojmë në rradhët tona të kemi një futbollist të kalibrit të Nexhipit. Të martën pritet që Nderimi të na bashkohet në seancat stërvitore, ndërsa besojmë të ketë të drejtë loje kundër Metalurgut. Këto ditë ndoshta do të kemi edhe ndonjë risi, ndërsa jemi në bisedime me emra të njohur për t'u ulur në pankinën tonë", deklaroi për TV Alsat-M sekretari i KF Shkëndija, Fikret Shaqiri. Nexhipi së fundmi ishte pjesë e skuadrës nga Azerbajxhani, Qarabagh, ndërsa më herët në karierën e tij ka luajtur edhe për Liersin e Belgjikës, Ëolfsburgun dhe Herta Berlinin në Gjermani, si dhe për Rabotnickin, Vardarin dhe Slloga Jugomagnatin në Maqedoni. Nexhipi është përforcimi i rradhës i Shkëndijës në këtë merkato, pasi ekipi paraprakisht angazhoi Pollozhanin, Ejupin, Aliun, Shabanin, Hasan, Alievskin dhe Nikovin. Ndërkohë nga rradhët e Shkëndijës paralajmërojnë se në takimin e rradhës me Horizontin, të drejtë loje do të kenë edhe Artim Pollozhani dhe Bunjamin Shabani, ndërsa Nderim Nexhipi ekipit do t’i bashkangjitet të martën dhe me shumë gjasa do të jetë në kombinim për sfidën me Metalurgun.
F. Zylbehari - Alsat-M