“Qëllimi kryesor i kësaj pres-konference është të demantojmë ashpër shkrimet e disa medieve të cilat kanë plasuar informacione për kinse trukim të ndeshjes. Mediet duhet të na kontaktojnë ne dhe jo të merren me thashetheme. Këshilli drejtues i klubit ka vendosur të ngritë procedurë për të zbardhur këto thashetheme”, deklaroi Fikret Shaqiri, sekretar i përgjithshëm i klubit.
“Pas kthimit nga Portadown jemi të brengosur nga shkrimet e disa medieve. Të gjithë ato që kanë plasuar informacione të tilla nuk ia duan të mirën Shkëndijës dhe janë kundër saj”, u shpreh Habil Bexheti, në emër të Këshillit Mbikëqyrës të KF Shkëndija.
“Si shef i stafit teknik sikur të gjithë të tjerët jemi shumë të tronditur nga spekulimet, sidomos të disa medieve, të cilët kanë dalë në anën e gjykatësit për epilogun e kësaj ndeshje. Do të ishte mirë që në raste të tilla së pari të konsultohen me vetë aktorët e lojës, para se të plasohet ndonjë thashetheme”, tha trajneri Qatip Osmani.
Kapiteni i skuadrës së Shkëndijës, Nebi Mustafi tha se me keqardhje dhe rëndë e ka pritur disfatën kundër Portadown, pasi bëhet fjalë për një ndeshje të Ligës s Europës.
“Nga e gjithë kjo që po ndodhë pas eliminimit të Shkëndijës si duket më i prekur është portieri Hadis Veliu, i cili thashethemet për trukim të kësaj ndeshje i ka pritur shumë keq, kur dihet se ai ndihet fajtor për golin e dytë të pranuar”, tha Mustafi.
Në fund duhet të theksojmë se, drejtuesit e Shkëndijës premtuan se do të jenë transparent për të bashkëpunuar me organet e UEFA-së./lajmpress/