Ekipi futbollistik i Renovës, pas angazhimit të portierit Suat Zendeli, radhët e tyre i ka përforcuar edhe me sulmuesin Sashko Pandev, ndryshe vëlla i lojtarit të njohur Goran Pandev. Ky lojtar stërvitjen e parë me ekipin e ri e ka zhvilluar në Ohër, ku skuadra e Renovës nga dita e premte i ka filluar përgatitjet bazike.
Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar ndihmës trajneri i klubit, Bujar Islami. “Po ky futbollist së fundmi ka luajtur në Horizont Turnovo, ndërkohë që në Maqedoni ka luajtur edhe për Rabotniçkin. Bëhet fjalë për një lojtar me përvojë i cili është paraqitur edhe për disa ekipe në kampionatin kroat.
Mendoj se Sashko Pandev ka kualitet e duhura dhe i njëjti do të rrit konkurrencën në ekip, që mendoj se është pozitive. Shpresoj se së bashku me të do të arrijmë rezultate pozitive si në Kupë ashtu edhe në Kampionat”, deklaroi për gazetën “Zhurnal Plus”, Islami.
Ndryshe, ai shton se nga dita e premte gjenden në Ohër ku edhe do të qëndrojnë disa ditë. “Kushtet në Ohër janë fenomenale, pak ka borë mirëpo kjo nuk do të ndikoj në ushtrimet tona pasi të njëjtat më shumë do jenë pa top. Shpresoj se do ti mbushim maksimalisht bateritë për ndeshjen kontrolluese që na presin muajin e ardhshëm”, pohoi Bujar Islami.