Avokati i Hisen Musliut, Elvir Iseni, thotë ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 16.00, derisa klienti i tij ka qenë duke lëvizur në rrugën e Ilindenit dhe në drejtim të tij janë ofruar dy persona, njërin prej të cilëve i rrahuri e ka njohur. “Bëhet fjalë për personin me iniciale (B.C.), i cili ka nxjerrë revolen dhe i është kanosur Musliut, duke iu drejtuar me fjalët ‘A do shkruash më dosje’. Në atë moment kanë filluar ta shajnë dhe godasin, me çka Hisen Musliu është alivanosur dhe që nga ai moment nuk mban mend gjë”, thotë avokati i tij, Elvir Iseni. Sipas tij, në afërsi ka ndodhur edhe një patrullë e policisë së Tetovës, por sipas tij të njëjtët nuk kanë reaguar për të parandaluar ngjarjen. “Sipas informacioneve Musliu pas rrahjes ka marrë lëndim në njërin sy, të cilin vetëm para disa ditësh e kishte operuar”, thotë avokati Elvir Iseni. Ai ka theksuar se do të presin nga institucionet që të merren me rastin, në të kundërtën vetë do të iniciojnë padi ndaj personit në fjalë.
Nga ana tjetër, kryeshefi i Sektorit të Punëve të Brendshme Shefik Bajrami, ka hedhur poshtë informatat se policë të SPB-së kanë qëlluar vendit të ngjarjes dhe nuk kanë reaguar. “Nëse personi në fjalë ka ndonjë vërejtje lidhur me Policinë e Tetovës, mund lirisht të drejtohet në institucionet përkatëse dhe të merren masa”, është shprehur Shefik Bajrami, kryeshef i Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës. Ndryshe, Hisen Musliu akuzua si falsifikator i dosjeve kundër funksionarëve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe funksionarë aktual të Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa më pas u lirua nga gjykata në mungesë provash.
/KOHA-Urim Hasipi/
Në Tetovë rrihet Hisen Musliu
05.06.2012/ 20:01
Rrihet në Tetovë, ish punëtori i shërbimeve Hisen Musliu. Këtë e bënë të ditur nga TV ALSAT. Sipas këtij mediumi persona të panjohur e kanë sulmuar atë rreth orës 17 në rrugën e Ilinden, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore. Musliu është shtruar me urgjencë në Spitalin e Tetovës, menjëherë pas rrahjes nga personat e panjohur. Incidenti është konfirmuar edhe nga autoritetet policore në Tetovë, të cilat kanë shkuar pranë Spitalit për të marrë dëshmitë e Musliut si dhe të njihen me ekzaminimin shëndetësor të tij. Policia nuk jep detaje të tjera as rreth personave e as motivit të rrahjes së të moshuarit Hisen Musliut. I sulmuari i sotëm është i njohur për opinionin veçanërisht pas publikimit të disa dosjeve.
Përndryshe Hisen Musliu në nëntor të 2010 u arrestua pasiqë dyshohej se ka “falsifikuar” dosjet e dorëzuara deri tek Komisioni për verifikimin e fakteve, e që kanë të bëjnë me funksionarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Ai kohë më parë ishte akuzuar nga deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, se qëndron pas dosjeve “MAMA”, “STRELAC”, “UJKA” dhe “IBAR”, gjë që hasi në reagimin e ashpër të Musliut, i cili paralajmëroi se do të ngrejë padi penale kundër deputetit të BDI-së.
/Alsat M - tetova1/


