hën05202013

Perditesimi i fundit10:13:08 MD

Back Lajme Tetovë Shehtanskit prapë i 'kruhet' me Ramushin

Shehtanskit prapë i 'kruhet' me Ramushin

  • PDF

Këshilli i Komunës së Tetovës, të premten, me aklamacion të 19 këshilltarëve shqiptarë ka miratuar vendimin për shpalljen e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, qytetarë nderi të kësaj komune.

Këshilltarët maqedonas kanë braktisur sallën dhe janë ankuar tek partitë e tyre amë, ndërsa atyre u është përgjigjur drejtori i Inspektoratit për Vetëqeverisje Lokale, Vanço Shehtanski, duke “kërcënuar” se do ta rrëzojë vendimin e këshilltarëve tetovarë. “Sapo ta pranojë vendimin e Këshillit komunal të Tetovës, do të vlerësojë nëse i njëjti është miratuar në përputhje me Ligjin, gjegjësisht në pajtim me parimin e Badenterit”, ka thënë Shehtanski për mediat në gjuhën maqedonase, duke paralajmëruar se për shkak të mospjesëmarrjes në votim të këshilltarëve maqedonas, ai do ta rrëzojë vendimin në fjalë.

Por, kundër Shehtanskit ka dalë kreu i dikasterit të njëjtë, ministri për Vetëqeverisje Lokale, Nevzat Bejta, i cili paralajmëron se pikërisht ai do të hedhë poshtë vendimin eventual që do ta marrë Shehtanski dhe do mbështesë vendimin e këshilltarëve komunal të Tetovës. “Vendimi i Shehtanskit do të merret i pabazë dhe unë si ministër do të sjell vendim konform vendimit që kanë sjellë këshilltarët e Komunës së Tetovës dhe Ramush Haradinaj të shpallet Qytetar Nderi i Tetovës. Vendimi i Këshillit komunal të Tetovës është legjitim për të shpallur Qytetar Nderi Haradinajn dhe të gjithë personat që ata vlerësojnë që kanë dhënë kontribut në interes të qytetarëve të Tetovës, interes në të mirë të kombit dhe në interes të atdheut”, tha ministri Bejta. Pas vendimit të drejtorit të inspektoratit, Këshilli komunal i Tetovës do të duhet që të ankohet tek kreu i vetëqeverisjes lokale, i cili thotë se me automatizëm do ti përgjigjet ankesës për të mundësuar që në afatin e paraparë, të hënën, të realizohet edhe ceremonia e paralajmëruar për shpalljen e Ramush Haradinajt, Qytetari Nderi i Tetovës. Për shkak të këtij vendimi, këshilltarët e partive maqedonase kanë vendosur që nga dita e premte të bojkotojnë punimet e Këshillit komunal të Tetovës. Ndryshe, përplasjet me Shehtanskin, ministri Bejta i pati edhe me rastin e emërimeve të katër shkollave në Komunën e Çairit, kur ky i fundit hodhi poshtë vendimin për rrëzimin e vendimit komunal që kishte respektuar të gjitha procedurat për emrat e rinj të shkollave shqipe në Çair.

Të hënën, Ramush Haradinajt do ta pret kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ndërkohë që më pas, kreu i AAK-së së Kosovës, do të vazhdojë për në Komunën e Tetovës, ku do të bëhet ceremonia solemne me rastin e shpalljes Qytetar Nderi nga ana e Këshillit komunal, ndërsa në qytet do të organizohet pritje madhështore nga ana e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike Shqiptare.




Lajmet e funditTë rëndomta