Erdogan: Shpresojmë që tensioni SHBA-Kore e Veriut të mos shndërrohet në konflikt

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se shpreson që kërcënimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Koresë e Veriut të mos shndërrohen në një konflikt të vërtetë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se shpreson që kërcënimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Koresë e Veriut të mos shndërrohen në një konflikt të vërtetë.

Në dalje të namazit të xhumasë, Presidenti Erdoan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që e prisnin përjashta dhe ndër të tjera, tha: “Deri tani rreth 16 vende në botë kanë arritur dimensione serioze për sa i përket zhvillimit të armëve bërthamore. Në mesin e tyre janë tri vende të cilat kanë fuqi të madhe kur bëhet fjalë për armatimin bërthamor. Ne shpresojmë se kërcënimet mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut nuk do të shndërrohen në një konflikt të vërtetë, i cili mund të mos kufizohet vetëm në mes të dy vendeve. Kjo mund të fillojë një proces tjetër kërcënimesh. Shpresoj që në këtë drejtim të arrihet zgjidhje politike”, tha Erdoan.

Kurse në lidhje me ndihmat njerëzore dhe kufizimin e kalimeve në Portën Kufitare me Sirinë, Xhilvegëz (Cilvegöz) Presidenti Erdoan tha; “Ne do të vazhdojmë ndihmat njerëzore. Ne do të vazhdojmë të mbajmë hapur këtë pikë kufitare por këtu do të kalojnë ushqimet, ilaçet, veshjet, etj. Por nuk është e mundur që ne të lejojmë kalimin e armëve dhe gjërave të ngjashme. Kurse në Idlib vazhdojnë negociatat. Veçanërisht Shërbimi Informativ Kombëtar (MIT) vazhdon bisedimet me Rusinë në këtë çështje”.

“Gjithashtu vazhdojnë bisedimet me Iranin dhe në lidhje me Idlibin edhe bisedimet me Moskën vazhdojnë pozitivisht. Mendoj se nëse bisedimet me Moskën ndërmerren brenda pikave të procesit të Astansë, mund të arrijmë një zgjidhje të shpejtë”.

Kurse në lidhje me vizitën e delegacionit gjerman më 8 shtator në Konya, ai tha se duke biseduar me NATO-n ndaj kësaj kërkese të gjermanëve kanë treguar një qëndrim pozitiv.

“Kjo sigurisht që nuk është një ngjarje si Inxhirliku (Incirlik), kjo është ndryshe. Në këtë kuadër ministria jonë e mbrojtjes ashtu edhe ajo e jashtme janë duke drejtuar këtë proces, i cili aktualisht është në drejtim pozitiv”, ka shtuar Erdoan.