Shtatzënë e me dy fëmijë të vegjël me vete: Gruaja e Ballistit tregon tmerrin që po kalon në Kroaci

Ismail ‘Ballist’ Morina, tifozi i kombëtares shqiptare që u bë i famshëm pas ngritjes me dron të flamurit të Shqipërisë së Madhe në stadiumine Beogradit, prej tre muajsh vijon të mbahet i arrestuar në Koraci, për shkak të mungesës së pashaportës.

Situata për të u rëndua edhe më tepër pas vendimit fillestar të gjykatës kroate për ta ekstraduar atë drejt Serbisë, por duket se peshën më të madhe të gjithë kësaj situate po e mban pikërisht bashkëshortja e Morinës, arkitektja italiane Federica Lo Toro.

Prej tre muajsh ajo endet në Koraci me dy fëmijë të mitur dhe një tjetër që e ka ende në bark, në pritje të lirimit të bashkëshortit të saj.

“Tani jam në muajin e gjashtë dhe nuk është aspak e lehtë. Kam shkuar në Kroaci gjithnjë e shoqëruar nga dy fëmijët tanë, që janë 3 dhe 5 vjeç, pasi nuk kam kujt t’ia lë në Itali. Është një situatë mjaft e sikletshme, pasi edhe fëmijët nuk e kuptojnë realisht atë që po ndodh dhe më pyesin gjithmonë për babain e vet dhe pse nuk jemi në shtëpi. I kam çuar ta takojnë të atin dhe kanë qenë të frikësuar se do të na mbanin edhe ne brenda.”-ka rrëfyer bashkëshortja e Morinës në një intervistë për “Sport Ekspres” duke shtuar se ka pasur edhe momente shumë të vështira për shkak të problemeve shëndetësore.

“Ka pasur edhe momete delikate, kam pasur probleme shëndetësore kur ishim në Zagreb dhe duhej të kthehesha me urgjencë për në Itali, por për fat nga Federata Shqiptare na qëndruan pranë dhe na kanë ndihmuar shumë, në çdo drejtim, duke siguruar edhe biletat e udhëtimit për në Itali.”- tregon Lo Toro.

Ndërsa përsa i përket gjendjes psikologjike të bashkëshortit të saj, ajo rrëfen: “Ai ka qenë në tension të jashtëzakonshëm. Edhe telefonatat me ne i kishte të kufizuara, 15 minuta në javë, asnjë më shumë, ndërsa frika e tij më e madhe ishte transferimi në Serbi. Për të, shkelja në Serbi ishte e barabartë me vdekjen.”

Por Federica duket optimiste përsa i përket fatit të Ismailit. “Nuk ka mbaruar asgjë, por perspektiva është e mirë, kemi shpresa të mëdha. Më në fund po shohim dritë në fund të tunelit, edhe autoritetet kroate po e shohin ndryshe çështjen dhe me siguri që në Dubrovnik do të ketë një trajtim tjetër të Morinës, ashtu si ka ndryshuar sjellja ndaj tij që në vendin ku mbahet aktualisht. Përtej vonesës, rëndësi ka që Ismaili të kthehet në shtëpi dhe për këtë falënderojmë të gjithë ata që kanë dhënë ndihmë.”-shprehet ajo.